'Ne jemi qenie sipërfaqësore, që para se ta pyesim dikë si je e shohim si duket...'

'Ne jemi qenie sipërfaqësore, që para se ta pyesim dikë si je e shohim si duket...'

08:05, 02/02/2020
A+ Aa A-

Nga Entela Hidri

‘...nuk më pëlqen kur eci mes turmash që shtyhen se duan të fitojnë hapësirë më shumë, më pëlqejnë turmat ku secili e do fort dhe e respekton hapësirën e vet’

Një ditë gri në rrugët e Tiranës, një ecje e ngadaltë nëpër piklat e shiut, rrëmuja për të dalë në krye njerëz që ngatërrohen dhe s’duan t’ia dinë nëse të kanë prerë rrugën apo fare. Nëse të shikojnë shtrembër, ke halle pune dhe çdo gjë, egocentrizëm kaq i lartë sa vetëm vetja të intereson në një ngarendje të shpejte dukjes dhe kotësie. Bota e show-isteve dhe dukjes ka nisur të na marri çdo qelizë të njerëzores sonë dhe arrin njeriu të ndali dhe të pyesi veten: ‘ Vetëm kur na duhen njerëz i kemi aty’, ‘po unë, unë ku jam për të tjerët, kur duhem, kur kanë nevojë për një përqafim, një prezencën, një mundësi prezence, ku jam unë?!’ 

Duke dashur të jemi me të përqendruar në jetën tonë, aureolën që na rrethon harrojmë të shikojmë rreth dhe të kuptojmë, se kemi 2 duar, një për të marrë dhe një për të dhënë, njerëzoren tonë, prezencën tonë, çdo copëz tonën.

E kështu padashur e pa pandehur bëhemi të pandjeshëm ndaj tjetrit, të pandjeshëm ndaj asaj që tjetri përjeton dhe jeton, dhe kështu dalëngadalë mbetemi pre e vetmisë së shpirtit por jo vetëm, edhe të asaj fizike, dhe mbyllet bërthama jonë qenësore në prezenca tepër të kufizuara derisa aftësia jonë për të qenë të lumtur, pra për t’i përballuar situatat më me pak dhimbje, deri në vetstimulim të vetmisë dhe veçimit.

Por vetmia për hallin dhe çudinë tonë të madhe është një ndjesi që vjen natyrshëm dhe është aq emocion universal njerëzor, por është edhe kompleks dhe unik për secilin individ, nuk ka asnjë shkak të vetëm të përbashkët.

Gilmartin Verywell na sjell një përkufizim të vetmisë: ‘Ndërsa përkufizimet e zakonshme të vetmisë e përshkruajnë atë si një gjendje vetmie ose të qenit vetëm, vetmia është në të vërtetë një gjendje mendjeje. Vetmia përcaktohet nëse ndjeheni të vetmuar më shumë se një herë në javë.’ (Alone in the crowd: The structure and spread of loneliness in a large social network.)

Vetmia bën që njerëzit të ndjehen të zbrazët, të vetëm dhe të padëshiruar. Njerëzit të cilët janë të vetmuar shpesh dëshirojnë kontakt njerëzor, por mendja e tyre e bën më të vështirë formimin e lidhjeve me njerëzit e tjerë, frikësimi nga gjykimi dhe paragjykimi i bën ata të tërhequr dhe të kufizuar në vetet e tyre, si edhe në qasjen ndaj tjetrit. Vetmia, sipas shumë ekspertëve, nuk ka të bëjë vetëm me të qenit vetëm, përkundrazi, nëse ndjeheni të vetmuar dhe të izoluar, atëherë kjo është mënyra se si vetmia luan në gjendjen tuaj mendore, mund të jesh mes turmash dhe se gjen dot veten te asnjëri prej tyre, ku mund të zbrazësh brenga përvoja, mendime dhe strese, atëherë ndihesh i vetëm.

Shkaqet e vetmisë

Sipas David Sbarra: ‘Faktorët kontribuues për vetminë përfshijnë ndryshueshmërinë e situatës, siç mund të jenë: izolimi fizik, lëvizja në një vendbanim të ri, divorci, vdekja e dikujt domethënës në jetën e një personi gjithashtu mund të çojë në ndjenja të vetmisë. Për më tepër, mund të jetë një simptomë e një çrregullimi psikologjik siç është depresioni.’ ( Divorce and Health: Current Trends and Future Directions)

Vetmia gjithashtu mund t'i atribuohet faktorëve të brendshëm si: vetëvlerësimi i ulët. Njerëzit të cilëve u mungon besimi në vetvete shpesh besojnë se nuk janë të denjë për vëmendjen e njerëzve të tjerë. Kjo mund të çojë në izolim dhe vetmi kronike. Vetmia ka një gamë të gjerë efektesh negative si për shëndetin fizik ashtu edhe atë mendor përfshirë: depresioni dhe vetëvrasjet, sëmundje kardiovaskulare dhe goditje në tru, rritje të niveleve të stresit, ulur kujtesën dhe të mësuarit, sjellja antisociale, vendimmarrja e dobët, alkoolizmi dhe abuzimi i drogës, përparimi i sëmundjes së Alzheimerit, funksioni i ndryshuar i trurit e të tjerë faktorë si këto që janë përmendur më lartë. E për çudi njeriu që nis të vetmohet, nis të lëvizi më pak, të ushqehet keq, me ushqime të yndyrshme dhe pa vitamina, nuk merret më me palestër dhe shëtitje, nuk kujdeset më për pamjen e jashtme dhe kujdesin shpirtëror etj.

Sipas shumë vëzhgimeve të kohëve të fundit, jo patjetër një njeri që ka familje të madhe, jetë me shkëlqim dhe para, është i imunizuar nga vetmia. Ne jemi qenie sipërfaqësore, që para se ta pyesim dikë si je e shohim si duket...

Nëse ke nisur ta shohësh më pak një mik në lokalin e mëngjesit, ai të shkruan më rrallë, s’po të telefonon më, ndoshta është koha që të shkosh dhe t’i zgjasësh dorën tënde dhe ndihmën që mundesh, sepse mediat sociale janë prezencë fallco në jetët tona që s’munden dhe s’do e zëvendësojnë kurrë mikun e shtëpisë, shokun e ngushte, vëllain prej gjaku etj. Nëse në rrjete sociale shikojmë statuse që bartin lot, trishtim, apo mërzi, atëherë është koha të pyesim, nëse dua të infektohem, apo do e ndihmojë edhe tjetrin të vi drejt meje dhe të buzagazet nga prezencat reale të qenieve të gjalla që frymojnë, flasin dhe qeshin me njëri-tjetrin...

Vetmia mund dhe duhet të tejkalohet. Kërkon një përpjekje të vetëdijshme nga ana juaj për të bërë një ndryshim. Bërja e një ndryshimi, në planin afatgjatë, mund t’ju bëjë më të lumtur, më të shëndetshëm dhe t'ju lejojë të ndikoni të tjerët rreth jush në një mënyrë pozitive.

Si mund ta parandalojmë dhe ta largojmë vetminë:

Pranoni që vetmia është një shenjë se diçka duhet të ndryshojë si edhe efektet që ka ajo në jetën tonë, si fizikisht ashtu edhe mendërisht, jepni ndihmën tuaj në një rast që ka nevojë për ndihmën dhe përkrahjen tuaj, si psh: rasti i tërmetit, një i sëmure, nevojtarë etj. Këto situata paraqesin mundësi të mëdha për të takuar njerëz dhe për të kultivuar miqësi të reja dhe bashkëveprime shoqërore pa lidhje interesi, e theksoj fort pa lidhje interesi material dhe me lidhej sigurisht interesi emocionalo-shpirtëror. Përqendrimi në zhvillimin e marrëdhënieve cilësore me njerëzit që ndajnë qëndrime, interesa dhe vlera të ngjashme me ne.

E nëse përpiqemi, patjetër që do bëhet më e mira, pasi ne jemi qenie sociale e si të tillë, i duhemi njëri-tjetrit. 

‘Armiqtë i kam merituar por nuk di a i meritoj miqtë?’– U. Uitman

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco