‘Nishanet’ e Hamit Boriçit – Njeri

‘Nishanet’ e Hamit Boriçit – Njeri

12:00, 28/01/2020
A+ Aa A-

Nga Frano Kulli.

1) Sapo kisha filluar punë në gazetën “Bashkimi”. Kisha ca kohë që bashkëpunoja me gazetën. Shkrimet ia dërgoja kryeredaktorit Hamit Boriçi dhe, kur rrethanat kishin ardhur e qe bërë e mundur, ai kishte vendosur të më merrte në gazetë.

Kemi filluar njëherësh, në të njëjtën ditë me Pëllumb Sulon, ende sot gazetar në "Zëri i Amerikës", me të cilin njiheshim prej kohësh.

Unë korrespondent për zonën Lezhë-Mirditë, Pëllumbi për Shkodër-Pukë. Aso kohe “Bashkimi”, e dyta gazetë në vend, ishte e vetmja pas të parës “Zëri i Popullit”, që në përbërjen e redaksisë , përpos gazetarëve të brendshëm, të ndarë sipas sektorëve e rubrikave kishte edhe korrespondentët në rrethe, gazetarë aktivë e profesionistë, që ishin pjesë e redaksisë.

Rrethanat e kishin sjellë që disa gazetarë, mbas “colpo”-s (goditjes) që kishin marrë në kryegazetën e madhe, atë të Partisë, më pas i kishin degdisur në periferi jashtë Tirane për riedukim; kur i kishin rikthyer përsëri në Tiranë, tashmë të “riedukuar”, nuk i mbanin më te “Zëri…”po i përcillnin tek “Bashkimi”.

Njëri prej tyre ishte Mitro Çela, gazetar i një formati të spikatur e që për ne rishtarët ishte modeli…

Nuk e thashë që në krye se për tre muajt e parë unë e Pëllumbi do të ishim në provë dhe vetëm mbasi të mbaronte kjo periudhë atëherë mund të fillonim definitivisht punë në gazetë.

Natyrisht, një kohë impenjuese kjo për secilin prej nesh, e cila do të kërkonte një ritëm jo të zakontë e të zvargur, po përkundrazi të shpejtë e energjik, një periudhë kohe e bashkëshoqëruar edhe me emocionet e natyrshme të një gjendjeje të tillë, diçka e ngjashme me emocionet e gjendjeve studentore para provimit. Se, sigurisht, edhe kjo periudhë prove, një lloj provimi ishte, ndonëse njëra derë, ajo dera e madhe e redaksisë, si të thuash, ishte hapur.

Atë na e kishin hapur qyshkur na kishin pranuar për periudhën e provës. Veçse duhej merituar e ky ishte impenjimi.

Por do të gëzonim, pos të tjerash edhe favorin që do të mund të dilnim shumë me shërbime, pra të lëviznim më shumë…

Na thërret në zyrë kryeredaktori, prof. Hamiti, ngulur e përqendruar mbi shkrimet e hallakatura mbi tavolinën e madhe, i përqendruar, po njëherësh i qetë e me një ndjesi krejt butoshe që rrezatonte kurdoherë mirësi.

E kishim shkodran dhe të dy ndjenim një afërsi pak më speciale sipas arsyetimit tonë, afërsi të cilën e zinim shpesh në gojë në bisedat tona të atyre ditëve me Pëllumbin.

Kjo na bëri që njëzëshëm t’ia thoshim lirshëm dëshirën e kërkesën tonë se në shërbimin e parë do të donim të shkonim me Mitron.

Mirë, me Mitron shkoni- na tha pa u zgjatur kryeredaktori, me atë ëmbëlsinë e komunikimit të cilën ai e dhuronte me gjithsecilin bashkëbisedues, po që ne na dukej më e praruar edhe për motivin e sipërpërmendur.

Në Shkodër e pastaj edhe në rrethet e tjera në veri- i thamë njëzëri ne. –

- Mirë, me Mitron, dakort, - tha prof. Hamiti, - po pse në Shkodër, pse në veri?! Ju nga andej vini! E andej do të jeni prapë. E do të keni më pak mundësi të shkoni në jug. Prandaj unë mendoj se është mirë të shkoni në jug. 

Dhe ashtu ndodhi.

Dolëm të bindur nga zyra hijerëndë, siç mund të ishte zyra e kryeredaktorit e cila kontrastonte dukshëm me personin butosh e fisnik në krye të saj.

U nisëm me shërbim në jug, me Mitron udhëheqës e me Gugen (Astrit Alimehmetin) shofer.

Ndaluam në Lushnje e morëm Filip Çakulin, asokohe korrespondent i gazetës në Lushnje dhe vijuam udhëtimin e shërbimin. Në Fier, në Tepelenë, në Gjirokastër, në Sarandë…

Në jug, pra. Ashtu si e kishte arsyetuar Hamiti. Dhe e kishte arsyetuar drejt e me plot maturi. Mirë për gazetën, po edhe për ne gazetarët e ri mirë e kënaqshëm, gjithashtu.

Ndërsa mua s’më shqitet nga kujtesa urdhri i kryeredaktorit që tek ne vinte si një këshillë e butë e me ndjesi prindërore, më shumë se sa si urdhër.

Një aso këshille që i jepet birit a bijës, së cilit a së cilës i dëshiron më të mirën e mundshme që mendon për të...

E kujtoj shpesh këtë ndodhi të kahershme dhe e përmend edhe sot me emocion si atëherë. Edhe tashmë kur mosha më vë mua në pozitën e atëhershme të prof. Hamitit. Se nuk gjeje kollaj sjellje e mirësi të tilla aso kohe, kur... ndërmjet shefit e vartësit , zakonisht kishte më shumë drojë se mirëkuptim.

2) Mbledhja e redaksisë, e cila qe thirrur mbasdite zgjati deri vonë. Ashtu siç zgjatnin rëndom mbledhjet-analizë, kur thirreshin edhe korrespondentët e rretheve.

Unë me Pëllumbin që dëshironim të ktheheshim në Shkodër, shihnim orën, herë njëri e herë tjetri, nëse do të mund ta kapnim apo jo trenin e fundit. Ndonëse mund të qëndronim në Tiranë e të ktheheshim të nesërmen Nejse, dikur mbledhja mbaroi.

Dolëm. Teksa silleshim nëpër korridor duke shkëmbyer me njëri tjetrin biseda të shkurta a batuta humori para se të ndaheshim, Hamiti doli vetë në derë e na thirri të dyve.

- Ju po shkoni me Luanin në Shkodër - na tha. Ai do të shkojë në Shkodër sonte.-

Luani ishte shoferi i kryeredaktorit. Ne u stepëm, të gjendur përpara një propozimi që nuk ishte i zakontë, sidomos për ne që ishim rishtarë.

Më kujtohet se asnjëri nga të dy ne nuk foli. Nuk thamë asnjë fjalë.

Ai, duke parë hutimin tonë të çastit, si për ta përforcuar kumtin e parë përsëriti:

- Po po, shkoni me Luanin - dhe, pasi e pa se ne e kishim kapërcyer atë gjendjen e hutimit të fillimit, m’u kthye mua: - Hajde pak se kam me të dhanë një porosi për Myzaferin. - Dhe nxorri nga një sirtar i tavolinës një zarf e ma zgjati. - E din Myzaferi - më tha dhe ma la zarfin në dorë.

Myzaferi është vëllai i prof. Hamitit, me të cilin unë njihesha.

U takuam me të, të nesërmen paradite në Shkodër e ndërsa drejtoheshim për në kafe, nxora nga xhepi zarfin dhe…

- Ë, poo – nisi me të qeshur ai - gjithmonë i pari ky…- tha duke bërë me dorë nga zarfi, sikur kishte përpara të vëllanë e më pas më shpjegoi se në zarf ishte “kuota”për nënën.

Hamiti prej vitesh i dërgonte së ëmës një hise nga rroga e vet. Ky ishte rregull për të, qyshkur ajo kish mbushur moshën e pensionit. Dhe si vëllai i madh që ishte, ua kishte sugjeruar këtë rregull edhe tre të tjerëve...

* * *

Unë këto dy momente domethënëse përzgjodha nga shumë e shumë episode kësisoj që unë kam. Se nuk desha të përsëris ato që thuhen pa ja dá për të. Profesori, studiuesi, historiani, dekani e babai i gazetarisë... - vlerësime që i kanë bërë e i bëjnë shumë e shumë persona e institute. Nderime të pafund prej atyre që rasti a puna i ka njohur a takuar me “backgraund”-in intelektual e karrierën e gjatë të Prof. Hamit Boriçit. 

Dhe, besoj fort se kanë qenë me mjaft fat ata që kanë studiuar e mësuar prej tij, a kanë punuar me të. Por “nishanet”, siç emërton ai vetë me modesti serinë e kompletuar të gradave shkencore e nderimet e pafund me meritë, rrinë edhe më mirë në staturën e Hamitit – Njeri, që në hyrjen e pranverës rrumbullakon të nëntëdhjetat.

Mirëkuptues me to, po aspak i ndërvarur prej tyre. I freskët, i ripërtërirë.

Jo në linjë me vitet, po kundruall tyre. Si një sfidë e dhuratë e bukur!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco