Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

25-vjetori i ndarjes nga jeta, përkujtohet kineastja Adriana Elini, Xhajanka

25-vjetori i ndarjes nga jeta, përkujtohet kineastja Adriana Elini, Xhajanka

21:39, 24/01/2020
A+ Aa A-

Kineastja Adriana Elini, Xhajanka është përkujtuar paraditen e së premtes në një aktivitet të organizuar në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, në Tiranë, gjatë të cilit u shfaqën edhe tre filma dokumentarë nga krijimtaria e saj artistike.

Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Iris Elezi, u shpreh se dy nga filmat që shfaqëm sot “Fanfara e vogël” dhe “Çdo vijë një vizatim” fokusohet në botën e fëmijëve dhe Adriana Elini, me shumë zgjuarsi dhe urtësi ka krijuar nëpërmjet botëkuptimit të fëmijës një botë ku propoganda e asaj kohe nuk hyn aq thellë”.

Sipas Elezit, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nuk është duke punuar më për nostaligjinë,  tani duhet ta ristudiojmë me një sy të freskët kinamatografinë tonë, të mos shkojmë me legjendat e së kaluarës, por të mësojmë më shumë nga filmat dokumentar dhe t’i ruajmë ato si një pasuri e çmuar për brezat e ardhshëm, prej të cilave mund të mësojmë shumë”.

Në ceremoninë ku të pranishëm ishin miq, kolegë, kineastë e të afërt, i ftuar ishte edhe regjisori Kristaq Mitro, “Artist i Merituar” i cili u shpreh se, Adriana Elini në filmat që realizoi nuk u orientua nga tematika të mëdha, por bëri pikturën e bashkohësisë.

Image

 “Filmat e saj janë dëshmi e kohës kur ajo i realizoi. Ishte shumë elegante në trajtimin e detajeve. Në veprat kinematografike që realizoi ishte poete. Veçantia e filmave dokumentarë të Adrianës është se ato i rezistojnë kohës pasi përcjellin mesazhe jo vetëm për kohën kur janë realizuar, por edhe sot”, – tha Mitro.

Ndërsa Atalanta Pasko, publiciste, ish regjisore e montazhit, ndau me të pranishmit emocionet e kohës kur ka bashkëpunuar me Adrianën. Pasko tha se, “Elini është një emër i nderuar në radhët e regjisorëve shqiptarë, një artiste që d të kujtohet brez pas brezi për vlerat dhe artin që krijoj”.

“Veçoritë e kësaj krijuese spikatin në sensin për të fokusuar njerëzoren, të bukurën dhe atë që i shërben shoqërisë. Me vizatimin filmik të njerëzve të thjeshtë të talentuar dhe të dobishëm për shoqërinë. Shkollimi fillestar në pedagogji do ta ndihmonte regjisoren Adriana për t’u përqëndruar në “mësuesinë e kronikës filmike”, u shpreh Pasko.

Nga fundi i viteve 1960 deri në mbarimin e epokës së Kinostudios “Shqipëria e re”, Adriana bëri dhjetëra filma dokumentarë me metrazh të shkurtër, nëntëmbëdhjetë prej tyre të realizuara vetëm në vitet 1970.

Në kinemanë e AQSHF-së u shfaqën filmat dokumentar “Shtëpitë malore të pushimit” që është një vështrim i pushimeve të kaluara mes bukurisë natyrore të fshatit. “Çdo vijë një vizatim” që ndjek fëmijët kureshtarë gjatë një klase viziatimi, ndërsa “Fanfara e të vegjëlve” është vlerësuar si një dokumentari simpatik i vitit 1985, që dëshmon punën e një grupi të ri muzikor me vegla tunxhi dhe mësuesin e tyre të durueshëm.

Dokumentarët e Adriana Elinit kapin në celuloid një Shqipëri që prej kohësh nuk është më si në këto filma, përmes planeve të afërta të kamerës që fokusojnë punëtorë dhe fëmijë.

Image

Regjisorja e disa çmimeve në festivalet e filmit dokumentar, Adriana Elini-Xhajanka i përket brezit të regjisoreve që filluan punë në fund të viteve ’50, por ajo me pasionin e dashurinë për profesionin nga regjisore montazhi kaloi në regjisore dokumentari dhe për mëse tri dekada krijoi vlera në fushën e kinematografisë.

Ky aktivitet në përkujtim të krijimtarisë artistike të regjisores Elini, përkon edhe me 25 vjetorin e ndarjes nga jeta dhe për kolegët e pranishëm në këtë ceremoni, fakti që ajo kujtohet ende edhe sot tregon se ajo ishte e veçantë dhe një njeri që la mbresa kudo.

Adriana Elini-Xhajanka gjatë viteve të krijimtarisë së saj ka realizuar rreth 40 dokumentarë artistikë, reportazhe, kronika të ngjarjeve të kohës ku një veçori e saj ka qënë edhe trajtimi i filmit portret ndërmjet të cilit ajo ka “vizatuar” bashkëkohësit e saj.

BIOGRAFI

Adriana Elini u lind në Tiranë në 3 prill 1937 në një familje qytetare e shquar për idealet e vyera ndaj atdheut. Mbas arsimit të mesëm kreu në Tiranë Fakultetin e Histori -Gjeografisë dhe në vitin 1958 emërohet në Kinostudio fillimisht si regjisore montazhi. Në vitin 1967 Adriana ishte regjisorja e montazhit në filmin artistik “Horizontet e hapura” dhe më pas në filmin tjetër “Estrada në ekran”. Falë punës, përkushtimit, pasionit për filmin, në vitin 1968 realizoi filmin e parë si regjisore “Universiteti ynë”. Nga ky vit e nga ky film, për afro 20 vjet të tjera Adriana arrin të realizojë rreth 40 dokumentarë artistikë, reportazhe, kronika të ngjarjeve të kohës. Ndër filmat më të mirë të Adrianës mund të përmendim “Qylymat tanë”, “Art i lashtë, mjeshtër të rinj”, “Tokë e begatë”, “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, “Manush Alimani”, “Çdo vijë, një vizatim” – ky film u nderua me çmim për regjinë në Festivalin e VI të Filmit dokumentar, – “Kolë Idromeno” – nderuar me Çmim të Tretë në Festivalin e VII të Filmit Dokumentar, etj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco