Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

EMRI/ Ish- goleadori i Naftëtarit: Si më vunë prangat në komunizëm për një karton të kuq

EMRI/ Ish- goleadori i Naftëtarit: Si më vunë prangat në komunizëm për një karton të kuq

20:18, 19/01/2020
A+ Aa A-

Edhe pse shumë vite ka lënë pas, ajo ende ka mbetur si një plagë e hapur për të. Aleksandër Koçi tregon me dhimbje të pathënat e asaj ngjarjeje që i tronditi të gjithë, kur në dhomat e zhveshjes pas një ndeshjeje dy lojtarëve iu vunë prangat.

“E kam ende brengë, nuk e heq nga mendja, nuk e harroj”, thotë sot Aleksandër Koçi . Ish-lojtari tani është 54 vjeç dhe prej vitesh jeton në Greqi.

Një histori kjo e lidhur me goleadorin e shquar, protagonist absolut i Naftëtarit legjendar të saj periudhe, autorin e 62 golave me atë fanellë. Ishte një sulmues agresiv, shpërthyes, nuhatës e shënues, ndër më të dalluarit e Kategorisë së Parë. Nga Athina ku jeton, Sandër Koçi rrëfehet për gazetën dhe i rikthehet me detaje asaj mesdite:

“Nga fusha, prangat, gjyqi dhe dënimi si punëtor ndërtimi, vetëm se nuk tregova të vërtetën. Askush nuk më vinte në izolim, vetëm Flora Myrto, tifozja jonë, që më erdhi e më takoi”, kujton.

Pastaj rikthimi, golat spektakolarë në “Qemal Stafa” dhe shkëlqimi në sezonin 1982-’83, ndër goleadorët më të mirë.

INTERVISTA:

Sandër, ta fillojmë me karrierën. Si e nisët futbollin?

Në vitet ’70 luaja me të rinjtë e Naftëtarit, me trajner A. Mukavelatin. Më 1974, në Kuçovë erdhi Bejkush Birçe. Në një ndeshje kontrolli, skuadra e parë kundër të rinjve dhe ai më evidentoi. Më pas më tha që në janar do vish me ekipin e të rriturve, me idenë për të më transferuar te Partizani. Por në fund të sezonit ai shkoi në Vlorë dhe unë në Shkodër.

Pse në Shkodër?

Sapo mbarova maturën konkurrova për ILKF dhe trajneri Rreli më tha se do më merrnin me Shkëndinë. Por nuk isha përfshirë në lista. Nisur edhe nga dëshira e babait për t’u shkolluar, shkova në Shkodër, në Institutin Kimi-Biologji.

A luajtët me Vllazninë? 

Atje qëndrova tri vite, 1974-’77. Erdhi Birçja dhe foli me ata të Vllaznisë, por skuadra kishte lojtarë cilësorë dhe nuk kishte vend për mua. “Ose rri pa trajtim”, më thanë… Unë nuk pranova, sepse kisha nevojë për ndihmë ekonomike. Vetëm me pensionin që më dërgonte mamaja qëndroja. Si i ri, i panjohur, aktivizohesha vetëm me Institutin. Te Naftëtari u ktheva në 1977-ën, luajta deri në ’88-ën, kur shpërtheu revolta pas takimit Naftëtari-Dinamo, një ngjarje e treguar edhe nga “Panorama Sport”.

Vijmë te ndeshja me Tomorin.  Çfarë ndodhi aty?

Në Berat u nisëm për të fituar, sepse ishte edhe derbi, ndonëse do luanim pa Skuron, mungesë e rëndësishme për ne. Skuadrat kishin lojtarë që njiheshim e ruanin respekt për njëri-tjetrin. Para atij takimi kisha shënuar afro dhjetë gola. Isha në formë, edhe atje realizova golin e parë.

Çfarë ndodhi?

Pas golit të tretë të tyre, pra rezultati ishte 3-2, kishin mbetur jo shumë minuta lojë, kur afër kornes nga tribuna qendrore, nga ana e lumit, arbitri jep një faull për Tomorin. Ne protestuam, pasi besonim që ai nuk ishte faull edhe nga fakti se Sulejmani nuk shkaktonte ndërhyrje të parregullta.

 Si vazhdoi? 

Për t’i ardhur në ndihmë mbrojtjes, lë mesfushën dhe vendosem te shtylla e parë e pas meje ishte Hafëzi. Para se të ekzekutohet faulli, rrëmujë në zonë, njëri nga futbollistët tanë e fyen rëndë arbitrin, por emrin nuk e them. As në gjyq nuk e kam treguar. Ai e dëgjoi, e pa e ditur se cili ishte, ndërsa unë kthej kokën në mënyrë instiktive nga ai, arbitri vjen drejt meje dhe më nxjerr kartonin e kuq.

Si reaguat ju në atë moment? 

“Po gaboni, – i thashë dhe e tërhoqa me forcë nga fanella. – Nuk jam unë, pse më dënon?” Ai nuk foli, u largua në vijën fundore i rrethuar nga lojtarët tanë që po protestonin. Pas disa minutash e mblodha veten, dola nga fusha i shoqëruar nga Ismaili. Duke shkuar drejt dhomave të zhveshjes, vijnë dy policë më kapin prej krahu. Fatmir Ismaili i pa dhe iu lëshua me vrap i nervozuar policëve. Aty debatojmë dhe situata tensionohet. Pas pak, ai u kthye në portë dhe loja filloi, ndërsa mua më futën në një dhomë tjetër, jo tek ajo e skuadrës.

Ju vendosën prangat apo jo?

Pas pak vjen një drejtues policie, duke bërtitur: “Akoma e mbani këtu, pse nuk e lidhni?” “Nuk kam hekura me vete”, – iu përgjigj polici, një kuçovar që qëndronte me mua. Ai urdhëroi një tjetër që pasi mori prangat m’i vunë në duar. Ndërkohë loja mbaroi, kur shoh që vjen Ismaili, edhe ai i prangosur. Pastaj në mes të turmës që kishte rrethuar nga jashtë dhomat e zhveshjes, na nxorën dhe me një gaz 69 na dërguan në rajonin e policisë.

Për çfarë ju akuzonin? 

Kryetar i gjyqit u caktua një me mbiemrin Puka, pasi Uran Frashëri refuzoi. “Nuk vij, – pat thënë ai. – E kam parë ndeshjen dhe s’ka bërë gjë, nuk e marr në pyetje”. Para gjyqit vjen një hetues nga Kuçova, me fëmijët e të cilit njihesha nga e mesmja: “Ke ofenduar arbitrin, do dënohesh”, – më tha. “Jo, nuk është e vërtetë. Kush e ka sharë nuk jua tregoj, gjejeni vetë”, – iu përgjigja unë.

Pse kjo këmbëngulje për të mos treguar?

Me çdo kusht donin të dinin kush e kishte ofenduar arbitrin. “Një njeri do dënohet, por jo më shumë se një muaj, – i kishte thënë hetuesi djalit të hallës. – Prandaj, thuaj Sandrit cili është”. Më morën disa herë në pyetje, por me arbitrat nuk u ballafaqova kurrë, ndonëse atë muaj ata erdhën disa herë në Prokurorinë e Beratit.

 Cili ishte lojtari që kishte ofenduar arbitrin?

Ai ishte anëtar partie, këtë e dinin të gjithë. Do të ishte normale që ai vetë të deklaronte: “E kam ofenduar unë dhe jo Sandri”. Mendoj se duke qenë i angazhuar në parti, nuk do t’i bënin gjë. Ai nuk foli, as unë nuk e tregova.

 Si e kalonit ditën, ju vinin për t’ju parë?

Askush. Vetëm Flora Myrto, tifozja jonë, që erdhi në qelinë e komisariatit për të më parë. Punoja në ndërtim, në një pallat që po ngrihej në qendër të qytetit. Kalonin tifozë më shihnin, isha i qethur, i përshëndesja. Zona ishte e rrethuar me policë, por nuk thoshin gjë.

 E kujtoni gjyqin?

Para fillimit, një hetues më këshilloi: “Mos u nxeh, mos u nxito, sillu qetë dhe i përmbajtur”. Gjyqi u zhvillua brenda dhjetorit, para Vitit të Ri. As një orë nuk zgjati. Nga të gjithë që folën, kujtoj Sandër Prekën, arbitrin anësor, që iu drejtua trupit gjykues: “E doni të vërtetën, jua them unë: ai djalë nuk ka bërë asgjë”. Kështu edhe Rim Kovaçi, i marrë si dëshmitar: “Çfarë ka bërë Sandri? Pse e dënoni, apo se ka shënuar gola?” “Pusho ti, – i thanë, – se të futëm brenda”.

Ju dënuan?

Akuza ishte “Ka ofenduar arbitrin”. Më dënuan 1 muaj burg, koha e izolimit. Duhet të dilja më 6 janar, më nxorën që me 5 janar. Ishte e shtunë, një datë që nuk e harroj kurrë. Ishte mesditë, ora 15:00, i vetëm, askush nuk më priste. Një polic, ish-nxënësi im, më afrohet dhe më jep 250 lekë, merri t’i kesh për rrugë, bli ndonjë gjë dhe ik. Mendoni, pa flokë, ndërkohë dikush kishte njoftuar djemtë e dajës në Berat, se aty kam gjithë njerëzit e mamasë, erdhën dhe me autobusin e linjës u nisëm për në Kuçovë.

Është e vërtetë se në Kuçovë ju pritën si hero?

Lajmi kishte marrë dhenë, sa kur vajtëm në Kombinatin e Tekstileve, autobusi u bllokua nga njerëzit. Dola dhe kam ecur në këmbë, kur më vjen një automjet “FAP”, shoferi më njohu (nuk jeton, por ka djalin në Greqi me mua) dhe deri në Urën Vajgurore shkova me të. U futëm në një lokal sa të errësohej, ishte dimër. Nga autobusët e linjës, Kuçova ishte informuar se po vjen Sandri. Pastaj me një “Zuk”, i them shoferit: “Më dërgo në shtëpi”. Sa iu afruam Lapidarit, pashë qytetarë që kishin dalë e deri nga mesnata kanë qëndruar poshtë ballkonit tim.

Të nesërmen, çfarë ndodhi? 

Të nesërmen piva kafen e mëngjesit te lokali lart, kur vjen Sekretarja e Parë, S. Çuedari, dhe më takon. “Sandri mos u mërzit, kam marrë vesh gjithçka”, – më tha. Në mesditë ka qenë një takim për kupë, me vëllezërit shkova në stadium. Ngjarja kishte bërë bujë dhe i gjithë qyteti diskutonte se si një futbollist dënohej me burg. Stadiumi plot, u ngrit i gjithi në këmbë kur u futa. Një ndjesi dhe një emocion që nuk e kisha provuar asnjëherë. Unë isha edhe mësues, shumë i lidhur me nxënësit, familjet e tyre, njerëz të thjeshtë. Kisha bërë vetëm mirë duke i ndihmuar.

 FSHF ju dënoi, por ju ndërkohë ju kërkonte “Traktori”… 

Futboll nuk fillova menjëherë, pasi edhe FSHF-ja më kishte dënuar 6 muaj. Në qershor, kur skuadra shkoi në Divjakë për fazën përgatitore, më thonë: “Eja edhe ti, do përpiqemi të aktivizohesh…”. Por ishte e pamundur. Ndërhynë ata të Lushnjës dhe më kërkuan të shkoja te “Traktori”, duke më premtuar se e rregullojmë të luash me ne.

Pse nuk e pranuat propozimin? 

“Jo”, – u thashë. Nuk mund të luaja me skuadër tjetër, pasi në Kuçovë kisha shtëpinë, familjen, miqësinë, tifozët. Më duhej të prisja, më mbante shpresa. Dhe ashtu ndodhi. Fillimisht më thirrën në Drejtorinë Arsimore, më njoftuan të rikthehem në arsim. Jepja mësim në teknikumin e natës, shkolla e mesme “Myrteza Kepi”, lëndën e kimisë. Ndërsa si ndeshje kam luajtur në shtator, Luftëtari-Naftëtari, java e parë e kampionatit 1980-1981.

Riktheheni sërish si goleador në kampionat. Si shpjegohet kjo?

Isha i ri, 25 vjeç, kontakti me golin, entuziazmi, egoja, dëshira nuk më kishte humbur. Kam realizuar që në javët e para: një gol nga 30 metra në miqësoren 6-2 ndaj kombëtares dhe në Tiranë kundër Dinamos në kampionat, java e dytë, 4-2, dy golat i shënova unë. Ai sezon ka qenë i jashtëzakonshëm për mua. Futbollin e lashë 33 vjeç, pas skandalit Naftëtari-Dinamo.

E keni takuar më pas Bukovikun? 

Jo, kurrë, në asnjë rrethanë. Nga arbitrat, ruaj konsideratë për Kotheren, Priftin, Kukën etj.

Sa kohë keni kohë në Greqi? 

Nga 1995 jam në Athinë me familjen. Vajza është e martuar. Djali 25-vjeçar, kur ishte 13-vjeç futbollist e thirrën me kombëtaret shqiptare të moshave, shënoi edhe një gol. Por vetëm kaq. Vetë deri më 2012 kam punuar në një “Shtëpi Fëmije”, tani punoj në një supermarket. Në familje kemi edhe Rubion, qenin tonë besnik.

Koçi, keni luajtur me nr.7, pse? 

Duke qenë se Nasho Filin, ish-lojtarin e njohur të Naftëtarit, e kishim mik shtëpie, kur ai e la futbollin unë mora 7-ën e tij. Ky ka qenë motivi, që pas kaq vitesh më jepet rasti ta tregoj. /Panorama Sport

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco