Sot festa e Tre Mbretërve në Gjermani

Sot festa e Tre Mbretërve në Gjermani

12:46, 06/01/2020
A+ Aa A-

Ambasada gjermane në Tiranë njoftoi se sot është festa e Tre Mbretërve (Epiphany) në Gjermani. "Këngëtarë të rinj nga i gjithë vendi dalin sot nga shtëpitë e tyre, - thuhet në mesazhin e ambasadës në Fb. -  Ata janë kryesisht fëmijë dhe të rinj, të cilët mbledhin me kostumet e tyre para për bamirësi. Kjo është një traditë që daton në shekullin e 16-të."

“Historia e Mbretërve Dijetarë”

Duke shfletuar veprën e shkrimtarit të famshëm italian, Gabriele d’Annunzio, Vatikaninews ka publikuar rrëfimin simbolik: “Historia e Tre Mbretërve Dijetarë”.

“Nata ishte pa hënë; po fusha mbarë fekste nga një dritë e bardhë, si drita e hënës së plotë, sepse Hyjnia kish lindur;  e rrezet e dritës vërshonin mal më mal e luginë më luginë. Krishti Fëmijë qeshte ëmbëlsisht, me krahë të hapur drejt qiellit, si në adhurim; e kau e gomari e ngrohnin me frymën, që  bëhej avull në ajrin e ngrirë.  Zoja e Shën Jozefi herë pas here shkëputeshin për një çast nga kundrimi e përkuleshin për ta puthur kërthinin.

Ia behen, pastaj, barinjtë, nga fusha e nga mali. Ngarkuar me dhurata; e erdhën edhe Mbretërit Dijetarë. Ishin tre: Mbreti Plak, Mbreti i Ri e Mbreti Arap.

Si mbërrijti lajmi i mirë i lindjes së Jezusit u mblodhën bashkë.

E njëri tha:

- Lindi një Mbret tjetër. Do të shkojmë ta takojmë?

- Shkojmë, u përgjigjën të tre një zëri.

- Po  çfarë  do t’i dhurojmë??

- Ar, kem e mirrë!

E u nisën e ecën e udhës zunë të haheshin njëri me tjetrin, nga që nuk vendosnin cili nga të tre duhet t’i afrohej i pari Mbretit të ri e t’i vinte tek këmbët dhuratën.

I pari donte të ishte ai, që sillte arin. E thoshte:

- Ari vlen shumë më tepër se kemi, e mirra. Prandaj paria më takon mua, domethënë, arit...

Dy të tjerët, kundërshtuan sa kundërshtuan e më në fund u dorëzuan;  si mbërritën në shpellë, i pari hyri Mbreti i ngarkuar me ar.

U gjunjëzua tek këmbët e Foshnjës: e pranë tij ranë në gjunj edhe dy të tjerët, me kem e me mirrë.

Jezusi e mbështeti dorën njomzake mbi kokën e Mbretit, që i dhuroi arin, si të donte t’ia ulte kreninë. S’e deshi arin. Mori vetëm kemin e mirrën, e tha: - Ari nuk është për mua.

E fundi i kësaj historie mund të tregohet edhe në vargje:

...Ndodhi, pra mrekullia

Lulja e Marisë buloi,

Ushton sot melodia

Njerëzimi mbarë lulëzoi.

Atëherë, kënduan engjëjt;

Bota u tund nga kori:

Se erdhën  Baldasari,

E Gaspri e Melkiori!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco