Shpëtohet flamuri historik i Kongresit të Lushnjës, Stamati zbulon misterin e vetshkatërrimit Duke punuar për trajtimin e flamurit.

Shpëtohet flamuri historik i Kongresit të Lushnjës, Stamati zbulon misterin e vetshkatërrimit

10:58, 28/12/2019
A+ Aa A-

Restauruesit e flamurit të vërtetë të Kongresit të Lushnjës duket se ia arritën qëllimit: ata e shpëtuan degradimin e cohës prej mëndafshi pas një kohe shumë të gjatë pune dhe analizash shkencore e sipas profesorit të njohur, studiuesit Frederik Stamati, ai flamur do t’u trashëgohet brezave. Por, çfarë ishte kaq misterioze dhe e bënte aq të vështirë, restaurimin e atij flamuri, me rëndësi për historinë dhe brezat e ardhshëm?

Vetë Frederik Stamati, studiues në Akademia e Studimeve Albanologjike, e ka shpjeguar procesin e nisur më herët për të arritur deri tek lajmi i bukur që na dha sot:

“Vazhdon puna për restaurimin e flamurit të Kongresit të Lushnjës. Në foto, së bashku me Migena Dibrën, punonjëse e IAKSA, e cila ka në arkivat e veta flamurin, duke punuar për trajtimin e flamurit.

    Është shumë rezultativ bashkëpunimi edhe me punonjës jo të laboratorit, por që kujdesen për konservimin e objekteve, që të njihen me problemet, vështirësitë, koston e ndërhyrjeve,në mënyrë që të dinë më qartësisht se çfare ndodh me objektet gjatë ruajtjes dhe se çfarë duhet bërë.

    Dëmtimi shumë i avancuar që shihet në foto nuk ka ardhur si rezultat i keqtrajtimit të flamurit apo neglizhences në ruajtje, por është pasojë e teknologjive të përdorura në shekujt e mëparshëm për të rënduar mëndafshet me kimikate e për të rritur fitimet e prodhuesve, sepse pëlhurat e mëndafshta në ato kohëra shiteshin me kile.

    Është trajtimi kimik i bërë nga industria e atëhershme, që çon në shkatërrimin e pëlhurës së mëndafsht. E gjithë bota muzeale ka gjetur belanë me këta lloj mëndafshësh,që degradohen vetvetiu. Sado e vështirë situata, puna po ecën mirë dhe së shpejti do të keni rastin ta shikoni flamurin të ekspozuar pa probleme.”

    Ndërsa sot, prof. Stamati lajmëron:" Tani mund të themi se në flamurin e Kongresit të Lushnjës është ndërprerë procesi i vetshkatërrimit dhe se ai flamur do t'u trashëgohet brezave të ardhshëm. Për të arritur deri në këtë fazë është punuar për një kohë shumë të gjatë. Duhej kuptuar se ku ishte gjendja dhe se çfarë po ndodhte.

    Nga analizat ka rezultuar se ky mëndafsh bën pjesë në llojet e prodhimit më të keq, falë ndërhyrjeve kimike të industrisë tekstile të asaj kohe.
    Janë kryer analiza të shumta në institucionet shkencore të vendit tonë dhe në institucione shkencore tepër të specializuara të Evropës.

    Fotoja bardh e zi, e marrë me mikroskop elektronik, tregon se si janë thyer vetvetiu fibrat e mëndafshit. Pra, kjo është gjendja reale mbi të cilën po punojmë dhe jo ajo e kuqja, në të cilën syri nuk e kap dot situatën.”

      © SYRI.net

      Lexo edhe:

      Komentet

      Shto koment

      Denonco