Ndihmat për të prekurit nga tërmeti/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit transparencë me qytetarët që kontribuan

Ndihmat për të prekurit nga tërmeti/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit transparencë me qytetarët që kontribuan

19:56, 11/12/2019
A+ Aa A-

Nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit:

Miq, mbështetës të Aleancës, dy javët e fundit kanë qenë një sprovë e vështirë për të gjithë qytetarët e Tiranës, Durrësit, Krujës, Thumanës, Bubqit, e të gjithë qytezave dhe fshatrave përreth nga Lushnja e deri në Lezhë e deri në Malësinë e Krujës, dhe për të gjithë Shqiptarët kudo ndodhen.

Gjendur në këtë fatkeqësi të rëndë, sheshi i Teatrit si infrastrukturë e mobilizuar aktivistësh dhe qytetarësh, që prej thuajse dy vitesh pa ndërprerje, e vuri këtë energji në shërbim të ndihmesës së menjëhershme të njerëzve në nevojë në kushtet e një krize të rëndë humanitare.

E pamundur që kauza e Teatrit të mos i bashkohej këtij apeli kombëtar, dhe prandaj vumë në dispozicion gjithçka kemi mundur, nga aktivistët, ambientet që ruhen dhe administrohen 24 orë, të gjithë rrjetin e lidhjeve tona miqësore e shoqërore, të gjithë rrjetin e mundshëm të organizatave të shoqërisë civile, të gjithë ekspertizën profesionale të rrjetit të Aleancës, gjithçka kishim.

Qytetarët e Tiranës e vlerësuan këtë akt, në fakt mësuam që e kishin vlerësuar prej shumë kohësh sakrificën tonë, dhe mbi 15 mijë persona zgjodhën Teatrin që t`i depozitonin të mirat e tyre materiale, të holla, dhe një fjalë të mirë për ta përçuar te njerëzit në nevojë.

Ky vërshim solidariteti na mobilizoi 24 orë dhe me një angazhim në limitet e mundësive tona fizike kemi arrritur të mbulojmë rreth 100 destinacione në nevojë, me mjetet tona, me njerëzit tanë, me mbështetësit tanë.

Aktivistët e Aleancës kanë qenë shumë të vemendshëm për të gjithë hyrje-daljet nga godina e Teatrit, duke verifikuar në më shumë se një herë për çdo destinacion të sinjalizuar nga terreni, duke dërguar njerëzit tanë, dhe vetëm atëhere janë nisur ndihma në destinacione, shoqëruar gjithmonë me nga një pjesëtar të Aleancës.

Sigurisht që besimi ka qenë motorri i lëvizjes për këtë makineri njerëzore prej 200 aktivistësh, duke mos hezituar në asnjë moment për të ndërtuar partneritet me individë, organizata dhe biznese ; nuk jemi kursyer as me titullarë institucionesh, sepse solidariteti i menjëhershëm ka qenë kanoni, të tjerat me rëndësi dytësore.

Shumë të tjerë, në pamundësi për të qenë në Shqipëri, nëpërmjet të afërmve, gjetën si të vetmen formë të kontributit të holla. Të hollat nuk janë marrë si të holla, por janë parë si një instrument për t`i garantuar shqiptarëve në nevojë atë që mund të ishte më e dobishme në kushtet e emergjencës, dhe prandaj zgjodhëm që paratë e mbledhura t`i përdornim për t`u dhënë strehë të përkohshme familjeve më në nevojë disa strehë-konteniere, ku janë përzgjedhur me kujdes familje në zonat më të goditura, me të moshuar dhe fëmijë, falë dhe sondimit kapilar të aktivistëve tanë në terren.

Tani që pas dy javësh, emergjenca ka kaluar, ne u detyrohemi atyre që kanë dhënë kontribute në të gjitha format dhe publikut të gjerë, që të ndajmë me ta informacion, në respekt të transparencës dhe besimin që kanë investuar te ne :

1. Më së pari, Aleanca nuk hapur asnjë numër llogarie të posaçëm për rastin e tërmetit, dhe nuk ka bërë thirrje për të holla, por ka bërë thirrje për ndihmë. Llogaria e Aleancës ka qenë dhe është e hapur dhe lidhur direkt me “Festivalin për Mbrotjen e Teatrit”, dhe nuk kemi orientuar para për te kjo llogari, kjo ka ndodhur në vetëm një rast përjashtimor, kur këtij kontributi në llogari i është bashkangjitur etiketa “për tërmetin”, pra tërësisht të diferencuar nga mbështetja për Festivalin për Mbrotjen e Teatrit. Për të interesuarit ne kemi të printuar deklaratën e lëvizjeve bankare për Nëntorin dhe Dhjetorin, e aksesueshme për këdo.

2. Kontributorët, kanë qenë kryesisht nga rrethi i njerëzve të njohur të aktivistëve të Aleancës, shumë miq, biznese, individë përkrahës të kauzës, i kanë sjellë të hollat fizikisht, dhe mbledhur në një listë, por ka patur dhe njerëz që nuk kanë dashur kurrsesi të lënë emrin, dhe në tabelën përshkruese ky zë është lënë më vete, të gjithë kontributorët e tjerë janë të listuar me emër, mbiemër, dhe shumën përkatëse.

3. Teatri nuk ka qenë për asnjë moment depozitë as ndihmash dhe parash, por thjesht si infrastrukturë mbështetëse, një medium, një infrastrukturë lidhëse mes kontributorëve dhe qytetarëve në nevojë; gjithçka është transportuar për në destinacion, me aq shpejtësi sa kemi mundur dhe të gjithë të hollat janë projektuar për t`u garantuar për kontenierë strehimi banorëve më të goditur. Asnjë qindarkë nuk mbetet në Teatër.

4. Të hollat e grumbulluara janë administruar gjithmonë kolektivisht, të dokumentuara me proçesverbale, ku kanë firmosur gjithmonë 3 pjesëtarë të Aleancës në formën e një komisioni verifikues, dhe këto dokumenta janë lehtësisht të verifikueshme.

Së fundi, duke respektuar mendimet e njerëzve që na përmendin ligje që nuk e njohin këtë formë të vullnetarizmit, apo të aktivizmit në kushte të jashtëzakonshme, u kujtojmë që aktivistët e Aleancës kanë dorëzuar ndihma te strukturat shtetërore ku aty nuk ka patur asnjë individ me një dokument apo proçesverbal në dorë që të regjistronte ndihmat që vinin, apo të dallonte materialet që depozitoheshin nëpër ambientet e kampeve të ngritura, me këtë logjikë çdo individ i lirë, i cili ka vënë dorën në zemër dhe ka kontribuar drejtpërdrejtë te një familje në nevojë, gjendet në një situatë të improvizuar, megjithatë familja në nevojë nuk është më në qiell të hapur.

Aleanca vë në dispozicion për kontributorët, për informimin publik, çdo individ të interesuar, të gjithë dokumentacionin e prodhuar nga puna monitoruese e jona. Kemi besuar te puna horizontale, kolektive që ditën e parë, në transparencë të plotë me shtetin dhe publikun.

Më poshtë gjeni dokumentin e bashkangjitur, ku prezantohet pasqyra e fondeve në hyrje dhe dalje, të ndara në disa zërat përkatës.

Shumë shpejt do të keni të dhënat për tonazhin, numrin e kamionëve, makinave, fshatrat, qytetet, qytezat, çdo zonë të mbuluar, në respekt të transparencës, por dhe për t`i ndërgjegjësuar qytetarët për përmasat e kësaj vepre, e prodhuar nga vetë ne për të ngjashmit tanë.

Një faleminderit e madhe për mbështetjen, të gjithë bashkë për një Shqipëri të begatë.

Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco