Gazetarët e luftës në mediat më të mëdha protestojnë fuqishëm kundër Nobelit për Handken

Gazetarët e luftës në mediat më të mëdha protestojnë fuqishëm kundër Nobelit për Handken

11:43, 11/12/2019
A+ Aa A-

Emra të njohur botërisht ndër korrespondentët e luftës dhe dëshmitarë të krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviçit i janë bashkuar Kosovës e Shqipërisë në indinjatën kundër dhënies së çmimit Nobel në letërsi shkrimtarit austriak Peter Handke, përkrahës i ‘kasapit të Ballkanit’. Korrespondentë lufte nga Christiane Amanpour te Jeremy Bowen kanë protestuar duke treguar histori të ankthshme nga konflikti në ish-Jugosllavi.

Shkrimtari boshnjako-suedez Adnan Mahmutoviç, i cili organizoi protestat e mbrëmshme në kryeqytetin suedez Stockholm, tha se në Suedi ka pasur një reagim të fuqishëm negativ karshi fitores së Handkes.

‘Ne shpresojmë që zërat tanë të na ndihmojnë për të nisur një dialog rreth pasojave të mohimit të vazhdueshëm prej dekadash të gjenocidit. Gjenocidi nuk është një ngjarje, por një proces, faza e fundit e të cilit është mohimi. Ne nuk mund të lejojmë që trashëgimia e Nobelit ta legjitimizojë atë’, tha Mahmutoviç.

Image

Javën e kaluar, Peter Englund, anëtar i Akademisë Suedeze, e cila zgjedh fituesin, njoftoi se do ta bojkotonte ceremoninë, duke u shprehur: ‘Festimi i çmimit Nobel për Peter Handken do të ishte një hipokrizi e shpifur nga ana ime’. Të martën, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e sulmoi Handken në televizion, duke thënë se ‘Nobeli nuk ka vlerë... t'i japësh çmimin Nobel në letërsi, në Ditën e Të Drejtave të Njeriut, një figure që mohon gjenocidin në Bosnjë e Hercegovinë është njësoj si t’i japësh çmim dhunimit të të drejtave të njeriut. Edhe ambasadori i Turqisë në Suedi, Hakki Emre Yunt, bëri të ditur se nuk do ta ndiqte ceremoninë.

‘Unë isha atje. Ne të gjithë e dimë se kush është fajtor’, shkruan Amanpour, kryeredaktore e seksionit ndërkombëtar të CNN, e cila mbuloi luftën si reportere e re në atë kohë.

‘Kolegët e mi, gazetarët e luftës në Bosnjë, janë të indinjuar, ndaj po postojmë punën tonë për t’i kujtuar botës çfarë ndodhi atje. Kurrë mos harroni!’, shkruan korrespondentja e jashtme e Newsweek Janine di Giovanni, gazetare dhe autore fituese çmimesh, reportere në linjën e frontit në shumë konflikte kudo në botë. ‘Në Sarajevë, shkoja në morg dhe numëroja të vdekurit: fëmijë, gra, ushtarë, tmerre që një luftë e padrejtë i kishte shtrirë mbi barela. Ato çka pamë unë dhe reporterë të luftës në Bosnjë si unë ishin sulme të pafund kundër civilëve. Genocid. Ju lutem, ngrijeni zërin kundër marrjes së çmimit nga Handke’.

Redaktori i BBC për Lindjen e Mesme, Jeremy Bowen, shkruan: ‘Unë raportova për të gjitha luftërat në Jugosllavi. Kam parë krime monstruoze. Më pas dëshmova në gjyqet për krimet e luftës, përfshirë ato kundër liderëve serbo-boshnjakë Karaxhiç e Mladiç’.

Image

Ish-korrespondentja e jashtme e New York Times, tani drejtore komunikimi në Human Watch, Emma Daly thotë se ‘nuk do ta harrojë kurrë ecjen rreth varreve masive që mbanin qindra burra e djem, të cilëve iu ishin lidhur sytë, vrarë e varrosur në arat pranë Srebrenicës. Ne e dimë që Millosheviç ishte përgjigjës’.

Roger Cohen i New York Times, i cili poston linkun e një artikulli të tij të vitit 1994 për një kamp përqendrimi serb, shkruan: ‘Turp për Komisionin e Nobelit dhe Mbretin e Suedisë për dhënien e çmimit Nobel në letërsi Peter Handkes, i cili e quan gjenocidin në Bosnjë një mit’.

Gazetari Peter Maass, të cilit Handke i tha të premten se pyetjet e tij për masakrën e Srebrenicës ishin ‘boshe dhe injorante’, shkroi në Twitter se trashëgimia e familjes mbretërore suedeze, e cila i dha çmimin austriakut, do të jetë që ata ‘vlerësuan një mohues të gjenocidit’.

Handke pretendon që myslimanët e inskenuan masakrën e tyre në Sarajevë dhe fajësuan serbët, duke hedhur hije dyshimi edhe mbi masakrimin e mijëra myslimanëve në Srebrenica më 1995. Në një esè për gazetën franceze Libération më 2006, ai shkruante: ‘Boll e krahasuam Slobodan Milosheviçin me Hitlerin… dhe le të mos e përdorim kurrë më shprehjen ‘kampe përqendrimi’ për kampet e instaluar gjatë luftës në Jugosllavi’.

Gazetarët që mbuluan luftën në Bosnjë ndërkohë kanë protestuar fitoren e Handkes duke treguar çfarë panë gjatë konfliktit duke përdorur hashtag-un #BosniaWarJournalists.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco