Një pyetje (jo) e çuditshme

Një pyetje (jo) e çuditshme

12:46, 25/11/2019
A+ Aa A-

Nga Mehmet Elezi/

Pyetja vjen nga një mik i fb.

Thotë se nuk jeton në Shqipëri dhe libri “Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit” s’i ka rënë në dorë. Pyet pse “lavdërohet Kanuni”, për të cilin “s’kemi dëgjuar fjalë të mira”? Lutet me ia shtjellue me pak fjalë ç’të reja sjell ky libër.
Një profesor i Harvardit, me prejardhje hebreje, tregoi gjithashtu interes për librin, botim i dytë i plotësuar. Shkrova për të një përmbledhje të shkurtë, një faqe kompjuterike.
Po e përcjell në vend të përgjigjes për mikun e fb dhe për cilindo të interesuar.

-------------

“HEBRENJTË DHE REPUBLIKA E KANUNIT”

Ky libër nuk sjell fakte të reja. Ai bën interpretime të reja.

Të dhënat e derisotme tregojnë se gjatë Luftës së Dytë Botërore në një Shqipëri me një milion banorë janë shpëtuar 3.240 hebrenj. Matematikisht është sikur në Francën me dyzet milionë të ishin shpëtuar 130.000. Në Shqipëri u mbrojtën hebrenjtë vendas dhe ata që erdhën nga jashtë. U mbrojtën nga shqiptarët e të gjitha trevave; të të gjitha klasave; të të gjitha feve e bindjeve politike, përfshi ata që njihen si kolaboracionistë. Pas luftës numri i hebrenjve në vend ishte disa herë më i madh se para luftës.
Është rast unik në vendet e pushtuara nga nazizmi.

Disa që e kanë trajtuar çështjen, e kanë shpjeguar me Besën - fjalë shqipe e papërkthyeshme në gjuhët e tjera. Në thelb të Besës është mbajtja me çdo çmim e fjalës së dhënë.
Disa e kanë argumentuar me Kanunin - kodi i lashtë dokesor i shqiptarëve. Kanuni mbështetet fort te nderi, në thelb të tij është demokracia. Primitive, por gjithsesi demokraci. Kanuni ka shërbyer si kushtetutë, kod penal, kod civil, kod etik, edhe si libër protokolli. Ka funksionuar pa ndihmën e një aparati shtrëngues, si policia. Ka qeverisur shoqërinë shqiptare si pushtet paralel, duke sfiduar ligjin e pushtuesve.
Në libër argumentohet se shpjegimet me Besën dhe Kanunin janë të drejta, por jo të plota. Autori bën prerje në thellësi të strukturës shpirtërore të shqiptarëve, të filozofisë dhe moralit tradicional.

Libri ngrihet mbi dy shtylla të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

1. Hebrenjtë në “Republikën e Kanunit” (hapësirat shqiptare). Prania e tyre dëshmohet qysh në shekujt e parë pas Krishtit. Në toponime; në sinagoga; në legjenda; në këngë të moçme; në doke; në dokumente. Hebrenjtë kanë jetuar përherë në harmoni me vendasit. Janë integruar në shoqërinë shqiptare. Kanë kontribuar për zhvillimin e saj.

2. Bota e “Republikës së Kanunit”. Në libër argumentohet se Besa dhe Kanuni nuk janë “fëmijë të vetëm” në një familje vlerash. Në të njëjtin truall kanë spikatur edhe vlera të tjera të ngjashme. Ato i kanë rrënjët në kohët homerike dhe janë përcjellë gjatë shekujve, pa u tjetërsuar. Filozofia e përbashkët e tyre është mbrojtja e jetës së njeriut. Kjo përputhet me filozofinë e Biblës “Zot i mbron të pambrojturit”.

Autori bën një vështrim krahasues të këtyre vlerave. “Ndorja”, “Ndorejeta” (“amaneti”), “Miku” kanë të njëjtën ADN si Besa. Më tej: harmonia ndërfetare; respektimi i pakicave kombëtare dhe i pakicave të tjera; nderimi i gruas deri në hyjnizim (vetëm prifti dhe gruaja nuk vriten për gjakmarrje!); përkushtimi ndaj fqinjit; trajtimi me respekt i trupit të armikut të vrarë; trajtimi njerëzor i kafshëve shtëpiake.

Kanuni ka dalë prej këtyre vlerave, i ka kodifikuar. Gjatë udhëtimit nëpër histori, Kanuni dhe këto vlera kanë ushqyer e fuqizuar ndërsjelltazi njëri-tjetrin.

Parimet themelore të Kanunit vlerësohen edhe sot. Në Kanun të gjithë njerëzit janë të barabartë, gjaku i shërbëtorit është i barabartë me gjakun e princit; Kanuni nuk njeh klasa; nuk njeh raca; prona private është e patjetërsueshme; liria e individit e pacenueshme. Organi më i lartë vendimmarrës nuk është princi, është mbledhja e popullit. Në Kanun arma është mjet i fundit për zgjidhjen e konflikteve, kultura e negociatave dhe falja janë të parat. Parime të tilla përshkojnë edhe kartat e Të Drejtave të Njeriut.

Ciklin jetëgjatë të Kanunit e mbyll përfundimisht shteti ligjor.

Ky kontekst ka frymëzuar dhe garantuar mbrojtjen e hebrenjve.
Këto vlera kanë mbetur pak të njohura për shkak të rrethanave historike. Pas Luftës së Dytë Botërore izolimi pesëdhjetëvjeçar nga diktatura i fundosi në terr. Makina propagandistike i pasqyroi të shtrembëruara, i nxiu.
Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit është vepra e parë që rreket me shpjegue në thellësi mbrojtjen e hebrenjve.
Sprovë (ese) e shkruar lirshëm. Ka qindra referenca nga burime e autorë shqiptarë dhe të huaj.

25 Nëntor 2019

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco