Vijon jeta artistike te Teatri Kombëtar/ Sot në mbrëmje 'Ashensori' i Harold Pinter

Vijon jeta artistike te Teatri Kombëtar/ Sot në mbrëmje 'Ashensori' i Harold Pinter

16:26, 24/11/2019
A+ Aa A-

Më mrekullonte shkrimtari Pinter, por më vriste politikani Pinter. “Ashensori” – i shkrimtarit Pinter – guximshëm kishte zbritur në bodrumin e shpirtit të njeriut dhe po aq guximshëm synonte piramidën, majën, Zotin. Politikani Pinter kishte organizuar demonstrata (“Demonstrata Nacionale”) në Londër kundër bombardimeve të NATO-s, e cila u hodh në mbrojtje të civilizimit duke i mbrojtur shqiptarët…”.

Me këto fjali e përshkruan një regjisor shënimin e tij për Harold Pinter, duke ndarë/ bashkuar shkrimtarin e njeriun. Një shkrim i “The Guardian” në shkurt të këtij viti e shkruan se shfaqja tregon se të dy personazhet e kanë të qartë që janë pjesë e hierarkisë së terrorit, duke shtuar edhe se ajo bëhet rrugës, edhe një shfaqje që projekton frikërat dhe dëshirat më të mëdha në figura fantazie.

Pas vënies në skenën e teatrove të Maqedonisë së Veriut, shfaqja “Ashensori për Kuzhinë” do të shfaqet këtë të diel në Tiranë, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar, atë që artistët e ruajnë nga shembja. Ajo ka regjinë e Mentor Nuredinit, i cili bashkë me aktorin Ylber Murtezi luajnë 2 rolet e saj.

SHFAQJA

“Ashensori për Kuzhinë”, vepra e dytë me radhë njëaktëshe e Harold Pinterit është shumë më komplekse se sa cilido skeç i shfaqur, por edhe më e drejtpërdrejta dhe “transparentja” se sa cilado dramë tjetër e shquar dhe gjithashtu një pjesë shumë e rafinuar dhe relaksuese. Mistifikimi është i kontrolluar, ndërsa dera e hapur më shumë kah komedia. Mënyra e lojës buron nga Beketi dhe nga varieteja. Mund të vërehet ndikimi i Beketit. Vendi i ngjarjes i njëkatëshes “Ashensori për Kuzhinë” është një dhomë bodrumi pa dritare në të cilën gjenden dy burra – Ben dhe Gas. Pinter nuk i zbulon personazhet e tyre, por gjatë veprimit dramatik dhe dialogut, zbulohet se ata janë dy vrasës me pagesë që janë në pritje të urdhrave për të kryer detyrën e tyre dhe identitetin e tyre e tregon vetëm se veprimi i tyre.

Kështu, Pinter nuk u jep shikuesve ndonjë informacion shtesë nga ata personazhet vetë i zotërojnë dhe në një qasje të tillë mund të ndjehet “një egërsi” artaudike (Antonin Artaud përfaqësues i “Teatrit të vrazhdësisë”). Beni është shtrirë në shtrat dhe lexon gazetën, ndërsa Gasi ecën nëpër dhomë me nervozizëm dhe shkon në tualet, ku kazani është i prishur. Gasi flet pa pushim, Beni i përgjigjet atij dhe komunikojnë njëri me tjetrin. Ben lexon me zë artikuj me tema nga më të mizershmet: Për një plak të cilin e ka shkelur kamioni, një djalë që ka vrarë macen dhe ka akuzuar motrën e tij.

Gasi pyet për llojin e detyrës të cilën do ta kryejnë dhe qytetin ku ndodhen. Për detyrën ende nuk dinë, por Ben tregon se janë në Birmingam. Derisa presin urdhrin nga organizata për të cilën punojnë, poshtë derës shfaqet një zarf. Gas hap derën për të parë kush e solli, por aty nuk është askush. Në zarf ka shkrepëse. Vendosin t’i përdorin për të ndezur gazin dhe debatojnë për atë se cila shprehje përdoret “ndize çajnikun” apo “ndize gazin”. Tensioni dramatik, i sforcuar nga dhuna si dukuri e rrjedhshme natyrore e luftës për dominim, ashpërsohet deri aty sa të dy personazhet luftojnë furishëm duke i kthyer goditjet njëri-tjetrit si boksierët e trajnuar, sa herë që sistemi i vlerave të tyre ndeshet me sfida. Konflikti buron nga fakti se peshoret e tyre, sistemet e vlerave, janë plotësisht të ndryshme. Beni pa sqarime i zbaton urdhrat e autoriteteve, i mishëruar në organizatën, e cila i dërgon, ndërsa Gasi i shqyrton.

Ashensori për kuzhinë shkon lart e poshtë, duke sjellë porosi të shënuara për ushqim, por dy burrat nuk munden t’i sigurojnë. Beni dhe Gasi përgatiten për vrasjen që duhet të kryejnë. Gasi largohet nga dhoma duke iu përgjigjur urdhrit, ndërsa Beni është urdhëruar që të qëllojë personin e parë që hyn në dhomë. Ai e thërret Gasin: ata kanë rregullat e tyre. Ben drejton armën nga dera gati për të qëlluar dhe në derë paraqitet Gasi. Të dy burrat shikojnë njëri-tjetrin. /GSH

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco