'Festivali “KÇK” u katandis në dasmën e azilit të pleqve Grabocka dhe Ciko!'

'Festivali “KÇK” u katandis në dasmën e azilit të pleqve Grabocka dhe Ciko!'

09:41, 17/11/2019
A+ Aa A-

Nga Enis Mullai - Profesor në Universitetin e Arteve

Gjithçka u kuptua kur në portalet e ndryshme u përfol se festivalin e 58 në RTSH do ta menaxhonte Vera Grabocka. Muajt kaluan dhe data 15 shtator erdhi shpejt.

Kjo datë ishte vendosur për mbledhjen e materialeve, këngëve, por që mesa duket njerëzit “e piketuar” që do të ishin pjesë e saj ishin me pushime dhe nuk ishin gati.

Kështu, kjo datë u shty për në datën 1 tetor.

Më 1 tetor u dorëzuan rreth 50-60 këngë në mënyrë administrative duke u mbushur formularët dhe duke u dorëzuar CD-të përkatëse si dhe në formën virtuale, duke u dorëzuar përsëri me një procedurë të tillë.

Përsëri në këtë proces dorëzimi këngësh, asnjë këngë që ishte “porositur” nga “klani” drejtues nuk ishte dorëzuar.

Pas datës 1 tetor, kaluan disa javë dhe më në fund u dëgjua se do të mblidhej komisioni përzgjedhës.

Gjatë kësaj hapësire heshtjeje, uzurpatoret e Klanit futën duart në Kushtetutën e Festivalit, pra ndodhi ajo që në 57 vite jetë të këtij institucioni(festivali) mezi dhe me shumë luftë ishin vendosur këto standarte.

Me qëllim të qartë për ta shkatërruar këtë festival dhe për ta kthyer në një “KÇK” pra “kap ç’të kapësh” u lejua:

1) Të marrin pjesë kompozitorë me shtetësi të huaj. Imagjinoni që shqiptarët do të paguajnë për bullgarë, rumunë,australianë etj. Mund të ndodhë kjo psh. në Sanremo?!

2) Kompozitorë me më shumë se sa një këngë në konkurrim.

3) Vetë producenti muzikor i festivalit të jetë edhe drejtues, dhe vetë kompozitor pjesëmarrës në festival.

Dita e mbledhjes së komisionit erdhi dhe më pas u mor vesh që në komision bënin pjesë:

Dorian Cene - pedagog, kompozitor. Një muzikant jashtë rretheve të interesit në gjininë e këngës, një kompozitor jashtë linjave orientuese dhe imponuese të “klanit” drejtues së festivalit.

Soni Malaj- këngëtare me eksperiencë në tregun shqiptar. Një personazh i spektakleve të Vera Grabockës.

Zhani Ciko- muzikant.

Duke qëndruar te juria kuptohet qartë: ndarja është bërë 2:1; u është dashur një zë kundër dhe një profesionist teknik i fushës që në këtë rast është Dorian Cene në cilësinë e kompozitorit; dhe dy pjesëtarët e tjerë të jurisë Malaj dhe Ciko kanë bërë shumicën vendimarrëse.

Proceset teknike që ndërtojnë një këngë janë: kompozicioni,teksti, arranzhimi dhe orkestracioni, interpretimi, dhe në fund gjithë produksioni muzikor.

Soni Malaj kuptohet që në këtë juri është në vendin e saj sepse është interprete, këngëtare.

Dorian Cene gjithashtu është në pozicion korrekt sepse është kompozitor.

Po tekstin kush do ta vlerësonte në këtë komision?

Po arranzhimin dhe orkestracionin, kush do ta vlerësonte?!

Pyetja tjeter është: po Zhani Ciko, çfarë përfaqësonte në këtë komision?!

Unë kam një mendim dhe opinion timin:

Zhani Ciko njihet si Superman i muzikës shqiptare! Kudo ku ka spektakle, organizime me muzikë, jurira të këtij lloji ku “therren” njerëz, festa ambasadash, kur transmetohet Sanremo dhe duhet një përkthyes; mos të çuditemi ndonjë ditë kur ta shikojmë Cikon të luajë si sulmues me fanellën e Kombëtares Shqiptare.

Ciko është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë ndër vite të Grabockës kur festivali ishte playback. Ishte koha kur tjetër njeri regjistronte këngën në studio, dhe tjetër njeri dilte në skene etj.... dhe “rastësisht” është ky njeri është kryetar komisioni këtë herë në festival.

Por ne thelb, muzikanti Ciko, çfarë profesioni ka që duhet të jetë në këtë komision për të analizuar dhe vlerësuar këngët?!

Dhe Ciko me listën e këngëtarëve në xhep dhe me telefonin në vesh, gjatë orëve të qëndrimit mbyllur në një nga sallat e RTSH, bënte zëdhënësin me informacionin dhe urdhërat që jepte Grabocka.

Pas disa orësh, lista u plotësua me emra këngëtarësh, ku shumica nuk kishin dorëzuar këngët ende.

Këngë inekzistente, këngë të regjistruara me telefon apo qoftë dhe instrumentale të shkarkuara në internet, u bënë fituese për të marrë pjesë në festival, me imponimin e Grabockës dhe manipulimin e Cikos.

Ky festival do zhvillohet ashtu si janë zhvilluar dhe 57 festivale të tjerë në RTSH, por këtë vit ndryshimi i vetëm është që kanceri me emrin Grabocka dhe tumori me emrin Ciko e minuan dhe e shkatërruan këtë institucion të ndërtuar me gjakun dhe sakrificën; punën dhe vuajtjet, terrorin, persekutimin dhe internimin e shumë artistëve, këngëtarëve dhe kompozitorëve ndër vite.

Ky është festivali i Çesk Zadesë, Tonin Harapit, Tish Daisë, Ferdinand Dedës, Robert Radosë, Shpëtim Kushtës, Feim Ibrahimit, Aleksandër Peçit, Diana Ziut, Flamur Shehut etj... dhe këtë vit do të mbushte 58 vite.

Ky është festivali i Vaçe Zelës, Tonin Tërshanës, Luan Zhegut, Irma Libohovës, Manjola Nallbanit, Aurela Gaçes, Aleksandër Gjokës, Ardit Gjebresë, Elton Dedës e shumë të tjerë ndër vite.

Ky nuk është festivali i injorantëve dhe i mediokërve.

Ky nuk është festivali i drejtorëve që jetojnë ende nëpër shpella dhe sillen si arinj; nuk është festival i drejtoreve që për hir të detyrës që kanë, marrin stilolapsin dhe prishin, firmosin e ç’firmosin rregulloren sipas interesave duke mos pyetur asnjë grup interesi artistësh, të cilët e kanë themeluar e të tjerë artistë e trashëgojne deri më sot.

Ky nuk është festival burokratësh, që nuk kanë asnjë lidhje me artin, por me injorancën e tyre prishin një tempull me shumë vlera.

Imagjinoni, a guxon dot një drejtor i RAI-t të ç’bëjë rregullat e festivalit të Sanremos, të cilat janë të gdhendura dhe të lidhura ngushtë me konceptin artistik?!

Ky nuk është festivali as i hajdutërve dhe as biznesmenëve.

E aq më tepër nuk është festivali i kompozitorëve dhe tregtarëve të huaj.

Shqipëria është e re në moshë dhe ka artistë, kompozitorë, tekstshkrues  e muzikantë pafund dhe tmerrësisht të talentuar.

Pas gjithë kësaj çorbe, pjesa tjetër vazhdon me arrogancë. Një pjesë artistësh të nderuar, ku përfshihen kompozitorë, tekstshkrues, këngëtarë i janë drejtuar drejtorit të RTSH me një letër të detajuar teknikisht për gjithë procesin e ndodhur dhe shqetësimet e sipërmendura.

Transparenca është detyrim ligjor i këtij institucioni, i cili paguhet nga taksat e shqiptarëve.

Deri më sot asnjë reagim, asnjë përgjigje. Dhe jam i sigurt që s’do të ketë asnjë përgjigje.

Çdo vit ka pasur, ka dhe do të ketë thashetheme për çdo festival në Shqipëri.

Çdo vit mërziten disa e gëzohen disa.

Çdo vit prishen disa miqësi, bëhen miqësira të reja apo rilidhen disa miqësi të humbura.

Festivali i përmbledh të gjitha këto, me të mirat apo të metat e tij.

Me keqardhje them se ndoshta vitin tjetër, festivali mund edhe mos të bëhet fare sepse nuk flet dhe nuk reagon askush.

Ky i sivjetshmi mund të jetë ç’të dojë, por nuk është festival!

Kjo është dasma e azilit, dasma e pleqve, Grabockës dhe Cikos.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco