Që kur Çabej tha 'jam gati të bëhem katolik për hir të Fishtës' ...

Që kur Çabej tha 'jam gati të bëhem katolik për hir të Fishtës' ...

09:54, 25/10/2019
A+ Aa A-

Nga Frano Kulli.

(Fjala në hapjen e veprimtarisë përkujtimore në148 vjetorin e lindjes së Fishtës, më 23 tetor 2019.)

Së bashku jemi mbledhë për Fishten sot. Jemi mbledhë për ta përkujtuar atë në përvjetorin e tij të lindjes. Falemnderit të gjithëve që jeni këtu.
Homazhi ynë në përvjetorin e lindjes së tij sot është ndërkohë edhe një “mea culpa”, besoj unë.Një kërkim ndjese i ne të gjithëve që jemi këtu.Po edhe i mbarë shqiptarëve kudo janë për detyrimin që ende i kemi Fishtës.

Ende sot Gjergj Fishtes nuk ia kemi kthyer gjithë respektin për çfarë ai bëri për ne shqiptarët. Ende sot Fishta e ka shtëpinë e lindjes në qerthullin e fjalëshkëmbimit bosh dhe tjetrën shtëpi, atë të viteve të fëminisë pak pa u rrëzue përdhe.

Ende sot Fishtën nuk e duam sa ai na ka dashtë ne. Nuk e duan poet, kur thonë se Fishta është vetëm “Lahuta…” Dhe e çmojnë folklorizante. Edhe pse ajo është kryevepra e tij. Nuk e duan as prozator kur nuk e përmendin si të tillë; as dramaturg nuk e duan. Nuk duan atë që themeloi teatrin e kultivuar në sallat e kuvendit të françeskanëve në Shkodër, me 35 a 36 melodramat e pjeset e tjera dramaturgjike që shkroi e përshtati. As satirik nuk e duan ata që thonë se “Gomarin e Babatasit ” e kishte shkruar me mllef…! As publicist jo…Atë , themeluesin e drejtuesin e “Posta e Shqypnisë” e “Hylli i Dritës”, tribuna, padyshim më e spikatura e mendimit publik e kulturor shqiptar të kohës.

Edhe pse në bashkëkohësinë e vet Ai ishte par exellencë …siç e çmonin të gjallët e kohës së tij.Njëri prej shqiptarëve të mëdhenj, Faik Konica sqimatar, do të thoshte për të: Fishta i ka lëvruar të gjitha gjinitë dhe në të gjitha ka shkëlqyer.

Fishta mbetet ende i padashtun përderisa vepra e tij trumbetohet si e pakuptueshme në viset e jugut, sot. Teksa poeti i Liqerit, Lasgushi në toskëri, do të thoshte për të 80 vjet më parë: Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar.Kurse për satirat e tij, duke i krahasuar ato me me të Molierit do të thoshte:”Kombi ynë në Fishten ka më të madhin satirik botëror”.

Ose ditunari i madh Eqrem Çabej, në atë kohë gjithashtu do t’i shkruante Lasgushit - lirikut të papërsëritshëm në një kartolinë, e cila ruhet ende sot: Lexova “Lahuten...” dhe u mahnita.Jam gati të bëhem katolik për hir të Fishtës .“

Po nuk e duan as si atdhetar Fishtën. Ca që e ngulmojnë medeomos bashkëpuntor të fashizmit. Ani pse ai qe i vetmi ndër të mëdhenjtë që madhështinë e shërbesen për kombin i ndërtoi këtu në Shqipëri, me“zavalle krejet”[halle, telashe] të panumrueme. E jo i mërguar...

E as si diplomat disa s’e duan Fishten. Ani pse pak kush si ai punoi për “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne.”

“Shqyptarët e të drejtat e tyne”, fjalimi historik i mbajtur në Universitetin Katolik të Parisit më 1919, që është cilësuar edhe si shërbesa e tij më e vlertë që

Ai i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve në fushë të diplomacisë, kemi ndarë të jetë përbashkuesja jonë sot përreth Fishtës.

Kanë kaluar 100 vjet ç’prej është shkruar e kumtuar kjo fjalë në aulat europiane e për mesazhet e asoherëshme kemi nevojë ende sot.
Dhe ne duhet të shpresojmë se nga sot, nga ky takimi ynë do të marrë udhë një përpjekja jonë e re, një zotim i ri edhe i autoriteteve që e drejtonë Lezhën dhe Shqipërinë se do t‘i shpejtojnë ritmet për të kapë medeomos kohën e humbur të vendosjes së Fishtës në Panteonin e Vlerave të Kombit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shpellar,lab,lal,laluc,malok25/10/2019 19:08

Kongresi i drejshkrimit te gjuhes shqipe i vtit 1972,goditi shume rende dialektin gege.U ndryshun shume shprehje e fraza ne drejtshkrim e drejtshqiptim.Pra ne pamje te pare duket se u rehabilitun dialektet mbare kombtare,por gjuha shqipe u censuru rrepte.Zananfilla e gjuhes shqipe mbeshtetet ne dialekin mijra vjecar gege. Prandaj sot verioret qe tentojne te pershtatin dialektin e rindertuar ne ate kongres,duken qesharake.Te prekur nga ky cungim i gjuhes tone te vjeter,jane shqiptaret e Kosoves,Maqedonise te Veriut,Malit te ZI,dhe ne disa shtete perrreth Shqiperise,pa perjashtu diasporen e larget. GJuhtaret e sotem duhet t'a marrin ne konsiderate pershtatjen e dialekteve duke u bazuar ne gjenezen e shqipes.Ato duhet te futen thelle ne studimin e arkivave ne Vatikan,Vjene, apo kudo tjeter,pa perjashtu arkivat Turke.Cdo dokument qe gjendet atje,te ruajtura me shekuj ma perpara,sa do i pa rendesishem qofte,do te ishte mire te vleresohej. Keshtu jugoret do t'a kuptonin sakte Fishten,Buzukun,Matrengen,Bogdanin,Budin etj.

Shto koment

Denonco