Elita letrare gjermane i kundërpërgjigjet 'Nobelit': Çmimin e madh, shkrimtarit anti-Handke Majtas Sasha Stanishiq duke marre çmimin

Elita letrare gjermane i kundërpërgjigjet 'Nobelit': Çmimin e madh, shkrimtarit anti-Handke

07:53, 21/10/2019 Nga Enver Robelli
A+ Aa A-

Sasha Stanishiqi iku nga Vishegradi i Bosnjës në fillim të viteve 90-të. Për të dhe familjen e tij gjithçka ishte tepër. Tepër primitivizëm, tepër nacionalizëm, tepër fashizëm. Tepër tragjedi të shkaktuara nga ultranacionalistët serbë.

Sasha Stanishiqi iku në Gjermani. Ai rrjedh nga një familje, siç thuhet, e “përzier”, nga njëra anë serbe, tjetra boshnjake (myslimane).

Në romanin e tij të fundit “Herkunft” (Prejardhja) ai tematizon jetën në Vishegrad, helmin nacionalist, shpëtimin nga helmi në mërgim, jetën pa perspektivë në mërgimin gjerman, rrugën drejt një shkrimtari të suksesshëm.

Për këtë vepër Sasha Stanishiqi, më 14 tetor 2019 u nderua me çmimin më të lartë gjerman të letërsisë. Elita letrare gjermane u kundërpërgjigj duke e nderuar një anti-Handke.

Ditëve të fundit Stanishiqi është shquar sidomos për një gjë: kundërshtimin militant të Peter Handkes, i cili e mori Nobelin për Letërsi.

Kur doli para elitës letrare gjermane për të pranuar çmimin, Stanishiqi tha, pak a shumë, këtë: më lejoni të zemërohem që në Suedi një çmim pak më të rëndësishëm e ka marrë një person që ma ka prishur krejt qejn për çmimin që po e marrë unë sonte.

“Unë e kam pasur fatin të shpëtojë nga ajo që Peter Handke nuk e përshkruan”, tha Stanishiqi. Pastaj, përmbledhtazi, shtoi: Handke është një rrenacak, një gënjeshtar, një person që e lakon të vërtetën, këtë nuk duhet ta bëjë letërsia.

Handke nuk i përmend krimet e Millan Llukiqit, ai thotë se këto krime nuk ka qenë të mundshme të ndodhin, nënvizoi Stanishiqi.

“Mua më trondit që diçka e tillë nderohet me çmim letrar. Kisha Katolike e ka uruar Handken. Kjo e shpjegon çdo gjë. Unë gjendem para jush për të kremtuar një letërsi tjetër. Kremtoj 50-përqindëshin tjetër, unë e përgëzoj Olga Tokarczuk-un (autore polake që po ashtu mori Nobelin për vitin 2018, v.j.)», tha Stanishiqi, duke nënvizuar se letërsia e Tokarczuk nuk është e rrejshme dhe cinike, ajo neve lexuesve nuk na shikon si budallenj, duke e paketuar poetikën me gënjeshtra, madje vullnetarisht – si Peter Handke.

Fjalimi i Sasha Stanishiq është ndër fjalimet më politike të mbajtura ndonjëherë me rastin e ndarjes së çmimit më të rëndësishëm letrar gjerman.

Ky vendim është i rëndësishëm edhe si mesazh që publiku të mos i besojë një shpifësi si Peter Handke, por shkrimtarëve si Stanishiqi që nuk thotë se e posedojnë të vërtetën, por përherë janë në kërkim të saj dhe, po, kundërshtojnë keqpërdoruesit e letërsisë si Handke./Dialogplus

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco