DËNIMET/ Gjyqi i Deputetëve, si u eliminua opozita nga komunistët

DËNIMET/ Gjyqi i Deputetëve, si u eliminua opozita nga komunistët

19:56, 28/09/2019
A+ Aa A-

Cilësohet ndër masakrat e vërteta pas një gjyqi të shpejtë që kishte për qëllim të zhdukte elitën politike dhe kundërshtarët e mundshëm të regjimit. Procesi i njohur  si “Gjyqi i Deputeteve” u zhvillua në 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”.

Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, i përbërë nga Major Niko Ceta -Kryetar, Kapiteni i I Nexhat Hyseni anëtar dhe Kapiteni i II-Mustafa Iljazi anëtar, shpallën vendimin e dënimit të grupit të deputetëve të Legjislacionit të Parë të zgjedhur në vitin 1945.

Përveç deputetëve të zgjedhur, para ekzekutimit dhe dënimeve të rënda me burg shkuan edhe persona të tjerë që iu përfshinë këtij gjyqi tërësisht të trilluar. Ishte peridha kur Enver Hoxha dhe Koçi Xoxe po shtrinin maksimalisht diktatin e tyre duke mbjellë terror dhe eleminuar kundërshtarët e mundshëm politik.

Nga të gjykuarit 15 prej tyre dënohen me vdekje dhe forma e ekzekutimit ishte edhe më makabre ku shkuan në litar dhe para togës së pushkatimit.

Burgosja dhe dënimi i deputetëve dhe intelektualëve me orientime demokratike e kombëtare bëhej në momentin kur Kuvendi Popullor duhej të ratifikonte Konventën Jugosllave dhe prononcimin e drejtimit të politikës së jashtme dhe të brendshme si prolindore me Bashkimin Sovjetik në krye.

Të dënuarit ishin:

Shefqet Beja deputet, i lindur në Durrës banues në Tiranë, pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ekonomist e financier i zoti, kontribuoi në daljen e gazetës “Bashkimi” organ i Frontit Nacionalçlirimtar, ishte Nën President i Frontit Nacionalçlirimtar (Fronti Demokratik ), dënohet me vdekje varje,

Sheh Ibrahim Karbunara deputet, një ndër ata patriotët që me Ismail Qemalin firmosën Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), organizator dhe delegat i Kongresit të Lushnjës, anëtar i Opozitës Popullore dhe mik i Nolit, Gurakuqit e Bajram Currit, dënohet me vdekje varje,

Dr. Enver Sazani deputet, ka kryer studimet e larta për mjekësi, dy vjet në Monpelie pjesën tjetër në Lion të Francës, specializohet dy vjet të tjera për patologji – radiologji, partizan i Çetës së Krujë-Ishëm dhe i Çetës së Pezës, Drejtor i Spitalit Ushtarak, dënohet me vdekje pushkatim

Salaudin Toto deputet, ka kryer studimet e larta matematikë-fizikë, internohet në vitin 1941 si nacionalist antifashist, themelues i Institutit të Shkencave Shqiptare dhe kryetar i parë i këtij Instituti, shkroi i pari artikuj mbi energjinë atomike në Shqipëri, dënohet me vdekje pushkatim,

Irfan Majuni deputet, nëpunës në Tiranë, dënohet me vdekje pushkatim,

Sulo Ismail Klosi ka kryer Fakultetin e Gjeologjisë së Naftës në Strasburg, kryeinxhinier në Rubik, dënohet me vdekje varje,

Riza Alizoti ka krerë Kolegjin Robert në Stamboll vazhdon Tekniken e Fultzit në Tiranë dhe studimet e larta në Oksford, specializohet për shfrytëzimin e minierave në Strasburg, punoi në minierën e Kuçovës, dënohet me vdekje varje,

Salim Kokolari është pedagog në Liceun Francez në Gjirokastër, kryen dy vite studimi në Francë, mbështet Luftën Nacionalçlirimtare anëtar i Këshillit, dënohet me vdekje pushkatim,

Muhamet Prishtina është djali i patriotit Jahja Prishtina njëri nga anëtarët themelues të Komitetit Për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës dhe nip i kryetarit të këtij Komiteti, patriotit Rexhep Kadri Prishtina, kur u dënua ishte 22. vjeçar, dënohet me vdekje pushkatim,

Tefik Deliallisi me profesion mësues, dënohet me vdekje pushkatim,

Hysen Shehu djali i Sheh Ibrahim Kurbunarës, dënohet me vdekje pushkatim,

Beqir Çela me profesion mësues, dënohet me vdekje pushkatim,

Abdyl Kokoshi ka kryer Fakultetin e Drejtësisë, dënohet me vdekje pushkatim,

Pertef Karagjozi me profesion nëpunësinë Tiranë , dënohet me vdekje pushkatim,

Agathkli Xhitami me profesion notar (shkrues publik), dënohet me vdekje pushkatim,

Ramazan Tabaku telegrafist nga Tirana, dënohet me burg të përjetshëm,

Gjovalin Vlashi avokat nga Durrësi, dënohet me burg të përjetshëm,

Foto Balla Profesor nga Himara, dënohet me burg të përjetshëm,

Ramë Marku dënohet me burg të përjetshëm,

Rrustem Sharra dënohet me 20 vjet burg,

Xhevat Xhafa dënohet me 20 vjet burg,

Shefki Minarolli dënohet me 20 vjet burg

Sulo Konjari me 15 vjet burg

Marrë nga Kujto.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco