Sot, 80 vjetori i lindjes së Imzot Rrok Mirditës

Sot, 80 vjetori i lindjes së Imzot Rrok Mirditës

14:52, 28/09/2019
A+ Aa A-

Nga dom Gjergj Meta.

Sot kujtojmë Imzot Rrok Mirditën. Sot është 80 vjetori i lindjes së Imzot Rrok Mirditës, i cili shërbeu si Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit nga viti 1993 deri me datë 7 dhjetor 2015 kur u kthye në shtëpinë e Atit.

Imzot Rrok Mirdita kishte lindur në një fshat shqiptar në Mal të Zi, në Kllezën të Ulqinit, me datë 28 shtator 1935. Aty ai kreu shkollën fillore e më pas shkoi në Kroaci ku kreu pjesën tjetër të studimeve për t'u shuguruar meshtar për dioqezën e Tivarit.

Pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij e kreu në New York në bashkësinë katolike "Zoja e Shkodrës" bashkë me Monsinjor Zef Oroshin dhe Dom Pjetër Popajn.

Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv të Durrës-Tiranës dhe e shuguroi po vetë me datë 25 prill 1993 në Katedralen e Shkodrës bashkë me tre ipeshkvinj të tjerë: Imzot Frano Illinë, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin.

Gjatë kohës që shërbeu si ipeshkëv i Tiranë-Durrësit Imzot Mirdita me shumë sakrifica e përkushtim rindërtoi strukturat e Arkidioqezës, rithemeloi famullitë, u ndërtuan shumë Kisha dhe qëndra të tjera.

Ishte një njeri që e donte Kishën e nuk do të lejonte kurrë që ai të ishte shkak që ajo të kompromentohej. Po ashtu deshi atdheun e punoi me sa mundi për zhvillimin e vendit sidomos në drejtim të dialogut ndërfetar duke u bërë protagonist i tranzicionit shqiptar dhe një nga figurat më të spikatura të tij.

Kishte një sens humori shumë të gjallë dhe në çdo situatë arrinte të gjente e të krijonte buzëqeshjen. Kush ka punuar me të, sikurse unë, ka njohur aftësinë e tij për të hyrë me inteligjencë praktike brenda situatave, por edhe për të qenë i vendosur dhe pa kompromis kur bëhej fjalë për interesin e përbashkët.

Kisha katolike në Shqipëri është krenare për këtë Arqipeshkëv që i shërbeu me zell dhe me dashuri asaj dhe shoqërisë. Tani ai ka lindur në qiell dhe është me Zotin. Çka ka lënë me trashëgiminë e tij njerëzore e kishtare mbetet mes nesh.

Personalisht ndjehem shumë falenderues ndaj tij. Më shuguroi meshtar, më besoi detyra të rëndësishme në Dioqezë dhe më pas në Konferencë ipeshkvore. Ka qenë ai frymëzuesi që unë të hyja në botën e mediave si një shërbim ndaj bashkësisë katolike dhe jo vetëm. Ende kam në mendje këshillat e tij mbi atë që ai e quante me termin latin: prudentia, urti.

Faleminderit Imzot Rrok për dëshminë tënde dhe shërbimin tënd!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco