'Historitë e patreguara të Lushnjës', ekspozita e trishtë me foto të patreguara, të të internuarve nga diktatura

'Historitë e patreguara të Lushnjës', ekspozita e trishtë me foto të patreguara, të të internuarve nga diktatura

11:06, 19/08/2019
A+ Aa A-

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit hapi dje në Lushnjë javën përkujtimore “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”.

Në orën 10.00, ish-të internuarit e trashëgimtarë të tyre, të ardhur nga i gjithë vendi dhe jashtë tij u takuan pranë memorialit kombëtar të internim-dëbimeve ku, në praninë e përfaqësuesve të Kuvendit, pushtetit lokal dhe institucioneve të sipërpërmendura, u nderua sakrifica dhe dinjiteti njerëzor i atyre mijëra njerëzve që e shkuan jetën në qendra internimi.

Në vijim, në Pallatin e Kulturës “Vaçe Zela”, Lushnjë u organizua ekspozita fotografike me profile të të internuarve, e titulluar “Historitë e patreguara të Lushnjës” dhe ekspozita me materiale arkivore të AIDSSH mbi persekutimin komunist në këtë zonë, me interesimin e madh të të pranishmëve dhe ndërveprim mbi materialet e mbledhura e ato që do të shfrytëzohen në vazhdimësi. 

Më pas, në sallën e teatrit, ish-të internuarit dhe trashëgimtarët e tyre, qytetarë e të ftuar të tjerë, përfaqësues të pushtetit lokal, institucioneve publike, deputetëve të zonës, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile morën pjesë në prezantimin e projektit të Autoritetit në bashkëpunim me IPP, SHAPP dhe pushtetin lokal, për kthimin në vende kujtese të qendrave të internimit.

Ekspozita fotografike “Historitë e patreguara të Lushnjës”, e bazuar në foto autentike të të internuarve në fshatrat e Lushnjës, Fierit, Divjakës e Elbasanit, dhe gjendjen e tyre sot, 30 vjet pas rënies së regjimit komunist, synon të sjellë në vëmendje historitë e patreguara të kampeve, profilet e njerëzve dhe vendeve, për të ndërtuar një narrativë gjithëpërfshirëse për to, bazuar në dokumentimin e së djeshmes dhe të sotmes, historitë familjare dhe individuale të të internuarve. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit gusht.

Ekspozita me materiale arkivore prezantoi dhjetëra dosje të përndjekjes së Sigurimit ndaj faktorit antikomunist në zonën e Lushnjës, shumë prej të cilave, për herë të parë.

Materialet prej disa mijëra faqesh iu vunë në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë, dosje përpunimi, hetimore-gjyqësore, regjistra, relacione dhe statistika që kanë të bëjnë me survejimin e elementit “armik” në zonë. Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar. Të interesuarit plotësuan formularët përkatës për t’i lexuar këto dokumente. 

Java përkujtimore u organizua në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Fieraku nga Ferrasi19/08/2019 18:09

Eh te perndjekurit e shkrete. Ne dite te kujt Kane Ra tadh 75 vjet.

Shto koment

Denonco