‘Ai nuk ka vdekur në spital, dha shpirt kur…’ Ndriçim Xhepa tregon telefonatën e fundit me Xhuvanin

‘Ai nuk ka vdekur në spital, dha shpirt kur…’ Ndriçim Xhepa tregon telefonatën e fundit me Xhuvanin

14:47, 16/08/2019
A+ Aa A-

Nga Alma Mile

“Liqeni mund të na i japë të gjitha nëse ne dimë se si ta pyesim”. Kështu thotë Kristo, një adoleshent i rritur buzë liqeni, një nga personazhet e filmit të fundit të Gjergj Xhuvanit.

Po vetë Gjergj Xhuvani, çfarë mori nga liqeni?! Ndoshta kënaqësinë e fundit të krijimit, të realizimit të një filmi, që si në çdonjërin që ai i dha publikut, fliste për njeriun, për dashurinë. “Liqeni im”, kështu titullohet filmi që e çoi drejt Romës regjisorin, prej nga nuk u kthye më.

Dha frymë pasi e çoi deri në fund filmin, xhirimet e të cilit i kishte realizuar qysh një vit më parë. Gjergj Xhuvani u nda nga jeta në moshën 56- vjeçare. Një vdekje e papritur, që shokoi këdo që mësoi për ikjen e tij, e shoqëruar me lajme, shumë herë abuzive mbi rrethanat e vdekjes.

FILMI

Siç rrëfejnë bashkëpunëtorët më të afërt, regjisori Gjergj Xhuvani u nis drejt Romës për të përmbyllur filmin e tij më të ri “Liqeni im”, me produksion të “ON Film Production”, i mbështetur financiarisht nga Qendrat Kinematografike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë, por edhe i përzgjedhur nga “Eurimage” si një nga projektet më të mira të paraqitura nga 37 vende të ndryshme.

Filmi me skenar dhe regji të Xhuvanit vendoset në Pustec, në pikëpjekjen e tre kufijve dhe bën bashkë një kast të gjerë aktorësh, mes të cilëve Ariton Pollozhani, Tristan Halilaj, Vedran Zivolic, Elia Zaharia, Luiza Xhuvani, Birçe Hasko, Miriana Deti etj.

TELEFONATA E FUNDIT

Aktori Ndriçim Xhepa, mik i hershëm i çiftit Xhuvani, i cili ka bashkëpunuar në disa filma me regjisorin dhe shumë herë si partner me bashkëshorten e tij, Luiza, me shumë gjasë ka qenë një nga njerëzit e fundit që ka komunikuar me të.

“Mendoja se ishte kthyer nga Italia dhe e mora në telefon, sepse më duhej ndihma e tij për një numër. Kemi bërë humor bashkë me time shoqe. Ai ishte në Romë për t’i dhënë dorën e fundit filmit të tij, të cilin duhej ta mbyllte brenda gushtit, madje familja e tij ishte nisur me pushime. Atë ditë që ndodhi fatkeqësia, ai kishte lënë një takim dhe fakti që nuk kishte shkuar dhe as përgjigjej në telefon, krijoi shqetësimin. Ai nuk ndodhej në Romë për t’u kuruar, por për punë dhe nuk është e vërtetë që ka vdekur në një spital të Romës. Ndoshta ka ndërruar jetë gjatë natës, por arsyet do t’i thonë mjekët. Ai duhej të kthehej atë ditë, më tha që kishte kryer punë. Me sa duket dha shpirt kur mbaroi filmin”, thotë Xhepa, ndërsa nuk e fsheh tronditjen që i shkaktoi lajmi dhe dhimbjen për humbjen e një miku dhe një bashkëpunëtori, një njeriu që e kishte batutën gjithnjë gati, që i ishin gjendur njëri-tjetrit në ditë të vështira.

Të njëjtën ecuri të ngjarjes konfirmon edhe producenti i filmit të fundit të Xhuvanit, Dritan Huqi, të cilit i ra barra e rëndë e sqarimit të rrethanave.

“Gjergji ndodhej në Romë për të realizuar masterizimin e filmit ‘Liqeni im’ dhe mospërgjigjja në telefon na vuri në alarm të gjithëve, deri në momentin që morëm lajmin e papritur”, thotë Huqi, një nga njerëzit me të cilin Xhuvani kishte komunikimet më të shpeshta së fundi, për të çuar deri në fund tanimë filmin-testament, xhiruar buzë liqenit, atje ku bashkohen tri kufij… Sepse veprat e Gjergj Xhuvanit i bashkonin njerëzit…

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco