Filmi për berberin shqiptar shkrin së qeshuri në DokuFest, si e zbuloi regjisori LInder

Filmi për berberin shqiptar shkrin së qeshuri në DokuFest, si e zbuloi regjisori LInder

10:50, 06/08/2019

“Bashkimi United” hyn në kategorinë e filmave kombëtarë, por këtë herë nuk do të jetë në këtë garë, meqenëse është prodhuar nga një regjisor i huaj.

Platoja e Dokukinos ishte e mbushur me adhurues të filmave, aktorë, regjisorë e producentë shqiptarë dhe të huaj, shkruan albinfo.ch.

Ata ishin mbledhur për ta parë programin e filmave kombëtarë në DokuFest, program të cilin e hapi “Bashkimi United”, film i prodhuar në Zvicër nga regjisori Lasse Linder.

Megjithëse nga një regjisor i huaj, filmi ka si protagonist kryesor një berber shqiptar, apo një berber shumëdimensional, siç e quan veten Bashkimi – personazhi i filmit.

Në këtë film, Bashkimi, duke kënduar “Oh liri”, në lokalin e tij ndan brengat e jetës me klientët e vet, dhe mbi të gjitha, tregon dëshirën për realizuar një film.

“Një film brenda filmit”

Përgjatë 10 minutave, shfaqja e filmit u përcoll me të qeshura nga publiku, si rezultat i skenave komike që paraqiste berberi shqiptar në film.

Sidomos, publikut i la përshtypje pjesa gjatë së cilës Bashkimi shfaqte ëndrrën e tij për të xhiruar një film, ku ai luante rolin e një kauboji që shpëtonte njerëzit duke ua prerë flokët që ua mbulonin gjithë fytyrën.

Por përpos se berber, aktor e regjisor, Bashkimit i vinë për doresh edhe punë të tjera, me një fjalë, çdo gjë që lidhet me të mirën e njerëzve.

Pas filmit, në skenë doli edhe regjisori Lasse Linder, i cili tregoi se ideja për këtë film erdhi rastësisht.

“Banoja 50 metra larg nga salloni i tij, dhe isha i vetëm në atë qytet, sepse sa isha vendosur, dhe po kërkoja një floktar”, tha Linder.

Më pas, kishte filluar shi, dhe Lasse ishte futur në lokalin e tij, dhe aty kishte filluar bisedën e parë me Bashkimin.

Atij i kishte lënë përshtypje se si Bashkimi kishte vendosur dy ekrane pranë sallonit, ku paraqiste fotografi para dhe pas prerjes së flokëve.

“Pastaj ai tha se gjithmonë kishte dashur që të kishte një film apo reklamë që do të mund ta shfaqte aty, dhe pastaj e kuptova se ky person dëshiron ta realizojë një film”, tregoi Linder.

Dhe pjesa tjetër dihet, ata  bashkuan idetë dhe talentet, dhe i sollën publikut dokumentarin 10 minutësh për mërgimtarin ëndërrimtar e shumdimensional.

“Bashkimi United” hyn në kategorinë e filmave kombëtarë, por këtë herë nuk do të jetë në këtë garë, meqenëse është prodhuar nga një regjisor i huaj.

Trailerin e filmit mund ta shihni duke klikuar në këtë vegëz, kurse filmi do të shfaqet edhe sot, në Solar Cinema në kuadër të DokuFest-it, nga ora 20:00. Këtë herë, hyrja është pa bileta dhe falas, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, në kuadër të këtij programi, dje janë shfaqur edhe filmat “Larg”, “Decision”, “Nëpër mendje” dhe “Toni and Bleri”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco