Vritet për herë të dytë At Shtjefën Gjeçovi! Ku është zemërimi?

Vritet për herë të dytë At Shtjefën Gjeçovi! Ku është zemërimi?

07:13, 18/07/2019

Nga Frank Shkreli

Para nja dy ditësh, në postën time elektronike më kishin arritur, pothuaj në të njëjtën kohë, dy njoftime nga Kosova: Njëri kishte të bënte me vandalizimin e bustit të At Shtjefën Gjeçovit në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës dhe tjetra ishte një ftesë për të marrë pjesë në një organizim shkencor kushtuar At Gjeçovit, që po planifikohet të mbahet në nëntor, me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së tij barbare në Zym të Hasit, nga forcat fashiste serbe. Lajmi për seminarin që po organizohet për të kujtuar këtë patriot dhe burrë të të madh të Kombit– nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbërit” Prishtinë dhe nga Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” në Zym — më gëzoi pa masë, por më trishtoi lajmi tjetër, për vandalizimin e bustit të tij në oborrin e shkollës në Klinë.

At Shtjefën Gjeçovi, prift katolik, i Urdhërit të Fretënve, ashtu siç ishte edhe At Gjergj Fishta, është i njohur si autor i shumë veprave, siç janë “Dashnia e Atdheut”, drama “Agimi”, Përkrenarja e Skenderbeut”, Kanuni i Lek Dukagjinit, e shumë e shumë të tjera. Ai konsiderohet edhe si babai i arkeologjisë shqiptare, etnograf i njohur, kontribues i madh në gjuhë e kulturë, mbledhës i këngëve, miteve, përrallave dhe dokeve, zakoneve dhe traditave shqiptare, e tjera. Sipas historianëve të mirëfilltë shqiptarë, në shkrimet e tija Gjeçovi ka lënë një dëshmi të thellë të identitetit historik shumë shekullor të shqiptarëve dhe ka pasqyruar në to rrënjët e vjetra të Kombit shqiptar. Në një prej shkrimeve të tija, “Trashëgime thrako-iliriane”, Gjeçovi të cilit, “I përkiste çdo mirësi”, siç është shprehur më vonë Fak Konica, At Gjeçovi i drejtohej lexuesit ndërsa shkruante sikur donte, të mos ofendonte askënd, por të dokumentonte identitetin e vjetër të shqiptarëve: “Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë”.

Nuk jam i sigurt nëse këto dy ngjarje — seminari i ardhëshëm kushtuar 90-vjetorit të vrasjes së Gjeçovit dhe vandalizimi I bustti të tij në Klinë — kanë lidhje me njëra tjetrën, por njoftimi nga disa media se “u vodh” busti i At Shtjefën Gjeçovit nga oborri i shkollës në Zllakuqan nuk më bindë. A thua sikur busti i Gjeçovit na qenka prej floriri – me vlerë të veçantë për hajdutët, në krahasim me dhjetra në mos me qindra buste të tjera anë e mbanë Kosovës. Ky akt vandal si dhe identiteti i aktorëve të këtij krimi në Zllakuqan, bëhen edhe më të dyshimtë kur të merret parasyshë se sipas lajmeve në media të Kosovës, ky nuk është rasti e vetëm i këtij lloji. Edhe bustin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, gjithashtu i vendosur në një institucion shkollor në fshatin Treboviq, e paskan “vjedhur”, përfshir edhe heqjen e një tabele në një rrugë në Buqan të Pejës, të një prifti tjetër katolik, At Luigj Palaj, dhe të një heroi tjetër i harruar i shqiptarëve, i vrarë nga forcat serbe, për të cilin At Gjergj Fshta ishte shprehur, “Gjaku i këtij, o Zot, të qoftë falë për Komb të Shqiptarit”.

Busti i At Shtjefën Gjeçovit në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës, Kosovë është lënë pa kokë.

Do të ishte diçka e pa përgjegjëshme për mua ose për këdo tjetër që të paragjykohen hetimet e autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës për rastin e vandalizimit të bustit të At Shtjefën Gjeçovit dhe të rasteve të tjera të lartpërmendura. Por është deri diku shqetësues fakti se përveç reagimit të Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, për këtë akt vandal, të cilin ai e quan “vjedhje”, por që cilëson gjithashtu edhe si një “akt të turpshëm”, nuk kam parë, të pakën deri tani, ndonjë regim të autoriteteve qendërore të Kosovës ose të policisë së shtetit. Ndërsa nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, të cilat janë gjithmonë gati të reagojnë ndajë ndonjë akti që nuk ka të bëjë me shqiptarët, nuk kam parë asnjë prononcim ndaj këtyre akteve vandale në Kosovë kundër disa prej figurave më të dalluara të historisë së Kombit shqiptar, përfshir edhe vandalizimin e bustit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Por, Kryetari i Bashkisë së Klinës ka deklaruar se ky akt, “Duhet të zbardhët sa më shpejt nga organet e rendit dhe kryerësit e kësaj vepre të ulët, të dënohen sipas ligjit”. Prof. Dr. Zenun Elezaj u bën thirrje gjithashtu organeve, “ligjzbatuese që këtë rast ta trajtojnë në mënyrë serioze” dhe njëkohësisht u kërkon, “organeve përgjegjëse që të shtohen masat e sigurisë në të gjitha objektet publike, në mënyrë që akte të tilla të shëmtuara të mos përsëriten”.

Busti pa kokë i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeu në fshatin Treboviq të Kosovës

Nuk jam i sigurt se cila ishte përgjigja e organeve të sigurisë së Kosovës dhe e autoriteteve zyrtare të Prishtinës ndaj thirrjes së Kryetarit të Komunës së Klinës për hetime serioze ndaj këtij akti vandal, në oborrin e shkollës që mban emrin e At Shtjefën Gjeçovit. Por ia vlenë të krahasojmë reagimin e autoriteteve të Kosovës, nepërmjet Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe sidomos reagimin e shpejt të ndërkombëtarëve në Prishtinë ndaj dëmtimit, ditët e fundit, të disa varrezave ortodokse serbe në Lipjan. Dënimet ndaj këtij akti, gjithashtu të shëmtuar, ishin nga ana e tyre, të shpejta dhe të forta. Reagoi ashpër ambasadori amerikan në Kosovë, Z. Philip Kosnett, Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Ndërsa në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, në lidhje me dëmtimin e varrezave serbe në Lipjan, foli Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila u bëri thirrje organeve të policisë së shtetit që, “Të bëjnë gjithçka është e mundur për të zbuluar dhe nxjerrë përpara drejtësisë autorët e këtij incidenti kriminal. Për Republikën e Kosovës, bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta”. Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se edhe incidenti tek varrezat serbe është kundër interesave të Kosovës dhe angazhohet se autoritetet shtetërore do të bëjnë të pamundurën që raste të këtilla të mos përsëriten”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës.

Edhe unë i dënojë dëmtimet ndaj varrezave kudo qofshin, përfshirë ato serbe në Lipjan. Por e kam pak të vështirë të kuptoj se si vandalizimi i busteve të disa prej figurave më të njohura të Kombit shqiptar në Kosovë, siç janë Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe françeskanët shqiptarë, At Shtjefën Gjeçovi dhe At Luigj Palaj na qenkan disi akte a po siç i cilësojnë disa, “vjedhje” të zakonshme që nuk shqetësojnë aq shumë autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe përfaqsuesit më të lartë ndërkombëtarë në Prishtinë, hiç se hiç. Veç të mos preket asgjë serbe sepse, sipas tyre, “bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta”,dhe të mos turbullohen – ndërsa figurat kombëtare, identiteti kombëtar, kultura, gjuha dhe historia e shqiptarëve janë plaçkë për tu vjedhur.

Me ose pa reagimet zyrtare ndaj akteve të tilla barbare, mbetet për tu parë nëse për këto veprime kriminale antikombëtare, fajtorë janë, “vjedhësit” e rendomtë, a po dikush tjetër, me qëllime më të djallëzuara me objektivin për të dëmtuar më shumë se një bust. At Gjeçovi nuk e meritonte këtë akt kriminal ndaj tij, nuk meritonte të vritej për së dyti, sepse siç ka shkruar miku i tij Faik Konica, “At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë…. Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí”, ka shkruar Konica për Shtjefën Gjeçovin. Fatkeqësisht, akti kriminal ndaj bustit të Gjeçovit në Klinë të Kosovës, nuk besoj se kishte për qëllim “rritjen” e emrit të At Gjeçovit, siç shpresonte Faik Konia dikur, por dëmtimin e reputacionit të tij personal dhe të trashëgimisë dhe identitetit të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore dardane.

Ndërsa, sa na përket ne, në këtë moment, para këtij akti të turpshëm në oborrin e shkollës në Klinë — siç është shprehur edhe Konica pas vrasjes së At Gjecovit nga forcat serbe më 1929, nuk na mbetet gjë tjetër veçse, “Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë, që në gjallësí, për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”. Para një akti të tillë vandalizmi dhe vrasës (për të dytën herë) të At Gjeçovit në Klinë, jemi të pafuqishëm të bëjmë gjë tjetër, veçse të vajtojmë me lotë fatin e tij të keq jo vetëm kur ishte gjallë – por edhe tani për së vdekuri, ashtu siç e shohim bustin e tij të dhunuar — të derdhim lotët tona me Konicën, për fatin e keq të mikut të tij At Shtjefën Gjeçovit, për atëherë dhe sot—por edhe për Kombin Shqiptar, i cili trajton në këtë mënyrë, bijtë e tij, ndër më të dalluarit patriotë, si At Shtjefën Gjeçovi./Frank Shkreli/ Marrë nga Gazeta illyria

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

ok18/07/2019 10:32

si te ndodhe ndryshe perderisa vogelusheve te djeshem sot burra u mekuam dashurine jo per at gjecovin por per denzel washingtonin

Shto koment

Denonco