Kur shpalleshe kulak, sepse nuk i kishe dhënë vajzën për grua sekretarit të partisë

Kur shpalleshe kulak, sepse nuk i kishe dhënë vajzën për grua sekretarit të partisë

21:48, 16/07/2019
A+ Aa A-

Të shpalleshe kulak gjatë regjimit komunist në Shqipëri, do të thoshte të shkatërroheshe ekonomikisht, por edhe të dënoheshe me burg apo të internoheshe. Kujto.al, mbështetur në librin “Genocidi mbi kulakët në Shqipërinë komuniste 1948-1990”, përpiqet të tregojë si u likujdua ekonomikisht shtresa e fshatarëve të pasur që u shpronësuan dhe në shumë raste, u dërguan pas hekurave. Jo vetëm kaq, por për të gjetur aq kulakë sa kërkonte partia, të tillë u shpallën edhe fshatarë të mesëm e të varfër. Si u bë kjo përzgjedhje? Në bazë të inateve personale të sekretarëve të organizatave të partisë

Çdo komunist e kishte të qartë që kulakët nuk duheshin toleruar, ata duheshin shpallur dhe dënuar rëndë, vetëm se, cilët ishin kulakë, nuk e kishin dhe aq e qartë. Megjithëse regjimi hartoi një listë me karakteristika për identifikimin e tyre, sekretarët e organizatave bazë të Partisë në rrethe, filluan të shpallin kulakë edhe ata që nuk plotësonin asnjë karakteristikë ekonomike, disa prej zellit të tepruar, disa për inate personale.

Kulakët, sipas karakteristikave, ishin fshatarë të pasur që kundërshtonin zbatimin e reformës agrare dhe shtetëzimin e bagëtive, të cilët zotëronin sipërfaqe të mëdha toke dhe tufa të mëdha bagëtish, mirëpo që kur regjimi komunist u shpalli luftë të hapur, me këtë emërtim që në rusisht do të thotë “grusht”, u goditën edhe fshatarë të mesëm dhe të varfër.

Për t’u marrë me sy të mirë, shumë komunistë të ngarkuar me detyrën e identifikimit dhe dënimit të kulakëve e forcuan dorën që i shtrëngonte prej fyti sa u merrte frymën armiqve, edhe më shumë seç ishin të udhëzuar nga qendra. Shumë dokumente dëshmojnë për të tilla shkelje, të cilat edhe pse ngjallën ankesa dhe ndonjëherë morën vërejtje, mbetën në fuqi. Në raportin e sekretarit të partisë Korçë, të vitit 1950, që ndodhet në AQSH, siç shfaqet në librin e Xhafer Sadikut, “Genocidi mbi kulakët në Shqipërinë komuniste 1948-1990”, botim i ISKK, thuhej:

“...Ne kemi demaskuar e goditur, punë kjo që ka bërë që kulaku të mos futet në masë, të urrehet nga populli. Nga ana e tij pushteti ka organizuar gjyqe të hapura në fshat, i ka goditur kulakët dhe rëndë bile...kjo ka bërë që rrethi jonë të realizojë disa suksese të kënaqshme...këto suksese byronë dhe mua personalisht na dehën dhe andej nga shtatori 1950 e shkelëm gazin gjer në fund dhe u hodhëm në luftë frontale. Ne nxorëm një listë me mëse 500 kulakë dhe në mjaft fshatra ka pasë 15-17 të shpallur. Ata ju nënshtruan një presioni dhe një lufte politike shumë kërcënuese dhe në disa zona të kufirit ku konditat nuk kanë qenë të favorëshme për përdorimin e një taktike të tillë. Atyre u premë fletëdetyrimet e dyta në një masë prej 60 deri në 100 përqind mbi detyrimin e parë. Në këtë mënyrë një pjesë e tyre që kanë pasur tokat e dobëta dhe ekonominë e dobët, për t’i kufizuar nga ana ekonomike ne nuk i patëm parasysh këta faktorë, kështu që atyre u muarëm edhe bukën e gojës, i vumë përpara pozitave të largimit nga fshati ose të arratiseshin...ne nuk e kemi pasë shumë të qartë nga ana parimore se si duhej të zhvillohej lufta e klasave në këtë periudhë...në anën tjetër unë dua të them se gabimet në luftën e klasave, gabimet e pushtetit për furnizimin, për pritjen etj, kanë ndihmuar arratisjen”.

Ndërkaq goditja ndaj fshatarëve të pasur, sa vinte e bëhej më e rëndë. U kuptua që synimi i reformave nuk ishte thjesht zhdukja e klasave dhe vendosja e një rendi barazie mes fshatarëve të pasur dhe të varfër, por shkatërrimi i plotë i të pasurve të dikurshëm, duke u marrë atyre, detyrim pas detyrimi, deri dhe bukën e gojës dhe duke i çuar pas hekurave apo internuar për një fjalë goje.  Arsyeja ishte e thjeshtë. Duke qenë më të pasurit dhe më të shkolluarit, ata ishin personat më me influencë në zonat e tyre, influencë që regjimi duhet ta shkulte me rrënjë për të mbjellë e për të lënë të rritej, të vetëm, pushtetin absolut të partisë-shtet.

Gjatë vitit 1950, u cilësuan 989 kulakë, nga të cilët 227 u dënuan me burg dhe pothuajse të gjithëve iu konfiskua pasuria në masën 10 deri 100 për qind. Lufta kundër kulakëve u ashpërsua më shumë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1951, kur Enver Hoxha deklaronte që duheshin gjetur “kulakët e rinj”, që  “kulakët ishin më shumë seç mendohej”, që “nuk ishin vetëm në Myzeqe”... Komitetet e partisë njoftonin se në rrethet e tyre nuk kishte më kulakë, kishte vetëm fshatarë të varfër dhe atëherë, ndryshuan karakteristikat e kulakëve për të gjetur sa më shumë prej tyre. Kulak do të quhej edhe ai që “propagandon kundër reformave dhe masave shoqërore e kulturale të partisë dhe pushtetit”. Kjo nxitje, e çoi gjatë gjysmës së parë të vitit 1951 në 2361 numrin e familjeve kulake. Kulakët demaskoheshin publikisht. Sekretari i organizatës bazë të partisë mblidhte gjithë popullin e fshatit dhe pasi akuzonte kulakët për shtypjen dhe shfrytëzimin që u kishin bërë të varfërve, u kërkonte fshatarëve “t’i rrihnin dhe t’i shtynin”. Vetë relacionet e këtyre sekretarëve tregojnë që në këto sulme merrnin pjesë vetëm ata që kishin inate personale me kulakët.

Si kulakë u dënuan edhe shumë fshatarë që kishin marrë pjesë në luftë, që kishin qenë partizanë apo që ishin aleatë të pushtetit. Kulakët, duke qenë që u merrej pa kriter pasuria, ishin me leverdi për hambaret e shtetit, ndaj edhe kur nuk ekzistonin, duheshin shpikur. Edhe në rastet, kur pas vërjetjeve të bëra, disa prej fshatarëve të mesëm iu hoq emërtimi i gabuar “kulak”, pasuria e konfiskuar nuk iu rikthye. Lufta u ashpërsua në atë shkallë, sa në vitin 1953, tatimi i kulakëve, të cilët tatoheshin dy herë, me një tatim të rregullt dhe një të jashtëzakonshëm, e kalonte prodhimin e tyre si në drithëra dhe në mish. Në Korçë, kulakët kishin një prodhim prej 91 kv mish, ndërsa iu ishte caktuar si detyrim 62 kv dhe tatim i jashtëzakonshëm 41 kv; në Tiranë, kulakët kishin mundësi prodhimi 91 kv mish, ndërsa ishin tatuar me 106 kv. Kulakët u likujduan me shpejtësi përmes tatimit të lartë financiar dhe në natyrë, gabimeve në këto tatime, por edhe llogaritjes së prodhimit dhe tepricave në bazë të parashikimit të planit dhe jo prodhimit real.

Urdhëresa e Qeverisë e 13 majit 1958, kërkonte shtimin e tatimit të kulakëve në masën 50 deri në 100 për qind dhe një vit më pas, në raportin e pagimit të tatimeve midis ekonomive kulake dhe individuale të pakolektivizuara shihej që ekonomitë kulake tatoheshin nga 3 në Gjirokastër deri në 12 herë më shumë në Pogradec e Shkodër.

Nga ana tjetër, rastet e shpalljes kulakë për inate personale që gjenden në dokumentet e kohës, ishin anekdotike. Kulakë mund të shpalleshe sepse “nuk i kishe dhënë të bijën për grua sekretarit të organizatës”, sepse “i kishe rrahur babain anëtarit të partisë”, sepse “nuk i kishe ruajtur delet” një komunisti apo sepse “nuk i kishe plotësuar dëshirat kanditatit të partisë”.

Përmes këtyre formave, Shqipëria edhe mund ta realizonte synimin për të qenë e barabartë me Bashkimin Sovjetik në përqindjen e popullsisë së shpallur dhe të dënuar si kulake. /Nga A.Çano

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco