Lamtumirë, i dashuri i shqiptarëve, Norman Gershman

Lamtumirë, i dashuri i shqiptarëve, Norman Gershman

08:01, 20/06/2019
A+ Aa A-

Norman H. Gershman, fotografi që portretizoi shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit ka ndërruar jetë të hënën, në 10 qershor 2019, në shtëpinë e tij, në Coral Gables, Florida. Ai ishte 86 vjeç.

Norman Gershman pati një karrierë shumë të suksesshme në Wall Street, por do të mbahet mend më shumë për dashurinë dhe pasionin e tij për artin e fotografisë. Suksesi i tij më i madh ishte libri dhe filmi “Besa” që përshkruajnë disa nga heronjtë shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore. Lajmin e vdekjes e ka bërë të ditur gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”, në New York.

I lindur më 14 gusht 1932, në Bayonne, New Jersey, i biri i Albert dhe Pauline “Pearl” Gershman, Norman u diplomua në NYU në 1954 dhe e kaloi shumicën e jetës së tij profesionale në Wall Street, ku u shqua aq sa krijoi edhe kompaninë e tij të investimeve.

Po dashuria e tij e vërtetë mbeti gjithmonë arti. Sidomos fotografia. Ai u kthye në një udhëtar të botës dhe fotograf i shquar. Fotografitë e tij më të mira janë tani pjesë e një ekspozite levizëse e Yad Vashemit në Jeruzalem dhe e Kolegjit të Unionit Hebre, në New York City.

Norman Gershman është nderuar me shumë çmime e mirënjohje, përfshirë edhe një nga urdhërat më të lartë të nderit në Shqipëri, për shkak të punës së tij për t’i treguar botës historinë e shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një libër dhe një film, të dy të titulluar “Besa” janë realizuar duke u bazuar në portretet e jashtëzakonshme të këtij autori.

Një ekspozitë e tij u shfaq për herë të parë, rreth 10 vjet më parë, në selinë qendrore të OKB-së, në New York. Më tej, në parlamentin izraelit, Knesset, në muzeun e famshëm të Holokaustit, Yad Vashem, në Jeruzalem e në shumë institucione të njohura, nëpër botë.

Projekti i tij pati edhe kritika, kryesisht për shkak të përqendrimit te shqiptarët myslimanë, në një vend ku shpëtimtarët e hebrejve ishin nga të gjitha përkatësitë fetare. Një tjetër temë debatesh ishte lidhja e dukurisë së besës me Islamin.

Po Gershman nuk kishte si qëllim të zvogëlonte rolin e jomyslimanëve në Shqipëri. Synimi i tij ishte që në kontekstin e urrejtjes të krijuar nga konfliktet në Lindjen e Mesme, historia e shpëtimit në Shqipëri të afronte myslimanët e hebrejntë, e të jepte një mesazh universal humanizmi dhe bashkëpunimi.

Norman Gershman kishte dashuri për shqiptarët dhe u dashurua me Shqipërinë. Në fund, puna e tij në vendin tonë do të mbetet trashëgimia më e madhe që lë pas.

Sipas lajmërimit të vdekjes të botuar në legacy.com, ai la pas motrën Arlene Robbins, shoqen e jetës dhe nën e fëmijëve të tij, Carol Sue Gershman, tre fëmijë: Leslie Kuster, Eric Gershman, dhe Roger Gershman, si dhe pesë nipër e mbesa. (Ruben Avxhiu)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

mondi20/06/2019 11:22

RESPEKT.

Shto koment

Denonco