'Zëri i Rinisë', letra që nxiti dënimin e Festivalit të 11-të

'Zëri i Rinisë', letra që nxiti dënimin e Festivalit të 11-të

08:55, 14/06/2019
A+ Aa A-

Nga Kastriot Dervishi

Gazeta “Zëri i rinisë”, të shtunën e 13 janarit 1973, botonte në faqen e brendshme të saj letrën e një grupi punonjësit të fabrikës së letrës në Lushnje, letër që i parapriu goditjes së festivalit të 11 të këngës, i zhvilluar më 22-25 dhjetor 1972, u përmend në fjalën e Enver Hoxhës. Pjesëtarët të kolektivit punonjës shprehin kësisoj kritikën dhe bëjnë ekspertizën e festivalit më të rëndësishëm që bëhej në atë kohë në Shqipëri.

Pjesë nga letra: “Duam të shprehim mendimet tona”

“T’i këndohej edhe sukseseve të vitit 1972, heroikës së punës dhe jetës së klasës, apo të fshatarësisë kooperativiste (natyrisht jo me kantata). Mos vallë pak lirizëm dhe emocion kanë këto tema? Sikur bëjnë përpjekje, vuajnë e përpëliten disa këngëtare për të imituar në interpretimin e këngëve. Disa shtrembërime zërash, ekzagjerime gjestesh të sforcuara, pa shije, që stonojnë qoftë me melodinë, qoftë me tekstin, përse hyjnë në punë?

Nga ana tjetër nuk kuptojmë se me kë bënin garë orkestrat në disa momente me ato ekzibicione e “virtuozitete” saksesh e daullesh?

Kostumet dhe tualeti i disa këngëtarëve jo vetëm që s’i përmbahej një linje, një koncepti, një kombinimi të drejtë, një logjike, një fantazie të shijeve tona, një mode që të kishte vulën tonë moderne shqiptare, por në disa raste flagrante, ishin imitim komplet, që në asnjë mënyrë nuk duheshin lejuar, si pantallonat kauboj prej basmaje me ngjyra, “pizhamet”, “robë dë shambret” e maksifundet.

Zinxhirat e ngarkesat e tjera të tepruara prej xhingla-minglash, basetat e tualetet e ekzagjeruara. Një fare gare për të evidentuar pikërisht këto shfaqje të huaja dhe imitime u vu re edhe nga ana teknike.

Kameramanët sikur i hante meraku për të na i zmadhuar këto gjëra. Po këndej u hante ana edhe konferencierëve me atë tekst tepër naiv e plot imitime. Imitimi arriti deri te “pritja” e rezultateve nga makina llogaritëse, që së bashku me mjaft vogëlsira të tjera, duke shtuar dozën e imitimeve, ulnin vlerën e festivalit. Mos vallë spekulohet në këtë drejtim, se gjoja “kështu e do rinia”?

Në diskutimet tona mbi këto shfaqje, ne u ndeshëm në dy pikëpamje të gabuara. Ndonjëri nga ata “majmunët” tanë, ngriti kokën e tha: “E shikoni? Kritikat tuaja për modën e pahijshme janë konservatorizëm, sepse vetë televizioni ynë po e propagandon!”. 

Këtë pikëpamje ne po e godasim e po u themi atyre: “Nga pozitat e estetikës marksiste-leniniste ne ju kritikojmë edhe ju edhe televizionin”. Disa për t’iu kundërvënë liberalizmit, nxorën pikëpamjen: “Mos u kapni pas televizionit, se ai i lejon këto gjëra për t’i thënë botës së jashtme, që edhe ne mund të haheshim me ju!”. 

Edhe këtë pikëpamje ne po e godasim, sepse ne nuk zhvillojmë dy lloje artesh, dy lloje shijesh estetike, dy lloje kulturash, njërën për vete e tjetrën që të “hahemi” me borgjezinë e revizionistët. Jo, ne zhvillojmë artin, shijen, kulturën tonë të madhe të proletariatit, që qëndrojnë nga çdo pikëpamje më lart. Kështu edhe për këngët e festivalit, për tekstet, interpretimin e këngëtarëve, orkestracionit, dekorin, kostumet, modën, etj, nuk jemi për një nivel naiv artistik, për kallëpe dogmatike e për skematizëm, për rënie në shihet e vjetëruara konservatore. Jo aspak. Edhe për ksenofobinë nuk jemi. Të marrim gjithçka të shëndoshë nga bota e jashtme.

Ne jemi luftëtarë të flaktë të se resë, të novatores. Edhe eleganca e shkëlqimi i modës në jetë e në skenat tona le të lulëzojë, por gjithçka të jetë me përmbajtje të shëndoshë socialiste dhe e veshur me formën e me fantazinë tonë të pasur, të mbështetur fort në truallin tonë. Gjithçka të bjerë erë shqiptare.

Agron Allkanjari, mekanik; Athina Daullja, laborante; Bajram Çakalli, përgjegjës i ofiçinës; Bashkim Kamami, hidraulik; Flamur Zeqo, tornitor; Lili Veliu, brigadier; Hyqmet Koduzi, teknolog; Qamil Linatopi, kryeinxhinier; Nexhmije Këmbora, tornitore; Hysen Bezati, teknolog.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco