Zëri i Arabisë, vdes gazetari brilant Arnold Hottinge

Zëri i Arabisë, vdes gazetari brilant Arnold Hottinge

07:16, 22/05/2019
A+ Aa A-

Ai raportoi nga pazari i Bejrutit dhe nga Madridi, nga Nikozia dhe nga Kajro. Ai fliste krahas gjermanishtes, anglishtes, frëngjishtes, spanjishtes, italishtes dhe arabishtes letrare edhe shtatë dialekte të gjuhës arabe. Arnold Hottinger, i cili vdiq të martën në moshën 92-vjeçare, ishte korrespondent në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk vraponte pas lajmeve të ditës, por pas informatave që e pasqyrojnë tablonë e plotë.

Nga Enver Robelli

Me njohuritë e tij të thella të botës arabe ai gjeti një numër të madh lexuesish në tërë hapësirën gjermanishtfolëse, e sidomos në Zvicër. Gjatë karrierës së tij mbi 30 vjeçare si korrespondent ai punoi për gazetën «Neue Zürcher Zeitung» dhe për radion publike të Zvicrës. U nderua me shumë çmime, mes tjerash edhe me Çmimin e Gazetarisë të Zürichut për vepër jetësore. Hottinger ishte zëri i Arabisë në mediat zvicerane, sidomos mes viteve 1961-1991, kur punoi për «Neue Zürcher Zeitung». Ai dinte pambarimisht shumë për konfliktet e ndërlikuara të Lindjes së Afërt dhe për kulturën islame. Edhe pas pensionimit ai vazhdoi të shkruajë e marrë pjesë në debatet për botën arabe.

Hottinger jetoi në kohërat e arta të gazetarisë, kur për shumë njerëz ishte me rëndësi që të mos dilnin në qytet pa një gazetë nën sqetull, ta zëmë pa «Neue Zürcher Zeitung», të botuar për herë të parë më 12 janar 1780. Periudha mes viteve 1950-1990 mund të konsiderohet e artë për gazetarinë – reklama pa fund, liri pa fund, para pa fund, mundësi pa fund. Hottinger mund t’ia lejonte vetes të «zhdukej» me ditë të tëra, redaksia e linte të qetë, sepse e dinte se nga ky udhëtim do të sjellë një analizë apo reportazh të gjatë, me plot detaje dhe informata të vlefshme.

Hottinger, i lindur në Basel, studio orientalistikën dhe romanistikën në Universitetin e Zürichut, ku edhe doktoroi. Një ofertë për t’u bërë profesor në Amerikë e refuzoi. Gazetari Martin Woker, specialist i Lindjes së Afërt, redaktor përgjegjës për tekstet e Hottingerit në «Neue Zürcher Zeitung» dhe korrespondent shumëvjeçar për vendet e Ballkanit, në një shkrim të gjatë me rastin e vdekjes së gazetarit të jashtëzakonshëm, shkruan: «E quanim emir – dhe për këtë kishim arsye. E dinim se ky titull nderi që e gëzonte brenda redaksisë mund të keqkuptohej. A.H. për ne redaktorët e rinj nuk ishte urdhërdhënës, as komandant. Por mënyra se si e kuptonte ai profesionin për neve ishte diçka udhërrëfyese për raportimin nga bota arabe, i cili kishte një qëllim: shpjegimin. Për këtë s’mund t’ia gjeje shoqin».

Me talent e dije ai paralajmëroi revolucionin në Iran më 1979. Nga mesi i viteve ’80 shkroi një seri me reportazhe nga viset palestineze të pushtuara nga Izraeli. Nuk munguan letrat e lexuesve të zemëruar. Hottinger supozonte se ishte një fushatë e organizuar nga komunitetet hebraike në Basel dhe Zürich. Por Hottinger nuk lëshoi pe. Sepse dija e tij ishte brilante, shumështresore dhe me horizont të gjerë. Të gjithë këtë i mundësonin atij një gjykim të mprehtë.

Krahas mijëra artikujve ai shkroi edhe një sërë veprash – nga një përpjekje impozante për përshkrimin e artit të përkthimit arabisht-spanjishte e vjetër deri te një analizë e gjerë e shteteve teokratike të Lindjes së Afërt. Një mjeshtër i papërsëritshëm. Një mjeshtër që refuzonte të intervistonte të pushtetshmit e vendeve arabe. Heronjtë e tij ishin njerëzit e rëndomtë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco