‘Tinguj për vendin tim’, koncerti shqiptar humanitar, në ndihmë të familjeve në nevojë

‘Tinguj për vendin tim’, koncerti shqiptar humanitar, në ndihmë të familjeve në nevojë

15:25, 09/05/2019
A+ Aa A-

Toronto-Kananda

‘Tinguj për vendin tim’ vjen për herë të parë për publikun shqiptar në Kanada. Çifti artist shqiptar Ervin & Lindita Meço, sjellin koncertin humanitar frymëzuar nga emisioni social i transmetuar prej një viti e gjysmë në Tiranë, i ideuar nga teologu Elvis Naci dhe këngëtari shkodran Sidrit Bejleri. ‘Shqiptarët për shqiptarët’ ka evidentuar shumë histori prekëse nga realiteti shqiptar, ndaj edhe komuniteti i vendosur në Kanada ka shprehur dëshirën për përfshirjen në ndihmë të familjeve në vëshirësi.

Aktiviteti vjen për herë të parë për publikun shqiptar në format koncerti, ku do të interpretojnë profesionistë dhe të suksesshëm të artit shqiptar. Publiku që do ta nxjekë live aktivitetin, do të kontribuojë me anë të një bilete prej 50 dollarë, shuma e të cilave do t’i bashkëngjitet misionit. Në një intervistë për Albanian Montreal Press, Ervin e Linda Meço, regjisori dhe producentja e koncertit, do të na zbulojnë më shumë për projektin e tyre artistik.

Çifti Meço, si ju lindi ideja e këtij koncerti?

Ideja e koncertit lindi nga dëshira, veçanërisht e Lindës për të gjetur një mënyrë për të bërë diçka më shumë në ndihmë të shqiptarëve në nevojë. Emisioni ‘Shqiptarët për Shqiptarët’ dhe puna e madhe që ata bëjnë, gjithashtu edhe e shumë emisioneve dhe organizatave të tjera në Shqiperi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj., e përforcoi edhe më shumë këtë dëshirë tonën. Duke qenë se të dy vijmë nga fusha e artit, dhe kemi njohje personale me një pjese të mirë të artistëve shqiptaro-kanadeze, kryesisht në Toronto, por edhe më gjerë, menduam që formati më i përshtatshëm do ishte një koncert variete’, ku të perfshiheshin sa më shumë zhanre të muzikës dhe të kishte pjesëmarrje sa më të madhe të artistëve. Të gjithë ata që kontaktuam pa asnjë përjashtim, u treguan të gatshëm të bëheshin pjesë e këtij projekti.

Ata janë të gjithe profesionistë, me një karrierë të pasur artistike si në Shqipëri, ashtu edhe në Kanada. Kemi bindje që koncerti do jetë mjaft cilësor si nga përzgjedhja e numrave artistike, ashtu edhe nga mjeshtëria e lartë e interpretimit. Publiku do shijojë një mbrëmje të veçantë që do mbetet gjatë në kujtesën e tyre.

Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në këtë rrugëtim?

Idene e diskutuam fillimisht me disa miq të afërm, për të marrë edhe opinionet e tyre.

Një nga bashkepunëtoret kryesorë që në hapat e para të projejtit ka qenë sponsori mediatik i koncertit, emisioni ‘Pasqyra Shqiptare’ në Toronto, me producent z. Ilir Lena. Që në bisedat e para me të, Iliri është treguar jashtëzakonisht i gatshëm dhe dashamirës, duke na dhënë një mbështetje të madhe profesionale në realizimin e spoteve të shumta promovuese të koncertit dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës.

Sigurisht që artistët pjesëmarrës janë ata që bënë të mundur këtë koncert. Edhe pse të gjithë janë të angazhuar me punët e përditshme, jetën e tyre familjare, projekte të ndryshme artistike etj., e gjetën kohën dhe mundësinë për të dhënë vullnetarisht kontributin e tyre në këtë projekt. I falenderojmë të gjithë.

Gjithashtu, falenderojme ne menyre te vecante disa biznese te suksesshme shqiptare dhe miq qe na jane gjendur prane dhe na kane ndihmuar ne promovimin e koncertit. Përmend këtu Europian Pattiserie, Old Mill Café’, Mashu Mashu Mediteranian Grill, miqtë tanë Minire Omeri, Semi Luzi Balili, Vilma Mebelli, Roland Lelaj e shumë të tjerë.

Eshtë për t’u përgëzuar fakti që edhe një biznes i huaj « MD Renovation », me pronar Mike Ditkov, u tregua i gatshëm të bëjë një kontribut jo të vogel financiar për koncertin. Në bisedat e shpeshta që kam pasur me të, ai gjithmonë shprehet se nuk ka rëndësi se nga ç’vend janë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë, rëndësi ka që ti ndihmosh ata.

Ku do të shkojnë të ardhurat e koncertit ?

Duke qenë se të gjithë pjesëmarrësit në koncert po vijnë në mënyrë vullnetare, të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave, pasi të jetë paguar salla dhe shpenzimet e tjera, do te shkojnë nëpërmjet Fondacionit ‘Firdeus’ dhe emisionit ‘Shqiptaret për Shqiptarët’ në ndihmë të shqiptarëve në nevojë. Shuma e mbledhur do të bëhet publike që në koncert dhe shpresojmë që pjesëmarrja të jetë maksimale. Sa më shumë spektatorë të vijnë për të shijuar një mbrëmje të këndshme artistike, aq më shumë njerëz në nevojë do ndihmohen.

Kush janë të ftuarit e mbrëmjes?

Siç e përmendëm edhe me lart, të ftuarit e mbrëmjes janë disa nga artistët më të shquar shqiptaro-kanadeze që me punën dhe talentin e tyre kanë bërë shumë për artin shqiptar.

Duke filluar nga violinisti dhe kompozitori Jani Papadhimitri me vajzat e tij Sofia dhe Livia, pjesë e trios ‘Fammus’, Nderi i Kombit, ikona e valles shqiptare Liliana Cingi, prezantuesit dhe aktoret e njohur jo vetëm për publikun shqiptar, Ana Golja dhe Xhemi Agaj, këngetaret e sukseshme Tringa Rexhepi, Xhoi Bejko dhe Rudina Delia, instrumentistët e talentuar Rudin Lengo, Entela Galanxhi, Marjeta Cako, Qazim Kallushi, Shkëlqim Tafaj dhe Granit Kamberi, aktori dhe regjisori Gent Bejko që do i japi nota humori koncertit, grupi i valleve ‘Shqiponjat e Vogla’ nën drejtimin e koreografit te mirënjohur Ramazan Këllezi, kori i të rinjve të Marlee’s Got Talent me drejtuesen e apasionuar Ina Xoxa etj.

Jemi shumë të kënaqur dhe falenderojmë z. Këllezi dhe znj. Xoxa që edhe të rinjtë po bëhen pjeseë e këtij koncerti dhe po japin kontributin e tyre human në këtë projekt.

Gjithashtu falenderojmë në veçanti artistët kanadeze, Scott Christian, Daniel Bado dhe Kevin Arizo që pasi dëgjuan për koncertin, shprehën dëshirën për të marrë pjesë dhe ndihmuar me artin e tyre. Ky është pikërisht dhe lajtmotivi i koncertit, të gjithë bashkë për të bërë diçka të mirë.

Cilat janë vlerat e një aktiviteti me karakter human?

Ne mendojmë që vlerat duhen parë nga disa këndvështrime. I pari dhe kryesori është që po ndihmohet ajo pjesë e shoqërisë që për shumë arsye nuk i ka mundësitë e shumicës prej nesh. Duke qenë se mekanizmat e ndihmës institucionale nuk funksionojnë ashtu siç duhet, ndihma e gjithsecilit nga ne, sado’e vogël, bëhet akoma edhe më e vlefshme.

Gjithashtu, e rëndësishme është që gjithsecili po jep diçka nga vetja. Në rastin konkret, artistët po japin përkushtimin, mjeshtërinë dhe talentin e tyre, të gjithë ata që po ndihmojnë me organizimin dhe promovimin e koncertit po marrin kohë nga angazhimet e tyre të përditshme, dhe se fundi publiku me pjesëmarrjen në koncert do bëjë të mundur grumbullimin e sa më shumë fondeve. Prandaj e theksoj edhe një herë që një pjesëmarrje maksimale do ishte jo vetëm një vlerësim i madh për artistët, por njëkohësisht edhe një ndihmë e konsiderueshme për njerëzit në nevojë.

Sipas jush, për çfarë kanë vërtet nevojë shqiptarët?

Mendoj që ne shqiptarët duke përfshirë këtu edhe veten, kemi nevojë për të parë pak më shumë rreth vetes, për ti’a shtrirë dorën më shumë njëri -tjetrit. Prandaj edhe emisionet si ‘Shqiptarët për Shqiptarët’, ‘Fundjava ndryshe’ e shumë të tjerë të karakterit bamirës kanë pasur shumë sukses këto kohët e fundit, sepse ata ato po krijojnë modele që gjithmonë e më shumë njerëz po i ndjekin. Shpresojmë që edhe ky koncert bamirësie, përveç promovimit të vlerave të artistëve dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, të japë një mesazh sado modest në këtë drejtim.

Faleminderit. /Albania Montreal Press

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco