Ëngjëlli i birucave, Atë Pjetër Meshkalla, si u arrestua më 29 prill 1967

Ëngjëlli i birucave, Atë Pjetër Meshkalla, si u arrestua më 29 prill 1967

08:25, 30/04/2019
A+ Aa A-

Gjigant i fesë e i kulturës shqiptare, Atë Pjetër Meshkalla është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës katolike e të popullit të vuajtur shqiptar në periudhën e regjimit komunist, dëshmitar dhe mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore, njoftoi Vatikani.

Më 29 prill të vitit 1967 u arrestua nga regjimi komunist Atë Pjetër Meshkalla,  jezuit meshtar shembullor, dëshmitar i patrembur i Krishtit, pishtar i demokracisë, i cili u dënua me 10 vjet burg për "agjitacion e propagandë" nga regjimi komunist.

Atë Meshkalla lindi në Shkodër më 26 shtator 1901, ndërroi jetë më 28 korrik 1988. Gjigant i fesë e i kulturës shqiptare, Atë Pjetër  Meshkalla është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës katolike e të popullit të vuajtur shqiptar në periudhën e regjimit komunist, dëshmitar dhe mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore.

26 shtator 1901 - 28 korrik 1988: ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës nga Shkodra, ku kishte lindur. E ndërmjet këtyre dy datave kemi një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij: fillimisht studimet në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera në Linc të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi meshtarak i Atë Pjetër Meshkallës në Shkodër më 1931.

Veprimtaritë e panumërta pastaj të Atë Meshkallës, që nga themelimi i Rrethit të Dom Boskos në Tiranë për edukimin e rinisë më 1934, te rrethi i Shën Pjetrit, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta e të pandërprera ungjillore e fetare, si takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz në Sakramentin e Rrëfimit në rrëfyestore, ku Atë Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte çdo besimtar pendestar duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e Zotit.

Pastaj duhet përmendur bashkëpunimin e Atë Meshkallës me revistat e gazetat më në zë e të rëndësishme të kohës, guximin për të mbrojtur haptazi bindjet fetare e njerëzore, pa marrë parasysh rrezikun e jetës, arrestimi me 1946, burgjet, ku Atë Pjetri bëhet mësues i shumëkujt, kampet e skëterrshme komuniste, ku çon dritën e qiellit, aq sa të quhet “Engjëlli i birucave” deri te lirimi, më 1960 e te profecitë e shprehura në letrat e famshme drejtuar kryeministrit komunist të kohës e shqiptuar në kulmin e reaksionit.

Ballë për ballë persekutuesve të tij, në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin e tij prej meshtari e dëshmitari të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit të lirisë: “Ju – tha atë Pjetër Meshkalla - mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se pra do të jem i lirë. Ndërsa ju keni hangër shoqi-shojin”.  Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e edhe një herë kanë me u nderte Kishat e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”.

I burgosur dy herë nga regjimi komunist, Atë Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës të persekutuar katolike nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar: “Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësua historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robnì, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944, janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë".

Në një tjetër moment, Atë Meshkalla pati pohue: “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët...zhduken, zhyten, nuk shihen ma.... hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë...deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë... Qe ambicioni i temelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumturn!”

Jezuiti shqiptar, Atë Pjetër Meshkalla, vdiq më 28 korrik 1988. Sot, të gjithë jemi dëshmitarë të realizimit të kësaj profecie dhe të mirave të lirisë e të demokracisë, që gëzon shoqëria shqiptare, e cila ka për themel gjigantë si Atë Pjetër Meshkalla. Prandaj, nuk e teprojmë kur pohojmë se Atë Pjetër Meshkalla, i prin njeriut në rrugën e humanizmit e të shenjtërisë. Si Shën Nënë Tereza, Ai është shembull i dashurisë në veprim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco