Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Droga e Xibrakës

FOTO/ 15-vjeçarja që 'do të digjte' Kombinatin dhe pushkatimi i të dashurit, Sokol Sejko Në foto eksperimenti hetimor dhe shkrepsja e pretenduar se do digjta kombinatin

FOTO/ 15-vjeçarja që 'do të digjte' Kombinatin dhe pushkatimi i të dashurit, Sokol Sejko

12:39, 07/04/2019
A+ Aa A-

Nga Kastriot Dervishi

Fotografia bashkëlidhur është eksperimenti hetimor i zhvilluar për gjoja “aktin e diversionit”, sikur kjo vajzë 15-vjeçare tekstiliste do digjte objektin e industrisë komuniste. Dy dërrasa e pak pambuk ishin nxirë aksidentalisht më 22 prill 1973 në një nga mjediset e Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat, ndërsa vajza ishte prangosur se kishte dashur “të digjte kombinatin”.

Në mjedise të kombinatit, vende ku mblidheshin masivisht njerëz, filloi të pëshpëritej gjithnjë e më shumë nën zë e mbi zë se pas kësaj ngjarjeje qëndronte Sokol Teme Sejkos (i vitlindjes 1950) pasi ai kishte të dashur, vajzën Fëllënxa Lundra.

Dashuria e të rinjve ishte e vetmja e vërtetë e kësaj historie. Sokoli, punëtor në kombinat, merret nga Sigurimi në përpunim paraprak më 30.4.1973 për “diversion në ekonomi” nga punëtori operativ Abedin Çaushi. Nga gjurmimi nuk del asgjë. Hartohen gjithë ato plane, por asnjë fakt nuk del rreth akuzës. Ndërkohë edhe Thëllëza përpunohej në kushte arresti.

Nga kampi i grave nr.318 i Qytetit Stalin (Kuçovës) dërgohet me legjendim e dënuara për vjedhje, bashkëpunëtorja e Sigurimit “Flutura”. Kjo dërgohej në Berat gjoja për hetime. Pavarësisht se provokohet shumë herë, nuk rezulton të kishte ndonjë akt të porositur. “Flutura” e pyet dhe provokon vazhdimisht vajzën, për të nxjerrë diçka, sipas vijësjelljes që ka marrë, por asgjë e vlefshme nuk del që të ketë lidhje me djegien e kombinatit. Ja çfarë debati zhvillohet në qeli më 28.5.1973 midis bashkëpunëtores dhe të arrestuarës:

“Flutura”: Po u dogj fare pambuku atje?

Thëllëza: E shuajtëm fare moj.

Sokoli arrestohet më 3.6.1973. Dosja hetimore në ngarkim të Sokol Sejkos ka pikësëpari detyrën të përmbysë atë që ka dosje formulare në të cilën nuk del asgjë që të provonte akuzën e ngritur. Sokol Sejko nuk pranon asnjë akuzë, por as nuk ka frikë të shpreh bindjen e veta. Midis të tjerash shprehej:

“Unë nuk e dua këtë parti e këtë pushtet qysh nga koha që mua nuk më dhanë të drejtën të ushtroja një zanat. Ndaj tyre kam ushqyer urrejtje e hakmarrje. Kam mbajtur shpresë në ndërhyrjen e forcës amerikane në Shqipëri për të ndryshuar gjendjen ekonomike, të përmbysnin pushtetin që është në Shqipëri për të ndryshuar gjendjen politike dhe të vendosnin pushtetin sipas modelit të tyre”.

Me vendimin nr.12, datë 26.1.1974 Gjykata Popullore e Beratit e deklaroi fajtor e dënoi Sokol Sejkon me pushkatim të akuzuar në bazë të neneve 64 e 76 të Kodit Penal me vdekje dhe në bazë të neneve të tjera 70 e 73 me burg. Përfundimisht e dënoi me vdekje. Dy të tjerët që u përfshinë kot në proces u dënuan me nga 25 vjet dhe 20 vjet. Thëllëza u dënua me 6 vjet burg.

Sokol Sejko refuzon të kërkojë falje. Në mungesë të tij, gjyshi dhe familjarë të tjerë i drejtohen Gjykatës së Lartë. Por kjo e fundit, e la në fuqi, me vendimin nr.176, datë 9.2.1974. Edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi t’i falë jetën.

Sokol Sejko u ekzekutua më 6.3.1974, ora 24.00, “në vendin e caktuar”. Në fjalët e fundit të tij deklaroi:

“Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ashtu siç nuk më takuat kur unë isha 9 vjeç me babain tim kur ai u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes time. Afrohuni edhe pak edhe shtini”. Ishte vetëm 24 vjeç. Urdhër pushkatimi ndaj vetes më parë kish dhënë vetëm Themistokli Gërmenji.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Kot fare09/04/2019 08:19

Dhe ironia me e madhe ..... Punetori operativ eshte qytetar amerikan prej vitit '91-'92. I ka dale llotaria qe ne ate kohe. Hajde merre vesh kete pune!

Shto koment

Denonco