Në poçarinë e krijimit të një romani-Nga Mira Meksi

Në poçarinë e krijimit të një romani-Nga Mira Meksi

23:34, 18/03/2019
A+ Aa A-

Nga Mira Meksi

Lexuesi modern sot është ndërgjegjësuar se ai merr pjesë aktive në ‘gjallimin’ e një vepre letrare, nëpërmjet aktit të leximit. Ky rol i tij në jetën e veprës letrare bëhet edhe më i rëndësishëm po të kemi parasysh se leximi i mirë është edhe interpretim dhe sa më tepër interpretime të ketë një vepër letrare, gjithmonë nëpërmjet aktit të mëvetësishëm të leximit individual, aq më shumë pasurohet dhe zgjatet jeta e saj.

Është si të thuash një lloj stafete, shkrimtari e shkruan veprën, e nxjerr në jetë dhe lexuesi i siguron gjallimin. Dhe në këtë ‘bashkëpunim’ shkrimtar-lexues, përherë e më fort lexuesi po kërkon të hyjë në atelienë e shkrimtarit, në punishten e tij, atje ku ngjizet balta e krijimit dhe të njohë procesin e krijimit të veprës letrare, të cilës më pas ai vetë ka për t’i siguruar vazhdimësinë jetësore, madje të kuptojë se përse shkruan shkrimtari, cilat janë arsyet e tij? Të njëjta gjithsaherë? Të ndryshme përherë?

Ka shkrimtarë që ia kanë mbyllur përgjithmonë lexuesit portën e punishtes së tyre të krijimit. Mu përpara hundës dhe që në krye të herës. Ka të tjerë që e kanë shpallur se procesi i tyre i krijimit nuk mund të tregohet, sepse zhvillohet në pandërgjegje, aq sa krijohet përshtypja se ata bien në një gjendje transi për të krijuar.

Edhe më parë, edhe në të tjera hapësira jam përpjekur të shpjegoj atë çka ndodh në poçarinë time të krijimit, kur duart i kam të ngjyera me baltë krijimi deri te bërrylat, duke i bërë nder fjalës që përdor Jorge Luis Borges-i për krijuesin ‘El hacedor’, ai që krijon prej baltës, poçari.

Nuk kam frikë se mund të bie në përsëritje me shpjegimet e mia, sepse ky proces, ndonëse ka ndonjë element që përsëritet, është i ndryshëm gjithsaherë nga vepra në vepër. Ashtu siç ka vërtet edhe pjesë të tij që i shmangen me ngulm shpjegimit dhe në atë pikë ngre duart lart dhe dorëzohem, duke iu lutur lexuesit të dhembshur të më kuptojë.

Po mbushet pothuajse një dekadë që i jam përkushtuar shkrimit të përditshëm, që do të thotë se koha ime më e mirë e përditshme është për shkrimësinë. Ka kaluar tanimë përmbi një vit që në poçarinë time po merr formë një roman i ri, të cilin e kam pagëzuar përkohësisht ‘Diktatori mbi kryq’, por që edhe mund të ndryshojë emër dhe mbiemër në finalizimin e tij dhe lexuesi ta gjejë me një tjetër titull.

Ashtu si në çdo vepër letrare, që mban në themel të ngrehinës së saj ide ngjizëse, edhe ky roman ka një varg syresh, porse ideja parake e tij është pothuaj njëlloj si tek ‘E kuqja e demave’, dhe e ardhur nga fëmijëria: Ikona. Ia kam shpjeguar lexuesit tim se disa ikona të fshehura në sëndukun e gjyshes sime kanë qenë gjatë viteve të gjata të fëmijërisë, jo vetëm objekti i soditjeve të mia të magjepsura me orë të tëra, duke u rishtuar kështu pa dashur në soditjen e ikonës si koncept teologjik, por edhe në përndezjen e imagjinatës fëmijërore përtej realitetit të çdo dite dhe krijimin e vetë engjëllit tim.

Studimi që i bëra universit të ikonës më pas, sidomos asaj të Onufrit në vigjilje të shkrimit të romanit ‘E kuqja e demave’, përgatitja ime për të, më ndriçoi mendjen kur përpara dy vjetësh pashë rastësisht në një emision televiziv kushtuar kishës së Shën Mërisë së Labovës, imazhin e ikonës së Krishtit Pantokrator të kësaj kishe dhe më aftësoi të kuptoja se bëhej fjalë për një ikonë të jashtëzakonshme.

Diçka lëvizi në mendjen time prej krijuesi, sepse nuk mënova gjatë dhe shkova ta shihja me sytë e mi në kishën e Labovës së Kryqit ikonën që premtonte të më rrëmbente: ishte e madhe, solemne, unikale, e realizuar me një art të madh ikonografik, dhe rrezatonte një pushtet të fuqishëm, të pazakontë e plot mister. Në dritaren qendrore të saj ndodhej Krishti Pantokrator, i cili rrethohej nga dymbëdhjetë skena ikonografike që paraqisnin Via Crucis, Udhën e kryqit. Ishte pa dyshim një ikonë me skena e shekullit XIII, e porositur me gjasë, enkas për kishën e Labovës.

Një kozmos i patëdytë u hap para meje brenda në kishën 1500-vjeçare të Hyjëlindëses, mbrojtëses së Kostandinopojës, e ndërtuar nga vetë perandori Justiniani I. Pikërisht aty, brenda atij kozmosi dhe në atmosferën e tij në kishën e Labovës, krejt natyrshëm, lindi edhe personazhi im i parë dhe kyç i romanit që do të formëzohej paskëtaj: ishte baroni gjerman F. von Guttenberg, albanolog, dishepull i albanologut të famshëm Franz Nopca dhe njohës i shkëlqyer i veprës së Norbert Jokl-it. Fusha e studimeve të tij ishte parahistoria, historia e lashtë dhe etimologjia e shqipes. Bashkë me personazhin tim iu futëm leximit dhe studimit të dokumenteve dhe librave të shkruar nga autorë vendas e të huaj për kishën e Labovës, një nga më të rrallat në Europë, duke nisur kësisoj rrugëtimin e mundimshëm të romanit.

Pyetja rreth së cilës mblidhet një pjesë e lëndës së shkrimësisë, që krijon një linjë të parë në roman dhe për të cilën rreket të japë një përgjigje me hulumtimet e tij Guttenberg-u, lidhet me arsyet që e bënë perandorin Justinian të ndërtonte një kishë perandorake në një vend si Labova. Ose më mirë me rëndësinë e kryeqendrës së Labovës, të cilës i dhanë emrin dy perandorë, Hadriani dhe Justiniani, dhe me rëndësinë e një besimi të fuqishëm pagan parak siç ishte ai i lisit.

Në këtë pikë të ngjizjes së baltës krijuese, në logjikë të zhvillimit krijues, futet si një përbërës i rëndësishëm dhe bartës i disa shpjegimeve që lidhen me punën zanafillore të albanologut gjerman një tregimi im, që lexuesi tanimë e njeh, kushtuar stërgjyshit tim prift dhe patriot, studiuesit të shqipes, mikut të Fan Nolit dhe krijuesit të disa shkollave shqipe në Rrethin e Fierit, At’ Isaisë te ‘Prifti i mallkuar dhe gjuha e shenjtë’ (gjendet në përmbledhjen me tregime ‘Flutura mes gjinjve’). Pjesë të këtij tregimi rishfaqen në roman, por shkohet më tej në zbulimet e At’ Isaisë për gjuhën shqipe dhe karakterin e saj levitik, si stafetë prej zbulimeve të albanologut Guttenberg në arkivin e lashtë të kishës së Labovës.

Porse ende në këtë fazë të krijimit nuk ekzistonte nukli apo bërthama që do të vinte në lëvizje magmën e romanit. Ndërkohë që merresha me përjetimet brenda hapësirës së kishës, me arkitekturën e saj të jashtëzakonshme, me simbolet, misteret dhe enigmat e besimit, zbulova atë që e dinte e gjithë Labova, se në kishën e Labovës, si dhuratë perandorake, kish ardhur një kryq relikuar, në trupin e të cilit gjendej ashkla e drurit të shenjtë me atributet e Birit të Zotit: një pjesëz nga druri i kryqit ku Jezusi i Nazaretit u kryqëzua me tri gozhdë në Golgota, – ky kryq relikuar, i cili, sipas historisë, shënimeve të udhëtarëve të shquar dhe vetë banorëve të fshatit, kish bërë shumë mrekulli duke shëruar njerëz nga sëmundje të rënda, por që ishte zhdukur pas viteve ‘80, (sipas dëshmive të banorëve të fshatit ishte Pranvera Hoxha, e bija e Enver Hoxhës, ajo që e kish rrëmbyer kryqin e tyre të shenjtë, identitetin e Labovës së Kryqit) u kthye edhe në bërthamën që kërkoja.

Humba disa javë duke vrarë mendjes së përse vallë e kish marrë Pranvera Hoxha, pa e kthyer më kurrë kryqin e shenjtë të Labovës. Si mund të interesohej për kryqin bija e vetme e diktatorit, i cili bëri me fenë, besimin, njerëzit e fesë dhe institucionet e saj plojën më të madhe që ka ndodhur në faqe të rruzullit? Sigurisht, imagjinata krijuese sërish u vu në punë. Mendova për hipokrizinë e madhe të farkëtuesve të diktaturës së kuqe, për ata që i vunë zjarrin besimit dhe që ishin të gatshëm pastaj t’i faleshin kryqit mrekullibërës të Labovës.

 

Përherë më ka tërhequr marrëdhënia e njerëzve të fuqishëm, që veten e ka njëjtësuar veç me perënditë e qiellit, me vdekjen e tyre. Në romanin tim të parë ‘Frosina e Janinës’, e kam përshkruar një marrëdhënie të tillë: Ali Pashai i Janinës përballë vdekjes, pasvdekjes dhe përjetësisë së tij. Përfytyroni se sa më e fuqishme është kjo përballje me diktatorin komunist Enver Hoxhën. Dhe kryqi i shenjtë i Labovës në mes. Një tjetër linjë e fuqishme satire u projektua në roman: Hoxha komunist që kërkon shpëtimin e shpirtit të rënduar nga krimet, apo përjetësinë prej kryqit të shenjtë.

Ndonëse tanimë romani është strukturuar dhe ka formën e një trilleri me suspens gati policesk, me vrasje dhe krime, ku agjentura të huaja janë vënë në kërkim të kryqit të Labovës, për hir të atributeve të tij të krahasuara me ato të vetë Jezu Krishtit, disa personazhe janë konsoliduar, sërish në poçarinë time të krijimit ndodhem në fazën ku përpara meje kam dy ishuj, njërin në fillim dhe tjetrin në fund dhe në mes ka vetëm ujë.

Një tjetër enigmë shumë e fuqishme fshihet në kishën e Labovës, shumë më e fuqishme se kryqi i saj relikuar. ‘Relikja e shenjtë’ e quan patriarku Aleksej I i Rusisë, ‘misteri i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i besimit ortodoks’ apo ‘fuqia e Kostandinopojës’. Me gjasë, lufta e madhe që bëhet nga shërbimet e huaja në Shqipëri gjatë kohës së luftës së ftohtë, bëhet pikërisht për të dhe jo për kryqin që diktatori Hoxha ka shtënë në dorë. Lënda krijuese do të mblidhet rreth këtij argumenti besoj për të mbushur zonën me ujë ndërmjet dy ‘ishujve’ të krijimit. Shpresoj të jetë kështu, sepse shpesh, shumë shpesh, ngjarjet dhe personazhet e vendosin vetë fatin e tyre dhe jashtë meje, njëlloj si edhe vendosja e pikës përfundimtare në roman./ Gazeta Liberale

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco