Më zuri gjumi! Më doli gjumi! - Nga Artan Fuga

Më zuri gjumi! Më doli gjumi! - Nga Artan Fuga

12:59, 13/03/2019
A+ Aa A-

Shkolla angleze prej shekujsh nuk ka lënë pa vendosur në dukje se te fjalitë që përdorim, te struktura e tyre, te fjalët e urta, te shprehjet, gjejmë të ngurtësuar padijen e njerzve të lashtë e të vjetër. Dija ka ndryshuar kurse fjalitë e struktura e tyre mbesin njësoj, pra e përcjellin në formë metaforash si pa e kuptuar, gabimin që dikur vinte nga shkalla e padijes së atëhershme. Shkenca evoluon, kurse gjuha mbetet pas.

Shkolla gjermane filologjike ka pasur në fakt prej shekujsh edhe ajo një përqasje tjetër. Sipas saj dikur fjalët ishin sintetike dhe në fjali të vendosura jepnin kuptime shumë të thella për njeriun. Më pas, fjalët u bënë më analitike, u thërmuan, një fjalë u ça në shumë fjalë të veçanta. Në këtë mënyrë ne që kemi një fjalor analitik nuk mund të kuptojmë as mendësinë dhe mënçurinë e brezave të shkuar, por as arrijmë të kuptojmë thelbin e njeriut sepse fjalët që e kanë ngjizur dikur njeriun, sintetike, sot nuk ekzistojnë më.

Të gjitha këto më vinin ndërmend dje kur kujtova dy shprehje shqip shumë të bukura.

E zuri gjumi!

Gjumi si diçka që të zë, të kap, të mbërthen, pra të vjen nga jashtë, si diçka që të mbërthen, të ve poshtë vetes dhe të mund.

Pastaj :

I doli gjumi!

Gjumi si një shpirt që del, si një fantazmë që ikën tutje dhe na rivjen përsëri duke na mbërthyer, na kapur, na zënë, si pija, si diçka që na sundon.

Gjuhë e lashtë shqipja. Ja duket. I ka rrënjët që në kohët e lashta të animizimit, ku dukuritë konsideroheshin si shpirtra që hynin e delnin nga subjektiviteti njerëzor.

Gjumi si një diçka më vete, e padukshme, e papashme, e pandjeshme, që na kap e pastaj del prej nesh për të na rihyrë përsëri.

E ndërkohë që mendoja sa më sipër, nga dritarja hynte kënga e një jevgu të vogël (e adhuroj fjalën jevg, ka shumë dashuri brenda) që përhapte në ajër që poshtë pallatit :

Më zuuuriiiii
gjumiiiiii
Te bregu lumiiiiiiii
O vjen dashnorja moj goceeeee
më zgjon nga gjumiiiiiiiii!

O jevgu im i vogël ç'më bëre të mendoj!

Aaaaaa, sa më pëlqeu kënga e tij. Shkolla angleze dhe gjermane bashkë e filologjisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco