Lajmi i fundit

LIVE/ Bylykbashi, Kaso dhe Çupi, konferencë për media në PD

7 Marsi/ Rushi Xhaferi, sfidat e misionit të mësimdhënies ne Kanada dhe një urim për kolegët

7 Marsi/ Rushi Xhaferi, sfidat e misionit të mësimdhënies ne Kanada dhe një urim për kolegët

18:37, 07/03/2019
A+ Aa A-

Montreal-Kanada

Prej mbarimit të studimeve universitare, Rushi Xhaferi jeton në Montreal. Prej shumë kohësh ai është profesor i gjuhës frënge në metropolin e Quebec.

Pas mbarimit të disa kualifikimeve mbi edukimin, Xhaferi do të na rrëfejë sot eksperiencën e tij si profesionist në fushën e edukimit.

Në një intervistë për Albanian Montreal Press, profesori i gjuhës frënge do të na tregojë pak më shumë mbi ecejaket e një suksesi në Kanada.

Ju jeni një mësues me një eksperiencë të konsiderueshme punë, mësues prej 11 vitesh në Kanada, çfarë mund të na thoni sot për këtë rrugëtim të gjatë në shërbim të dijes?

Ishte krejt rastësi që përfundova si mësues. Kur ndërmora studimet në gjuhën frënge, kërkoja me shumë një diplome sesa një profesion. Në vitin e tretë te fakultetit u bë një ndarje midis studentëve: mësuesi, specialist i gjuhës dhe përkthim. Është e tmerrshme se studentet më pak të ‘mirë’ u kualifikuan në specializimin mësuesi. Kjo tregon edhe rëndësinë (ose mungesën e rëndësisë) që institucionet i japin ketij profesioni. Ky realitet qëndron edhe në Montreal. Janë shumë shpesh studentet që konsiderohen me te ‘dobtit’ që drejtohen në degën mësuesi.

Fillimet në vitet e para ishin sa te vështira por edhe formues. Çdo ditë ndërroja shkollë në të gjitha cepat e Montrealit. Si zëvendësues, mund të them që kam dhenë mësim në çdo shkollë te qytetit. Kam pasur sa ditë të mrekullueshme edhe të vështira. Integrimi si imigrant është i vështirë, por si mësues është thelbësor sepse njohja e vendit pritës është kriteri i parë për ushtrimin e profesionit.

Me vonë mora statusin e përkohshëm, ëndrra e çdo imigranti. Punë e sigurt në funksionin publik. Ndoshta edhe pranga te arta. 11 vitet e fundit, kam qënë mësues i gjuhës frënge në klasat me nxënës imigrant që mësojnë gjuhen. Kënaqësia gjatë viteve ka qëndruar në faktin se këta nxënës për një vit kanë mësuar një gjuhë sa të vështire aq edhe të bukur (jo sa shqipja ;-)) për t’u integruar në një vend sa te ftohtë dhe mikpritës.

Nëpër vite, si mësues në Montreal, rruga ka qënë komplekse dhe profesioni ka pasur momente të vështira nga shumë vendime te qëverisë (edhe këtu politikanët ngelen politikanë) por mbi te gjitha një mësues duhet te ngelet mësues (dhe jo llogaritar që justifikon mungesat e fondeve për këtë apo atë arsye). Nuk je mësues ditën e parë në një klasë. Pedagogjia është cilësia që ka mësuesi për të ndihmuar çdo nxënës në rrugën e tij drejt dijes. Është me e lehtë ta thuash sesa ta bësh. Është akoma me e lehtë ta shkruash. Është e komplikuar ta praktikosh. E rëndësishme është të kesh dëshirën të tejkalohesh në profesionin si mësues.

Çfarë ndryshimi vëreni tek brezat pasi ju keni patur mundësinë të njiheni me shumë prej tyre?

Si mund të motivosh një nxënës me një shkumës në dorë kur në dorën e tij gjendet një telefon inteligjent? Pyetja mund te lind çfarë është dija në 2019? Kur kë gjithë botën në një aparat telefoni dhe kur të telefonosh është pjesa me e komplikuar, si mësues duhet te bësh disa pyetje mbi profesionin që po ushtron dhe te shikosh se çfarë rëndësie ke në një botë të tillë.

Nxënësit imigrant janë shumë te respektuar se vijnë nga jashtë. Por kam pasur raste të jap mësim edhe tek nxënësit ‘vendali’. Ky brez ka një kohë përqendrimi prej disa sekondash, domethënë e humb vëmendjen shumë shpejt. Është brezi. Shkumësi, qoftë edhe me ngjyra, është arkaik. Teknologjia është e pranishme edhe pse  ajo na ndihmon në shumë fusha, nuk duhet te na gënjejë se është zgjidhja e çdo problemi.  Sepse fjalia dhe kryefjala nuk kanë ndryshuar. Zgjedhimi është po ai, dhe drejtshkrimi nuk ka pasur ndryshim te madh. Leximi është aktivitet i cili të hap horizontet, qoftë në fletë libri konkret apo në një iPad.  

Kjo teknologji bën pjesë në ADN e brezave te rinj dhe brezat e rinj nuk janë më pak te zgjuar se brezat e tjerë edhe pse studime tregojnë se QI  (Quotient Intelectuel) mesatar ka renë në shekullin e fundit.

Megjithatë, çdo brez ka qenë gjithmonë i shqetësuar për të ardhmen e brezit te ri. Budallallëk ose xhelozi per shkak të humbjes së rinisë? Por, nëse në mendojmë se brezat e rinj janë me pak te ‘mençur’, kemi përgjegjësinë për t’i edukuar dhe mësuar që te jenë më të mirë se brezi i kaluar. Por xhelozia e gjeneratave i bën njerëzit ordinerë. Si mësues, në kemi detyrën për ta çuar këtë botë më tej.

Përveç jush, ju e ndani profesionin tuaj gjithashtu edhe me bashkëshorten tuaj. Si është jeta e një çifti mësuesish, a i ndani bashkë shqetësimet e profesionit tuaj?

Ky profesion është enërgjingrenës (enërgivore). Diskutimet e punës dhe shqetësimet mbi profesionin janë të shumta. Midis nesh ato ngrenë pasione te cilat nuk të lënë te shkëputesh nga puna. Megjithëse diskutimet janë te zjarrta disa herë, në shtëpi kemi vendosur të diskutojmë për arsimin në mënyrë të hapur. Shqetësimet janë të përbashkëta dhe ndodh edhe nga njëherë të mos jemi dakord. Por zakoni e do që te ulem dhe të them: Oui ma chérie, tu as raison!

A mund të na sillni disa kujtime që ju keni përjetuar gjatë kësaj periudhe të gjatë si mësimdhënës?

Nga t’ia filloj. Le te themi që situatat janë për t’u parë në tre kënde. Drejtorinë, kolegët dhe nxënësit. Me drejtorinë? Nuk është i njëjti realitet te jesh mësues në Shqipëri dhe në Kebek. Në vendlindje e mbyll gojën dhe i jep të drejtë drejtorit dhe nuk mendoj se situata ka ndryshuar. Në Montreal, ke gjithë të drejtën te kritikosh sistemin, por deri diku. Në të përditshmen time, drejtoria është si një partner dhe lider pedagogjik, që te shoqëron në ushtrimin e profesionit. Por hierarkia qëndron. Megjithatë në Montreal mësuesit kanë një te drejtë që quhet autonomia profesionale. Le te themi që në shkollë vendos drejtori, por në klase është shef mësuesi. Edhe përse kam pasur një marrëdhënie fërkuese me drejtoritë, e njoh vështirësinë e punës se tyre.

Me kolegët! Në vitet e para, kam mësuar shumë nga kolegët. Kam pasur fatin të punoj me profesionist të shkëlqyer përsa i përket pedagogjisë dhe metodologjisë. Megjithëse kam ndërruar 11 shkolla të mesme për arsye se postet dhe klasat me emigrant hapeshin në territore të ndryshme gjeografike, kam pasur rastin të kem një njohje të mirë të qindra mësuesve në një marrëdhënie pak a shumë të afërt. Konkluzioni është që dinamikat janë pak a shumë te njëjta.

Kam qenë në shkolla ku kush e kush të përfitonte nga avantazhe që kishte në dorë drejtoria. Lufta klanesh për pak pushtet dhe një të përditshme më të mirë. P.sh. një klasë më e madhe, nxënës me te mirë, orar punë me pak i lodhshëm, materiale të reja, kompjuterë në klase para te tjerëve. Nga jashtë një shkollë duket si vend paqe dhe ku të gjithë bashkëpunojnë për përmirësimin e rezultateve të nxënëse. Në realitet, është secili për vete. Dhe gjendja është keqësuar sidomos 5 vitet e fundit për shumë arsye. Buxhetet, politikat e qeverisë, etj.

Mendoj se koleget mund te jenë sa inspirues aq edhe demotivues në të përditshmen në punë. Është e rëndësishme të dish te krijosh marrëdhënie bashkëpunimi. Personalisht, nuk kam pasur asnjëherë vështirësi të kem marrëdhënie te shkëlqyera, por ka ndodhur që kam pasur edhe konflikte. Mendoj se konfliktet janë mundësia për të shkuar më larg dhe për t’u përmirësuar sepse janë reflektimi i problematikave ekzistuese që lejojnë përmirësimin e veprimtarisë si mësues. Por jo të gjithë e shikojnë në këtë mënyrë. 

Me nxënësit! Kur kam qenë vet nxënës kam pasur shumë pas mësues inspirues e shumta një. Mësues Engjëlli në shkollë te mesme. Mësues kujdestar, i qetë, i qeshur, mirëkuptues, mësues që fal. Një nga cilësitë e mësuesit, që ushtroj në të përditshme, është mos gjykimi i nxënësve. Është shumë e lehtë te kesh paragjykime për nxënësit dhe të mendosh se ai është kështu dhe ajo është ashtu.  Pranimi i çdo nxënësi siç është te lejon ti çosh shumë larte. Në frëngjisht fjala nxënës është domethënëse sepse do te thotë la ngresh lart, nga ana e dijes. Por edhe në shqip fjala do të thotë shumë. Ai që nxë, që kupton dhe që mëson. Shpesh herë mësuesit mendojnë se nxënësit janë gdhe. Ai është gdhe, nuk nxë. Por është e pamundur sepse të gjitha studimet tregojnë se te gjithë personat sado të vegjël kanë te gjitha kapacitet për të mësuar. Problemi është vlerësimi që në bëjmë. Sistemi unë është i bazuar në një sistem përqindje ku nota merr me shumë rëndësi sesa dija.

Por mësimdhënia nuk është domosdoshmërish mësimnxënia. Në këto 11 vite, kam pasur me qindra nxënës edhe perse ata kanë qenë te ndryshëm, të gjithë kanë pasur dëshire të avancojnë. Vështirësia e mësuesit është të mos bjerë pre e paragjykimeve dhe trajtimit te nxënësve në të fortë, mesatar dhe te dobët. Kjo ndarje është një realitet me te cilin nuk pajtohem.

Në shkollë e denoncoj sa herë që mundem këtë realitet. Personat përballë, mësues, drejtori, këshilltarë pedagogjike por dhe aktorë të tjerë te arsimit kur më dëgjojnë ngrenë supet duke më lënë të kuptoj që ky është sistemi dhe sistemi është sistemi. Por asnjë gjë nuk e pengon inteligjencën që te mendojmë se sistemi mund ta këtë gabim dhe në këtë rast e ka gabim. Si njerëz të shpërndarjes së dijes, në kemi përgjegjësinë të reflektojmë dhe të mbajmë mend historinë. Shumë sisteme kanë renë dhe e dimë tashmë se kanë qenë sisteme të gabuar dhe të padrejtë: sistemi feudal, sistemi komunist, etj.

A keni ju një mesazh për kolegët tuaj shqiptarë në të gjithë botën?

Ju uroj të jenë të lumtur në profesionin që praktikojnë. Mendoj se realitetet ndryshojnë sepse ne duam t’i ndryshojmë. Nuk është e lehtë të përmirësosh gjërat se ndryshimet kanë shumë rezistence përballë. Por konformizmi është i rrezikshëm. Më kujtohet një replike e filmit ‘Vdekja e kalit’, i vitit 1992. Në një nga sekuencat e fundit, spiuni i cili e futi në burg personazhin kryesor, Agronin, pasi ra regjimi ishte bërë deputet, dhe kur e rastis në rrugë shfajësohet duke thënë se ishte faji i sistemit.

Është kollaj, për arsye nga me të ndryshmet por mbi të gjitha frikë, të fajësosh sistemin apo të tjerët. Forca e mësuesit qëndron në shtysën që ky profesion na jep që ta transferojmë në dëshirë për të ardhmen; në motivim për të tejkaluar limitet; në zgjuarsi për të gjetur zgjidhje për një planet më të pastër, dhe me barazi më të madhe. Festa e mësuesit më jep mundësinë t’ju uroj gjithë mësuesve shqiptar në bote Gëzuar festën e 7 Marsit!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco