Në burg me urdhër të kryeministrit, historia e Saimirit

Në burg me urdhër të kryeministrit, historia e Saimirit

09:03, 27/02/2019
A+ Aa A-

Nga Kastriot Dervishi

Partia e Punës ishte mbi çdo organ gjyqësor. Ajo vendoste mbi personat që duheshin proceduar, pra për kalimin përfundimtar nga procesi agjenturor-operativ (i fshehtë) në atë hetimor-gjyqësor (ligjor).  Kodet ishin vetëm pjesa procedurale. Dega e Sigurimit të Ushtrisë (DSU) ishte strukturë e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, e cila vepronte në radhët e ushtrisë me bashkëpunëtorë dhe të ndjekur.

Një informacion i DSU-së i datë 26.4.1976 nxjerrë nga dosje formulare për oficerin Saimir Reshit Maloku, lindur në Tiranë më 12.7.1946 oficer ndërlidhjeje në korpusin e Burrelit (reparti nr.3711) nga viti 1968 iu dërgua ministrit të Mbrojtjes Popullore, njëkohësisht edhe kryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike, Mehmet Shehu.

Thuhej se Saimiri rridhte nga një familje me origjinë nëpunës i mesëm. Babai kish mbaruar shkollën teknike të Fultzit dhe kish qenë edhe në Itali. Shtëpia e tyre ishte frekuentuar nga turistë të huaj anglezë e suedezë në vitet 1972-1973. Më 1.4.1973 Saimir Maloku ishte këshilluar dhe propozuar për lirim, por ministri e kish kthyer këtë masë.

Më 24.1.1975 Saimiri ishte marrë sërish në përpunim aktiv për agjitacion e propagandë. Nga të dhënat e 8 bashkëpunëtorëve dhe 4 kallëzimtarëve dilte se zhvillonte agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Bashkëpunëtorëve “Zalli”, “Pëllumbi” dhe “Devolli”, Maloku u ka folur jo vetëm keq kundër PPSH-së me krahinorizmin në parti e pushtet, por edhe për jetën e mirë që bëhej në Perëndim, për muzikën e huaj, etj. Për këtë arsye, Mehmet Shehu lë këtë shënim në dokument më 4.5.1976: “Të arrestohet menjëherë. Është armik i poshtër!”.

Në kohë rekord, Saimiri arrestohet më 13.5.1976. Me vendimin nr.11, datë 28.8.1976 Kolegji Ushtarak i Gjykatëssë Rrethit Mat, e deklaroi fajtor dhe kryesisht në bazë të nenit 73 të Kodit Penal e dënoi me 13 vjet burgim dhe konfiskimin e pasurisë. Në vitin 1993 Gjykata e Lartë mori dy vendime të reja duke prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Saimir Maloku vuajti 8 vjet, 8 muaj, 18 ditë burgim. Dënimin e vuajti në Burgun nr.321 Burrel më 1976-1978, kampin nr.309 Ballsh më 1978-1979 dhe në kampin nr.303 Spaç në vitet 1979-1985. Me dekretin nr.6950, datë 30.1.1985 të Presidiumit të Kuvendit Popullor iu fal dënimi i mbetur. U lirua më 31.1.1985.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco