Albanologjia në zi/ Ndërron jetë akademiku i njohur

Albanologjia në zi/ Ndërron jetë akademiku i njohur

21:50, 13/02/2019
A+ Aa A-

Në moshën 102 vjeçare vdiq të mërkurën në Prishtinë, akademik Idriz Ajeti, një nga albanologët më të shquar në botën shqiptare.

Akademik Idriz Ajeti lindi më 27 janar të vitit 1917 në fshatin Topallë të Jabllanicës së epërme në komunën e Medvegjës, një nga tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Shkollimin e filluar në vendlindje ai e kishte vazhduar në Shkup, Zagreb e Itali, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore në Beograd. I doktoruar në fushën e gjuhësisë ai ishte kthyer në Prishtinë ku ishte shndërruar në një ndër ndërtuesit e institucioneve të arsimit të lartë derisa i dha një kontribut të jashtëzakonshëm gjuhës së njësuar letrare shqipe.

Studiuesit pohojnë se veprimtaria shkencore dhe mësimore e Idriz Ajetit i ka shërbyer emancipimit dhe përpjekjeve të shqiptarëve në ish-Jugosllavi për të drejta qytetare e sidomos për identitetin kulturor e kombëtar të tyre. Krahas studimeve për prejardhjen e shqipes, tipareve të saj themelore si gjuhë indoevropiane e ballkanike etj, ai u kushtoi një rendësi edhe marrëdhënieve të shqipes me gjuhët fqinje.

Akademia e shkencave dhe arteve të Kosovës, ku akademik Ajeti ishte kryetar në dy mandate, në njoftimin për vdekjen e tij, theksoi se studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot pa kontributin e tij.

“Akademik Ajeti ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re. Me vdekjen e Akademik Idriz Ajetit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur autoritetin nga më të mëdhenjtë të punës shkencor te ne, profesorin, veprimtarin, njeriun e urtë dhe të dijshëm”, thuhet në njoftim.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se vdekja e akademik Idriz Ajetit është humbje e madhe për Kosovën.

“Profesorin Idriz Ajeti do ta kujtojmë gjithmonë si një prej intelektualëve më të dalluar, që punoi shumë për albanologjinë. Ai dha kontribut të madh në jetën shkencore e kulturore në vendin tonë. Ngushëllimet më të thella për familjen Ajeti, ASHAK-un dhe gjithë kolegët e miqtë e akademikut Idriz Ajeti”, shkroi presidenti.

Ngushëllime për vdekjen e tij kanë shprehur edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, partive politike e shoqërisë civile në vend. / VOA

 

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco