Te Feimi, Tirana ishte Europë atëherë - Nga Artan Fuga

Te Feimi, Tirana ishte Europë atëherë - Nga Artan Fuga

09:51, 12/02/2019
A+ Aa A-

Aty nga vitet '60, ende fëmijë, futesha si i habitur dhe mahnitur në atë pastiçeri të vogël aty te rruga e Barrikadave.

Sigurisht nuk mund të shkoje çdo ditë atje sepse ishte luks i madh.

Shokë e shoqe të mi të asaj kohe, shkonin atje si unë, shoqëruar nga prindërit. Ndofta ishte dalja e së shtunës në mbrëmje.

Një lloj shëtitjeje duke dalë nga sheshi Skënderbej për në drejtim të spitalit, aty pak metra më tej ish librari Florës, tamam ku më pas u ndërtua pallati i shkrimtarëve të realizimit socialist, ishte një lokal bonbonerie në pak metra katror ku hyje nga një derë e vogël që jepte në rrugën e Barrikadave.

Ngjitur një orëndreqës, pastaj bari i famshëm "Te Tymi" si edhe dyqane të tjerë të vegjël që vinin nga Tirana e viteve '40.

Feim quhej i zoti i bonbonerisë. Një burrë i shkurtër, pa flokë, me faqe të kuqe, të rrumbullakta, pakëz të fryra, me sy të lëvizshëm dhe të zinj si ato të një hebreu.

Shërbente atje me dy djemtë e tij që dukeshin si dy binjakë. Të dy ishin të shkurtër sikur të kishin shtatin e atit të tyre, me kokë të rrumbullakët, pa flokë, me faqe të kuqe, disi të rrumbullakta dhe me sy të zinj të lëvizshëm, sikur të ishin hebrenj.

Tre feima!

Dera e pastiçerisë ishte hapur dimër verë. Mbulohej me një perde të formuar nga rreshta të tërë vertikalë mbushur me toptha të vegjël shumëngjyrêsh plastiku.

Ishte kënaqësi më vete kur me dorë hapje perden duke i ndarë rreshtat me toptha plastiku dhe të tjerë të binin në fytyrë e flokë sikur të përkëdhelnin.

Ishte sikur shkoje në teatër a në opera!

Ata të prisnin me mirësjellje elegante të njerëzve që janë aty për t'u shërbyer klientëve. Me krahë të shkurtër por që bënin lëvizje të shpejta dhe të prera. "Urdhëroni zotëri !"; "Po zonjë !", "Si urdhëron zonjushe !", këto ishin përgjigjet e tyre të shpejta dhe të prera, shoqëruar gjithmonë me buzëqeshje miqësore.

Visheshin me përparëse dritë të bardha, treçerekshe. Më kujtohen si tani, ngjanin si doktorë nga higjena e trupit të tyre dhe nga veshjet. Krahët e përparëseve ishin gjithashtu treçerekshe që u linin të dilnin gjashtë parakrahë burrash, paksa leshatorë. Duart topolake. I shihja me endje te futnin bombonat, karamelet, amaretat e vogla, pastat tortat me petë në ca qese letre bojë kafe, dritë të pastra, sikur ishin hekurosur me korrent.

I fusnin me aq kujdes në ato qese letre saqë dukej sikur mbanin në duar diamante të çmuar.

Bonboneria e tyre ishte një lokal i vogël ku nga të treja anët kishte mure të mbuluar me pasqyra kristali. Vetëm njera anë e saj, me xham të dyfishtë, jepte mbi bulevard. Tre katër tavolina me sipërfaqe mermeri tê bardhë me damare ngjyrë blu. Edhe toka ishte e veshur me pllaka me të njejtën ngjyrë. Në bar një aparat ekspresi. Ëmbëlsira, karamelet ishin futur në letra shumëngjyrëshe, amaretat dhe bonbonet, të gjitha ndodheshin brenda disa vazove të mëdha e të rrumbullakta prej xhami të kristaltë.

Njeri nga djemtë e Feimit fuste dorën topolake në to dhe pasi pyeste : Sa gramë dëshironi zotëri? - i vendoste çokollatat në qeset prej letre dhe i peshonte në një peshore metalike inoksi e prodhimit italian.

Sakohë që shërbeheshe mund të uleshe edhe në njerën nga katër tavolinat prej mermeri, në disa karrige prej hekuri, me ngjyrë të zezë, të rehatshme, qoftë për të pirë një kafe, qoftë për të degustuar një karamele, një amaretë, a një pufkë me sheqer që ta jepnion falas të zotët e pastiçerisë.

Nuk e di se çfarë më pëlqente atje më shumë, bonbonet dhe amaretat apo shërbimi që të sillte qetësi dhe butësi.

Aromat ishin të përzjera, mpleksur ajo e një kafeje ekspres me aromën e brumit të sheqerosur dhe të petëve të tortave. Gjithçka përgatitej aty. Kurrë nuk pashë të hynte e të dilte njeri nga deriçka pas banakut ku ishte atelieja e ëmbëlsirave. Asnjëherë nuk pashë njeri të furnizonte pastiçerinë kur klientët ishin në dyqan.

Nuk pipëtinte miza atje. Klientët flisnin me zë të ulët. Dëgjoheshin vetëm "të lutem" dhe "faleminderit", "nuk ka përse", "shto edhe 200 gram", "mirësetëvish herë tjetër zonjushe", "provojeni pak këtë tortë", dhe asgjë më tepër. As radio, as televizor, jo e jo, gjithçka e rrëmujshme, politike, shtypëse, ishte pas xhamave. Aty ishte mbretëria e kristaltë e pasqyrave dhe e mermerit.

Atë luks nuk e kam parë kurrë në Tiranë pas atyre viteve kur me shpronësimet e hoqën edhe Feimin me djemtë që andej. Një kohë rrezistoi si kafene e ushqimit social, por të tre feimat tani i kishin sytë me rrathë të zinj poshtë, me vështrime të habitura, faqet po u veniteshin, nuk dëgjohej më as "zonjë", as "zotni", një radio ishte instaluar atje në fund te banaku dhe darkave mund të dëgjoje lajmet duke blerë amaretat e tua që ishin gjithnjë e më të thata.

Deri sa nuk shkohej më.

Pallati shkrimtarëve socialistë i dha dërmën përfundimisht bonbonerisë duke i futur eskavatorin një bote fisnike ku shqiptari dinte ende të shërbehej si fisnik dhe të shërbente me poaq dinjitet dhe fisnikëri.

Te Feimi!

Nuk e gjej dot atë shik alla italian, në asnjë hotel të Tiranës së sotme. Nuk e kam gjetur veçse ndofta në Vienë, ndofta në Oslo, por jo në Athinë, jo e jo, në Gjermani, në Pragë as bëhet fjalë, as në Milanon e sotme, ndofta ka qenë në Napolin e viteve '30, me lupë ta kërkosh nuk e gjen më kund.

O bobo Tirana e luksit midis viteve 40 dhe 60!

Sa mirë që nuk e njohin të rinjtë e sotëm se kushedi sesa sëmundje depresioni do të kishin nga mërzia!

Tirana ishte Europë atëhere.

Mjaftonte Feimi per ta provuar.

Sa të lumtur brezat e sotëm që nuk e kanë shijuar atë luks human e të butë mes vorbullash që po ngriheshin.

Nuk e dinë ç'ka qenë, kënaqen me pak, shumë pak, sa të lumtur janë! Të shkretët!

Vendosni, vendosni një pllakë përkujtimore atje me këtë përmbajtje :

"Këtu ka qenë ëmbëltorja më e famshme e Tiranës për të gjithë shekujt : Te Feimi!

E shkatërruan shqiptarët.

Nuk do ta ndërtojnë dot më kurrë!

Mallkuar qofshin budallenjtë e çmendur për pushtet dhe për parà !

Rroftë njeriu!"

Nuk ka qytetërim nëse njerëzit nuk hanë çokollata dhe bonbone pasditeve dhe mbrëmjeve të së shtunës!

Kaq!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

I deshperuari13/02/2019 17:50

Nessun maggior dolor che ricordarsi...........

Shto koment

Denonco