Lajmi i fundit

LIVE/ Bylykbashi, Kaso dhe Çupi, konferencë për media në PD

Letër e Hapur mbi të vërtetën e historisë së ndërtimit të Pallatit Mbretëror, sot Pallati i Brigadave!

Letër e Hapur mbi të vërtetën e historisë së ndërtimit të Pallatit Mbretëror, sot Pallati i Brigadave!

14:38, 19/01/2019
A+ Aa A-

Nga Bujar Ferra

Shkas i shkrimit të kësaj letre u bë dokumentari me titull “Historia e ndërtimit të objektit simbol, Pallati Mbretëror sot Pallati i Brigadave” i ritransmetuar nga televizioni Klan në emisionin “Opinion”. 

Nuk dëshirojme as të ulim dhe as të ngremë vlerat e ideatorëve dhe atyre që e realizuan këtë dokumentar.

Si fëmijë të z. Xhemal Ferra, e ndjejmë për detyrë të mbrojmë dhe ta vëmë në vend djersën e derdhur nga babai ynë për atë objekt, që e kreu në sipërmarrje.

Mbasi e pashë me vëmendje dokumentarin e sipërpërmendur dhe dëgjova me vëmendje folësin, më lindi i drejta të bëj sugjerimet e mia për të informuar mbi të vërtetën e kësaj sipërmarrjeje, mbështetur në dokumentat që kemi marrë me shumë mundime nga Arkiva e Shtetit dhe ajo e Ndërtimit në Shqipëri. 

Në atë dokumentar nuk tregohet e plotë historia e këtij objekti, si filloi për t’u ndërtuar aty në kodrën e Mulletit, kush e mori në sipërmarrje, kush u caktua të udhëheqë punimet dhe a përfundoi objekti!

Folësi në dokumentar thotë se ndërtimi filloi në vitin 1938, mbas vendimit që mori parlamenti dhe qeveria e kohës.

Ne sqarojmë se shumë përpara vitit 1938, ishte marrë vendimi që të ndërtoheshin dy vila, një për ish-mbretin dhe tjetra për familjen e tij.

Për këtë ishte caktuar një fond  prej  180 000 Frar (monedhë e asaj kohe) dhe në sipermarrje iu dha babait tonë Xhemal Ferra, sipas vendimit të qeverisë së asaj kohe. 

Për nevoja të mbretit dhe të qeverisë të kohës u mendua që njëra nga vilat (ajo e ish- mbretit) të kthehej në pallat, ku përveç  banimi të kishte dhe ambiente të tjera për shërbime qeveritare të pritjes, etj.

Për këtë arsye, qeveria e asaj kohe merr vendimin të ngarkojë Ministrinë e Punëve Botore  (Ministria e Ndërtimit e asaj kohe) të lidhë kontratë private me shoqërinë XH.FERRA-H.SHEHU dhe caktohet vlera e re për ndërtimin e objektit në 220 000 Frar.

Përveç sa u tha më sipër, qeveria e kohës caktoi dhe dy inxhinierë, Vasil Noçkën dhe Giulio Berte (Italian) që kishin kompetenca të plota për kontrollin cilësor e materialeve, zbatimin e projektit dhe shpenzimet që shoqëria do të bënte për ndërtimin e këtij objekti.  

Folësi nuk pushoi së përmenduri Inxh. Berte, ndërsa inxhinierin shqiptar Vasil Noçka nuk u përmend në asnjë moment, ndonëse kompetenca dhe kontributi i tij ishin shumë më me vlerë.

Për rëndësinë që kishte objekti, shoqëria Ferra-Shehu derdhi në Bankën e Shtetit, sipas rregullave, shumën prej 10 000 Frar.

Për rëndësinë që kishte ky objekt, kemi vënë re, duke u mbështetur në dokumentat, se rruga për realizimin e tij ishte e vështirë sepse çdo gjë kalonte në sitën e imtë të këtyre dy specialistëve dhe dikastereve që ishin ngarkuar ta kontrollonin.

Përsa i përket mbarimit të këtij objekti, mjafton të përmend vetëm një fakt, shoqëria Ferra-Shehu në pranverën e vitit 1939, pak para pushtimit të Shqipërisë, i paraqiti inxhinierëve situacionin përfundimtar të punimeve me vlerë 246 000 Frar, dokument të cilin e disponojmë.

Dy inxhinieret kontrollues, këtij situacioni e korrigjuan me shkrim dore dhe situacioni ne fjalë arriti vlerën reale 267 000 Frar. 

Në dokumentar përmendet që objekti u la i pambaruar, por tejkalimi i vlerës prej 47 000 Frar tregon që objekti ishte mbaruar dhe i ishte dorëzuar administratës së kohës. 

Pra në kundërshtim me atë që thuhet dhe sipas provave që zotërojmë, objektin nuk e mbaroi Jacomoni, të cilit i bëhen elozhe më shumë seç duhet në dokumentar, ai objektin e gjeti gati të mbaruar nga babai ynë. 

Ai nuk pati kohë aspak të merrej me këtë objekt, sepse po merrej me përgatitjen e listave për burgosjen dhe internimet e njerëzve patriotë e të ndershëm, që në fillim të muajit qershor i dërgoi në kampet e internimit në Itali.

Në këto lista bënte pjesë babai dhe xhaxhai ynë, babain  e dërguan në Colfiorito dhe xhaxhain e dërguan në Abruzzo.

Jacomoni dhe shërbëtorët e tij vendosen vetëm emblemat dhe stemat e fashizmit dhe bënë ndonjë ndryshim tepër të vogël, sepse inxhinier Berte ishte i tyre.

Atij objekti nuk i munguan as instalimet elektrike dhe as ato hidraulike, që ishin impiante të veçanta dhe të vendosura në objekt.

Po ashtu, sipas kontratës, babai ynë realizoi rrugën lidhëse të objektit me rrugën nacionale (Rr. e Elbasanit), 570 m e gjatë dhe murin mbajtes, sepse kodra e Mulletit pati një rrëshqitje në atë kohë. 

Në këtë dokumentar nuk përmendet në asnjë moment puna që është bërë nga z. Xhemal Ferra; na takon neve dhe vetëm neve, që punën e tij 76-vjeçare ta mbrojmë aty ku duhet, mundësisht mos të hidhet mjergull mbi të.

Punën e tij e vlerësuan presidenti Gronki dhe kryeministri Fanfani i Italisë për kontributin në zhvillimin e industrisë tekstile.

Po ashtu, puna e tij u vlerësua dhe nga SHBA, nga presidenti Xhonson dhe me vonë ai Nikson, në lidhje me kompaninë e madhe të pambukut Anderson Clayton, i ftuar dhe zyrtarisht në ceremoninë e emërimit të Nikson, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Besoj dhe shpresoj se këto mjaftojnë për t’i dhënë vendin që i takon në vendin e tij të lindjes, që ai e deshi, e mbrojti dhe punoi pa rreshtur deri në frymëmarrjen e fundit. 

Bujar Ferra

Milano 17.01.2019

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Edvini,mbreti juaj19/01/2019 17:40

Sa për kulturë : Frar,zotni injorant,është monedhë e asaj kohe,por është Franga ari,dhe me shkurtim është Fr.ar.

Shto koment

Denonco