Mbyllet nesër Viti i Skënderbeut, shqiptarët e Romës do të mblidhen në Sheshin Albania

Mbyllet nesër Viti i Skënderbeut, shqiptarët e Romës do të mblidhen në Sheshin Albania

14:39, 16/01/2019
A+ Aa A-
Në Romë, shqiptarët e diasporës nuk mund të mos e kujtojnë Gjergj Kastriotin me vizitën tradicionale në monumentin kushtuar Skënderbeut, në Sheshin Albania, çdo 17 janar. Pikërisht me këtë nderim, që përsëritet çdo vit, organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Itali, kësaj radhe, edhe në bashkëpunim me shoqatën “Integra”, mbyllet Viti kushtuar Skënderbeut. Pra, nesër, në orën 15.30, të gjithë shqiptarët me banim në Romë e rrethina janë të ftuar në sheshin Albania për t’i bërë homazhe Heroit.

“Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, ju shpreh urimet më të përzemërta, të shoqëruara me lutje, Juve, vëllezërve tuaj ipeshkvij, autoriteteve civile dhe të gjithë popullit shqiptar, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, “kësaj figure të shquar të krishterë… vlerësuar prej Papëve të Romës”. Kështu shkruante Papa Françesku, një vit më parë, më 17 janar 2018, në mesazhin drejtuar kryetarit të atëhershëm të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra-s, për gjithë popullin shqiptar, që atë ditë fillonte kremtimet e Vitit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shkruan Radio Vatikani sot.

Nesër, në orën 15.30, në Sheshin Albania

Viti i afrohet tani fundit e pikërisht nesër, mbyllet në të gjithë trevat shqiptare, ku Heroi kombëtar është kujtuar me meshë, veprimtari kulturore, botime, ekspozita, mbrëmje tematike… Në Romë, shqiptarët e diasporës nuk mund të mos e kujtojnë me vizitën tradicionale në monumentin kushtuar Skënderbeut, në Sheshin Albania. Pikërisht me këtë nderim, që përsëritet çdo vit, organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Itali, kësaj radhe, edhe në bashkëpunim me shoqatën “Integra”, mbyllet Viti kushtuar Gjergj Kastriotit. Pra, nesër, në orën 15.30, në praninë e ambasadores Anila Bitri dhe të kryetares së shoqatës, Klodiana Çuka (njëkohësisht, kryetare e Fondacionit “Bridge for Future” me seli në Tiranë) të gjithë shqiptarët me banim në Romë e rrethina janë të ftuar në sheshin Albania për t’i bërë homazhe monumentit të Heroit.

Projekt me komunën e Romës për mirëmbajtjen e gjelbërimit rreth monumentit të Skënderbeut

Në komunikatën për shtyp të ambasadës sqarohet se shoqata e kryesuar nga Klodiana Çuka, “ka propozuar një projekt novator për vlerësimin e kësaj figure të shquar historike, duke nisur nga adoptimi formal i hapësirës së gjelbërt rreth Sheshit Albania, për të siguruar mirëmbajtjen e zakonshme nga ana e Komunës së Romës”. “Impenjim i vazhdueshëm – vijon nota e ambasadës – që synon kështu të vërë në pah kujtesën historike të themeluesit të ‘vendit të shqiponjave’, duke forcuar edhe lidhjet kulturore e politike të Italisë me Shqipërinë, përmes një roli më aktiv të bashkësive ‘arbëreshe’ (emigruar në Italinë Jugore që nga vdekja e Skënderbeut, më 1468), edhe ato të ftuara, me një përfaqësi të atyre që banojnë në Lazio, Abruzzo e Molise, trashëgimtarë të shumë emigrimeve shqiptare në shekuj, deri në atë më të fundit, të vitit 1991”.

Fjalët e homelisë në meshën e kremtuar në Lezhë, më 17 janar 2018

Duke i ftuar të gjithë shqiptarët të takohen nesër në orën 15.30, në Sheshin Albania, në Romë, tashmë në 551-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kujtojmë së fundi, se në homelinë e meshës së kremtuar në Lezhë, një vit më parë, imzot Angelo Massfra pati theksuar: “Kujtimi i 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut nuk dëshiron absolutisht të jetë kremtim i një lufte fetare, as dëshirë për të arsyetuar lumenjtë e gjakut, që kanë lagur Atdheun tonë për shkak të atyre luftërave. Në të vërtetë, Skënderbeu nuk ka bërë luftë fetare, por vetëm ka mbrojtur Atdheun nga pushtuesi dhe fenë e krishterë, pjesë e identitetit të popullit shqiptar në atë epokë. Aq më pak mund ta gjykojmë historinë “me mend pas kuvendit”, siç mendojnë të bëjnë disa sot, sepse parimi i parë i historiografisë është pikërisht ky: historia gjykohet me historinë. Të mos e harrojmë: Skënderbeu ishte “atleti i Krishtit”, ashtu sikurse Papa Eugjeni IV (ose Kalisti III) e ka përkufizuar, një njeri që, pikërisht sepse jetoi në oborrin e Sulltanit, vendosi pastaj të bashkohej me kauzën e popullit të vet dhe ta mbronte atë nga ato që ishin vetëm qëllime ekspansioniste të cilat nuk kishin aspak të bëjë me fenë, por vetëm me politikën”.

Fjalët e Papës Françesku, në takimin me shqiptarët në Vatikan, më 19 nëntor 2018

Edhe Papa Françesku, në takimin me shqiptarët në Vatikan, më 19 nëntor 2018 – veprimtari, me të cilën e mbylli Vitin kushtuar Skënderbeut ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë -  e pati theksuar idenë se Heroi Kombëtar është shprehje e një populli. Në atë rast, nënvizoi: “Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco