Historia, Mbretëresha e mbretër Pellasgo – Iliro - Shqiptarë

Historia, Mbretëresha e mbretër Pellasgo – Iliro - Shqiptarë

03:14, 07/01/2019

Për një numër të madh të mbretëreshave dhe mbretërve ilirë, që kanë sunduar Ilirinë, si dhe për shtrirjen e ilirëve dardanë dhe sundimin apo rolin e tyre në tri kontinente, edhe në kohën që quhet Perandoria Romake, sidomos në antikë, kujtoj se hedh dritë më së miri mendimi i Karl Patch-it, që flet për më së 16 perandorë apo mbretër ilirë, prej të cilëve 6 ishin dardanë, të cilët sundonin përmes Romës një pjesë të botës, siç konfirmon autori: “Shumë Ilirë morën perandorinë romake në dorë e u bënë madje edhe perandorë me peshë e me rëndësi të madhe. Ndër këta perandorë të mëdhenj, shpëtimtarë të Romës, numërohen: Klaudi II, Aureliani, Probusi, Karusi, Diokleciani, Konstantius Klarusi, Konstantin Magnus (i Madhi), Justini I, Justiniani e Justini I, Klaudi II, Konstant Klori e i biri i tij Konstantini i Madh, Justini I, Justiniani e Justini II ishin të gjithë prej Dardanie.” Siç po shihet emrat e ilirëve janë përtërirë në dinasti me emra të njëjtë, p. sh. Klaudi II,  Konstant Klori e Konstantini i Madh, Justini i I dhe i II dhe Justiniani etj. 

Është shkruar shumë edhe sa u përket fiseve të ilirëve dardanë dhe fiseve thrakase për nga përcaktimi i përkatësisë së tyre etnike, dhe përcaktimit të kufirit ndërmjet tyre, për të cilat çështje ka mendime të ndryshme të autorëve të ndryshëm. Mendimi im është se kufi të prerë ndëretnik ndërmjet këtyre dy popujve antikë, ilirëve dhe thrakëve nuk ka pasur, aq më parë sepse ka pasur lëvizje etnosesh, si dhe se që të dy gjuhët e këtyre dy popujve, ilirishtja dhe thakishtja burojnë nga një gjuhë e madhe e përbashkët, që është indoevropianishtja, të cilat edhe kanë shumë cilësi të përbashkëta gjuhësore sidomos në leksik dhe fonetikë historike. Mandej, dëshmohet se ka pasur lëvizje etnosesh, po edhe mbizotërime të ndërsjella luftarake, kulturore dhe ekonomike, duke krijuar shtresëzime gjuhësore, marrëdhënie apo ndikime që mund të ndriçohen më së miri me anë të fushës së sotme të onomastikës, që përbëhet nga antroponime, patronime, oikonime, oronime, hidronime, ekzonime, ktetikë etj., të dhëna këto që sot ekzistojnë në terren, dhe të cilat do t’i mbarshtrojmë përmes shqyrtimit të oikonimisë së Kosovës në diakroni dhe sinkroni.  Kështu, nga këto dy gjuhë ilirishtja dhe thrakishtja lindi shqipja, në të cilën sidomos gjatë krishterimit ndikuan gjuhë të tjera të mëvonshme, si gjuha romake apo latine, gjuha greke, gjuhët e sllavëve të jugut, e në kohën më të re pesçindvjeçare, gjatë islamizimit edhe gjuhët orientale, përmes turqishtes. Për t’i kuptuar shtresëzimet e këtyre gjuhëve, sidomos të ilirishtes dhe thrakishtes, po i citoj mendimet e disa studiuesve.

Sipas E. Gatti-t, mbretëria apo sundimi ilir ka zgjatur prej vitit 219 p. e. s. e deri në vitin 27 të e. s. Mirëpo, 16 mbretërve ilirë që i cek K. Patch-i po ua shtoj edhe 15 mbretërë ilirë, sipas studiuesit kroat Duje R. Mioçeviqit, të cilët shfaqen që nga shek. V p. e. s., siç na i ka ofruar në origjinal autori: “1. Sira (Sirhas) – Fundi i shek. V – fillimi i shek. IV p. e. s.; 2. Bardilis (Bardylis) – Ka vdekur në v. 359 p. e. s.; 3. Grabo (Grabos) – I njohur rreth v. 356 p. e. s. (Besohet se është i biri i Bardylit?); 4. Pleurat (Pleuratos). I njohur rreth v. 344-3 p. e. s. (Mbase edhe ky i biri i Bardylit, përkatësisht i vëllai i Grabit); 5. Klito (Klitos). Ky mbret ka sunduar në v. 335 p. e. s. (I biri i Bardylit).; 6. Glaukija (Glaukos). Sundon Ilirët në v. 317 – 303  p. e. s. . Në v. 335 përmendet  si sundimtar i Taulantëve; 7. Bardilis (Bardylis) II. I njohur në v. 295 -290 p. e. s.; 8. Monuni (Monunios). I njohur në v. 280 p. e. s. (Besohet se ishte i ibiri i Bardylit të II ose i Grabosit); 9. Mitilije (Mitylios). I njohur në v. 270  p. e. s.  (Besohet se është i biri i Monunit); 10. Pleurati (Pleuratos). Sundon rreth v. 260 (?) p. e. s. (Besohet se është i biri i Mitilit); 11. Agroni – Përmendet në v. 231 p. e. s. (I biri i Pleuratit); 12. Pinesi (Pinnes). Ka vdekur pas vitit 217 p. e. s. Ka sunduar me këshillat nga njerka e tij Teuta, po edhe nga axha Skerdialidi dhe Dimitrije Hvaranini. (Është i biri i Agronit); 13. Skerdilaidi. Përmendet  ndërmjet viteve 212 e 206 p. e. s. 14. Pleurati (Pleuratos) II. Ka sunduar i pavarur që nga v. 206 – 180 p. e. s.; 15. Genti (Genthios) – Ka sunduar nga viti  180 -168 p. e. s.”. Po t’i krahasojmë si antroponime emrat e perandorëve ilirë të ofruar nga K. Paçi me emrat më të moçëm, të para erës sonë të  D. R. Mioçeviqit, shihet se shumë emra të mëhershëm përqasën më tepër me gjuhën shqipe, si p. sh.: Bardilis-Bardylis nga fjala (i, e) bardhë; Grabo-Grabos nga fjala grab, krap, krep, grep, shkrep,shkëmb i thepisur; Monunije-Monounios nga fjala mont-mant, mon-man “dru peme-mani, dudi”; Mitilije nga fjala mi-mitil (me kuptimin i vogël, vogëlsi, imtësi); Gencije-Gentios nga fjala (i, e) zezë, gen-zen-zent (për e zezë, si Genta-Zeta?) etj. Emrat e këtyre 31 mbretërve ilirë, si dhe edhe sa e sa mbretëreshave dhe mbretërve të tjerë pellasdo-iliro-shqiptarë, që do t’i mbarshtrojmë në vijim, kanë rëndësi të madhe, të jashtzakonshme për historinë e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe, gjuhë kjo që deri më sot është konstatuar se është shkruar relativisht vonë, në shek. XV-XVI (viti 1555).   

Së pari, shihet se pellasdo-ilirët, që përbëheshin prej fiseve të shumta dhe i kishin sundimtarët e vet në provincat e veta, sipas të dhënave historike sundonin përafërsisht prej shek. V p. e. s. e deri në vitin 560 të erës sonë, pra prej më tepër se 10 shekujsh, që nga sundimtari ilir, sipas D. R. Mioçeviqit “1. Sira (Sirrhas) – Fundi i shek. V – fillimi i shek. IV p. e. s, e deri në vitin 560, kur e ka shkruar Prokopi i Cezaresë veprën e tij kapitale, ku bëhet fjalë gjerësisht për Justinianin Prima – Justiniani i Parë (535-549), si ceket “themeluesi i perandorisë botërore”, dhe Justiniana Sekunda (Justiniani i Dytë), viti 227.

Së dyti, 16 emrat e perandorëve ilirë gjatë periudhës së mëvonshme romake nuk përngjajnë pothuajse fare dhe gati asnjë me emrat paraprakë të para erës sonë, dhe siç shihet i përkasin një shtrese krejt  tjetër të re gjuhësore. Ky ndryshim i antroponimeve ilire-shqiptare është edhe më i madh, pra, kur depërtojnë antroponimet hebraike të periudhës krishtere, me rastin e përhapjes së krishtërimit ndër pellasdo-iliro-shqiptarët, kohë kjo e bujshme gjatë së cilës pjesa më e madhe e të cilit etnos asimilohet apo konvertohet në popuj përkatës grekë (helenë), romakë (italianë), keltë (gjermanë), galë (francezë?), rumunë dhe në sllavë, veçmas në sllavë të jugut në Siujdhesës Ilire. Edhe më vonë, gjatë 500 vjetëve të sundimit osmano-turk u krijua shtresa antroponimike orientale, me rastin e përhapjes së islamizmit ndër një pjesë të etnosit ilir-shqiptar të Ballkanit apo të Evropës Juglindore dhe në Azinë e Vogël.

Po t’i krahasojmë emrat e këtyre dy grupeve të dy periudhave kohore, pra të 31 mbretërve ilirë, bie në sy çështja, se derisa tek autori K. Paç 16 emrat  ilirë janë dhënë si antroponime të thjeshta, vetëm si emra ilirë, pa treguar kohën se sa vjet sunduan (po kanë rëndësi se 6 perandorë cilësohen si ilirë dardanë gjatë sundimit romak), te D. R. Mioçeviqi janë dhënë dëshmi më të plota dhe në detaje, duke treguar saktësisht kohën për sa vjet sunduan secili mbret, mandej tregon për nepotizmin apo dinastitë farefisnore ose të krushqive, duke trashëguar mbretërinë nga njëri-tjetri në farefisni, gruaja, i biri, vëllai, nipi etj. Ka përplot emra të tjerë të mbretërve ilirë me peshë gjuhësore dhe etnike, të cilët nuk përmenden në këto dy grupet e larttheksuara, prej 31 sish. Prandaj, këtyre perandorëve apo mbretërve ilirë po ua shtoj edhe disa mbretëresha e mbretër ilirë të tjerë, për të cilët po i themi disa të dhëna për t’i dëshmuar etnikisht dhe gjuhësisht pellasdo-iliro-shqiptarë në bazë të të dhënave historike dhe gjuhësore-onomastike. /B.S/ Prof Dr, Rexhep Doçi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco