Historia/ Çmenduria e regjimit komunist, shkatërroi kisha e xhami….

Historia/ Çmenduria e regjimit komunist, shkatërroi kisha e xhami….

09:30, 04/01/2019
A+ Aa A-

Ishte viti 1967. Regjimi diktatorial kishte vendosur t'i jepte goditjen përfundimtare besimit fetar, me akte terroriste që shqiptarët nuk i kishin përjetuar në asnjë kohë. Me shpërthime eksplozivi, tanke dhe ndërmarrje të pajisura me mjete të rënda, u shkatërruan 2172 faltore, prejt të cilave: 740 xhami, 609 kisha ortodokse, 158 kisha katolike e 530 teqe.

Besimi shekullor i shqiptarëve në fenë e tyre brez pas brezi ishte goditur ashpër. Të gjithë duhet të besonin vetëm tek çmenduria e një grupi njerëzish që propogandonin "revolucionin kulturor", i cili në thelb kishte shkatërrimin e vlerave individuale dhe mendimit të lirë, e zëvendësimin e tij me injorancën dhe devotshmërinë tek partia e vetme, që me çdo kosto duhet të qëndronte në pushtet.

Mbrëmjen e 12 qershorit 1967, pak orë para se besimtarët të niseshin për të festuar si çdo vit festën në kishën e Shën Anout Laç, dy batalione kishin rrethuar me artileri të rëndë gjithë zonën përreth kishës me një rreze prej 4 kilometrash, për të ndaluar pelegrinazhin e përvitshëm. Gjatë asaj nate, të nesërmen, e ditët në vazhdim, filluan qitjet e artilerisë me mortaja e topa. Vendi u përcaktua si zonë ushtarake dhe shtigjet ku kalonin besimtarët u mbyllën.

Brenda pak muajve, deri në gusht 1967, të gjithë tempujt e besimeve fetare u rrafshuan ose u kthyen në magazina e vatra kulture. Gurët e tyre të latuar prej shekujsh nga besimi i shqiptarëve, vendosur mbi njëri tjetrin për të ngritur faltoren e shenjtë drejt Zotit, tashmë dergjeshin nën dhunën e çmendurisë.

Pasi përfundoi revanshi kundër besimit në fe, plotësisht në kontradiktë me kushtetutën e asaj kohe që ende u garantonte të gjithë qytetarëve lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë, në nëntor të 1967-ës, regjimi nxori dekretin nr.4337, ku anulonte legalizimin e komuniteteve fetare dhe ndalonte të gjitha ritet.

***

Dikur në mbi shëtitoren e Shën Gjergjit në Korçë, binte hija e mëngjesit të një prej katedraleve më të bukura në Ballkan, asaj që i kishte dhënë emrin vetë shëtitores, katedralja e Shën Gjergjit.

Sot tingujt e një violine dhe turistët kureshtarë qëndrojnë mbi gjurmët e hijeve të Katedrales, që ngjajnë me gjurmët e shkumbësit të mbetura në një skenë krimi, në mes të qytetit të Korçës.

Shën Gjergji Ishte simboli i Korçës, monumenti shpirtëror, i shpallur Mbrojtës i qytetit, tempull i kulturës, artit, arkitekturës dhe trashgimisë sonë kombëtare.

Filloi të ndërtohej në vitin 1881 dhe u inagurua në vitin 1905. Projektimi dhe ndërtimi i kësaj katedrale është bërë nga mjeshtri Naum Trasha, mjeshtër korçar me origjinë nga Opari, i cili njihet dhe si ndërtues i shumë dyqaneve të pazarit të Korçës, ndërsa financiarisht ndihmuan patriotë dhe filantropët korçarë, si Anastas Lakçe.

Katedralja e Shën Gjergjit nuk ishte thjesht një nga katedralet më të bukura në Ballkan, por kishte një arkitekturë të veçantë, me stil neoklasik, tepër e lartë për ndërtimet e kohës, e ndërtuar e gjitha me gurë të skalitur, lidhur me shufra plumbi, me bordurat e hatullave plot dekoracione arabeskash dhe asteresh, me kupolat e mëdhaja e sferike, me fasadën plot xhame ngjyra ngjyra, e sidomos me hyrjen ku në krye të shkallëve lartësoheshin një sërë kollonadash të lidhura me njëra tjetrën nëpërmjet harqesh të bukur, ndërsa brenda zbukurohej me polielet apo abazhuret që përbëheshin prej mijëra xhamesh kristali, rrethuar prej ikonostasit madhështor prej druri të gdhendur prej mjeshtrave të zonës.

Ishte edhe pjesë e historisë të qytetit. Në këtë katedrale në vitin 1914, nga Atë Josif Qirici është mbajtur mesha e parë e plotë në gjuhën shqipe, ndërsa në vitin 1923 është dorëzuar kanonikisht peshkop Imzot Theofan Noli, e pikërisht aty filloi përpjekjet për Autoqefalinë së Kishës. Aty u kryen tedeume për princër e qeveritarë të lartë, që vizitonin qytetin dhe për qeverinë e parë kombëtare. Gjatë kohëve të vështira të luftërave të ndryshme në Ballkan, Shën Gjergji ishte shtëpia e kuvendeve të ndryshme, ku morrën pjesë patriotët shqiptarë, që nuk kursyen as jetën e tyre për të bërë shtetin shqiptar.

Image

Pas thyerjes së xhamave dhe zhveshjes së mureve, u hoq çatia dhe filluan të prisheshin muret, ndërtuar me gurët e skalitur mjeshtërisht.

Gurët e katedrales u përdorën për të mbushur shtratin e lumit të Korçës dhe për të shtruar trotuaret e qytetit. Besimtarët që kalonin çdo ditë mes tyre me kokën poshtë pëshpëritnin lutjet, ndërsa e ndjenin se këta gurë besimi, të shkulur nga tempulli i tyre nuk do t'i linin në mëshirë të së keqes, por do të mbartnin kujtimet për të rikthyer edhe njëherë besimin e tyre ndaj Zotit.

Të pikëlluar, shumë prej besimtarëve korçarë vazhduan t'i kryenin ritet fetare në fshehtësi.

Ndërsa Antikrishti hidhte errësirën mbi shpirtin e shqiptarëve, shumë prej besimtarëve korçarë vazhduan t'i kryenin ritet fetare në fshehtësi, duke e mbajtur të ndezur dritën e besimit, dritën e shpresës se një ditë do t'i ringrinin gurët e tyre të besimit me po aq madhështi sa katedralja e Shën Gjergjit.

***

Brenda mureve të gurta të Kalasë së Elbasanit, një prej kalave shqiptare më të veçanta përsa i takon historisë që mbart, ndërtuar mbi kalldrëmin e rrugës Egnatia, ndodhet një prej tempujve më të dashur të besimtarëve muslimanë shqiptarë, Xhamia Mbret.

Ajo është një prej xhamive më të vjetra të Shqipërisë, ndërtuar në shekullin XV, me një stil të veçantë arkitekturor, mbuluar me çati druri dhe hajat përpara hyrjes, muret përbëhen prej një ndërthurrje tepër të rregullt dhe precize në alternimin e gurëve me tullat kornizuese. Minareja kalon në ballkonin e sherifasë e ngrihet në pjesën e sipërme me një punim të rrallë artistik.

Xhamia Mbret u shpall monument i trashëgimisë kulturore që nga viti 1948, dhe mundi t'i shpëtojë shkatërrimit të tempujve fetarë bashkë me xhaminë e Nazireshës, ndryshe nga 33 xhamitë e tjera të Elbasanit, që u rrafshuan ose u kthyen në magazina apo kazerma.

Gjithsesi Xhamia Mbret nuk u frekuentua më nga besimtarët muslimanë që prej vitit 1967, duke u shndërruar në studio për skulpturat e diktatorëve komunistë. Aty ku ndodhej Mihrabi, ndodhej një skulpturë allçie e diktatorit, të cilën besimtarët mundën ta nxirrnin prej xhamisë në vitin 1991.

Image

Edhe me klerikët muslimanë sistemi u soll po aq ashpër. Duke u përpjekur të denigrojë imazhin e tyre publikisht me tallje e shpifje, duke i trajtuar si kundërshtarë të ideologjisë, duke i fyer e përbuzur vazhdimisht, regjimi komunist i dha një goditje të madhe besimit musliman.

Shume prej xhamive u prishën plotësisht ose pjesërisht me mjete të ushtrisë dhe në mënyrë demonstrative, të gjitha minaretë e xhamive u rrëzuan të tërhequra nga kavot e makinerive  të rënda para syve të besimtarëve, me qëllim përuljen e gjithkujt ndaj sistemit.

Por besimtarët muslimanë me urtësinë, patriotizmin dhe punën e tyre ringritën gurët e besimit, ringritën edhe njëherë xhamitë e tyre, e përsëri treguan se xhamitë e Elbasanit janë të veçanta si vetë qyteti, me historinë e tyre të vjetër e të re.

***

Gurët e Kishës të Shën Mërisë në Vaun e Dejës u shkulën prej vendit nga një shpërrthim i fortë eksplozivi.

Këta gurë, ishin skalitur nga Arbrit dhe me mjeshtëri ishin vendosur mbi tokën e lashtë ilire, për të ngritur një monument që vërtetonte prejardhjen e shqiptarëve dhe viseve të tyre të lakmuara historikisht nga të huajt.

Këta gurë, u bënë dëshmitarë të ngjarjeve të mëdha historike. Ishin aty kur u mblodhën kuvende, kur u dha besa, kur u zhvilluan beteja, kur lindën e vdiqën princër arbërorë, që ju këndoheshin këngët nga Venediku në Danub.

Ishin aty kur e bukura Jerinë zgjodhi mes dy Lekëve atë që i tha zemra, Zaharinë për të vënë kurorë, pa e ditur se tragjedia do të vinte së shpejti nga shpata e Lekës tjetër, Dukagjinit, apo prej lakmisë së Venedikut që në vesh të nënës së Zaharisë pëshpëriste pa pushim... E pas kësaj, amaneti i virgjëreshës fatkeqe u lidh me këta gurë, që larg dheut të saj kur të vdiste, t'ia sillnin trupin aty për t'u prehur pranë eshtrave të Lekë Zaharisë përjetësisht.

Këta gurë, kanë përshëndetur për qindra vjet udhëtarët që vinin e iknin prej viseve të Arbrit, nga Petrela, Durrësi e Lezha ... për Shkodër, Tivar e Ulpianë, teksa kalonin lumin e Drinit që valëzonte aty pranë.

Këta gurë, iu kanë treguar pushtuesve se toka ku ata po shkelnin ka qenë e Arbrit, e gjithmonë iu ka kujtuar se po shkelnin dheun e huaj e të huaj do të mbeteshin, duke mbrojtur viset tona si një ushtri e skalitur prej besimit e dashurisë për tokën e të parëve.

I rezistuan luftërave e tërmeteve; lakmisë dhe planeve të armiqve; erës, shiut, të ftohtit e të nxehtit... rezistuan pa lëvizur nga vendi ku u lidhën me njëri tjetrin, ashtu si princat e Arbrit në kuvendin e Lezhës.

...deri në ditën e fundit më 30 Maj 1969, kur u goditën nga një prej të këqijave më të mëdha që nuk ishte parë mbi tokë deri atëherë: çmenduria e regjimit komunist. Dhuna e shfrenuar mbi shqiptarët nga ky regjim, që ushqehej nga urrejtja dhe injoranca, nuk kurseu as monumente të tilla si Kisha e Shën Mërisë së Dejës.

Shpërthimi me eksploziv ndaj një tempulli, ndaj një monumenti me vlera të rralla historike, ishte finalizimi i një lufte të hapur ndaj besimit të shqiptarëve dhe ndaj historisë së tyre.

Vështirë të gjesh në histori përdhosje kaq të ulët të tempujve të besimit. Pas këtij akti shokues për të gjithë besimtarët, u bë e qartë se persekutimi që kishte filluar që nga viti 1944 nuk do të ndalej.

Goditja ndaj tempujve ishte goditje ndaj shpresave të atyre shqiptarëve, që mendonin se kjo epokë e errët e historisë do të përfundonte një ditë. Këta gurë u dergjën mbi themelet e lashta, bashkë me shpirtin e shqiptarëve për dhjetëra vjet e ndërsa koha kalon e ëndrra për të qenë të lirë sërish u rizgjua, duket se ata do të vazhdojnë të dergjen këtu...

Këta gurë nuk duan të falin, nuk duan të harrojnë. /Kujto. al/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco