Protesta e studentëve çon në qiell, çmimet e pikturave të Ramës

Protesta e studentëve çon në qiell, çmimet e pikturave të Ramës

15:19, 17/12/2018

Nga Natan Haasnoot*

Ditëve të fundit, çmimet e veprave të artit të Edi Ramës kanë njohur një rritje drastike në tregun e artit. Faqja në rrjet ArtFacts, e cila gjurmon artistët dhe karrierat e tyre anekënd botës, raporton për një rritje me 250 për qind të çmimeve të vizatimeve me famë botërore të Ramës — nga 1 500 euro, ku luhateshin në 2015-ën, në 4 mijë e sipër për copë, siç e tregoi ankandi i fundit në Kuvajt i mbajtur gjatë Galasë së Miqësisë Shqiptaro-Kuvajtiane.

Kjo rritje relativisht e stërmadhe duket se ka lidhje me protestat masive të studentëve në Shqipëri, të cilat tashmë e kanë kaluar ditën e dhjetë dhe nuk po shfaqin shenja davaritjeje.

Galeristi napoletan Alfonso Artiaco, i cili është përfaqësues i veprës së Kryeministrit dhe ka kuruar një ekspozitë me veprën e tij me pasoja absolutisht tektonike Blue Lunetta, e cila është një imitim perfekt i një tjetër ndërhyrjeje artistike, asaj të Bolles+Ëilson në Korçë, me titull Blue 1/2 House, shprehet se:

Njëri ndër faktorët e rëndësishëm që përcakton çmimin e një vepre arti është rrallësia. Qëkur Zoti Rama filloi karrierën politike, tregu i artit është përmbytur prej vërshimit të papërmbajtshëm të vizatimeve të tij. Afërmendsh që në të tillë gjendje duhet të përpiqesh t’i bësh sa më të veçanta punimet e tua. U mvesh atyre një veshje speciale nga Zoti Anri Sala, apo krijon me to një letër muri që prodhohet në sasi shumë të kufizuar. Por pavarësisht të gjitha këtyre, ajo që mbetet në fund të ditës është se për sa kohë Zoti Rama ka akses të pakufizuar në dokumentet qeveritare mbi të cilat ai krijon, çmimi i punimeve tij do të mbetet i ulët në peshoren e tregut.

Ajo që ndryshon me këto protesta është se tashmë ka një mundësi të vërtetë që Rama ta humbasë pushtetin politik dhe bashkë me të edhe aksesin në dokumentacionin qeveritar. Praktikisht,  kjo do të sillte fundin e prodhimit të vizatimeve të tij, çka është pikërisht ajo që ne po shohim se po ndodh me rritjen së fundmi të çmimeve të veprës së tij. Njerëzit, gjithandej, po vënë baste se lumi i vizatimeve të Ramës do të thahet së shpejti, çka ka sjellë edhe rritjen e çmimeve.

Uëe Neumann, Drejtori i Galerisë së Artit Kunsthalle Rostock, ku aktualisht Rama po shfaq një ekspozitë vetjake, është i përpirë nga ideja se zhvillimet politike ne Tiranë mund të ndërveprojnë me Kubin e Bardhë:

Shikoni, Galeria e Artit Kunsthalle Rostock është përngjizur në periudhën e komunizmit të Republikës Demokratike Gjermane dhe themelet e saj janë hedhur pikërisht “për qëllime të politikës së jashtme dhe politikës kulturore”. Kësisoj, qoftë edhe vetë fakti që ne kemi kuruar një ekspozitë të veprës së një politikani socialist – për më tepër të të birit të një personaliteti të rëndësishëm të komunizmit shqiptar – është në vetvete i mjaftueshëm për të mos e përmbajtur dalldisjen.

Për më tepër, është drithëruese kur mendon se, teksa ekspozita vazhdon, interpretimi i veprës së tij mund të ndryshojë radikalisht nga festim ngjyrashumë i socializmit të rrugës së tretë drejt kuptimit të saj si shëmbëlltyrë e teprive dhe degradimit moral të pushtetit shtetëror. Ne kemi marrë përsipër një risk të vërtetë kur vendosëm të trajtojmë veprën e Ramës; vepra është argëtuese dhe njëherazi edhe disi sipërfaqësore – por, ju e kuptoni shumë mirë, kush vallë nuk i do ngjyrat? Por, pavarësisht të gjithave, zhvillimet e fundit e kanë vendosur në një perspektivë tërësisht të re investimin e jashtëzakonshëm për prodhimin e veprës së tij artistike, në kuptimin e kohës dhe energjisë që kemi shpenzuar. Ai ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme duke neglizhuar tërësisht vendin e tij për të patur kohë dhe energjinë për të krijuar art!

Ngazëllimin për kthesën e fundit, por jo krejtësisht të papritur, në karrierën artistiko-politike të Edi Ramës nuk e kanë përjetuar njësoj të gjithë bashkëkohësit e tij, veçanërisht ata që për vite me radhë e kanë mbështetur Ramën dhe kanë mëkuar karrierën e tij, shpesh edhe në kurriz të kredibilitetit të tyre.

Hans Ulrich Obrist: Veprën e Ramës e kam konsideruar gjithnjë si një përzgjatim të Gesamtkunstëerk-ut Beuys-ian – një skulpture sociale në një shkallë të paprecedentë. Krejt i vetëm, ai ka shembur strukturat e ndërtuara ilegalisht, për të krijuar më shumë hapësira parqesh, ndaj edhe përjetimi im është se studentët nuk po i japin meritat që meriton për atë çka ka bërë për vendin: “Pyllëzimin e qytetit, në vend të administrimit të qytetit si të tillë”!

Anri Sala: Më grish shumë sensi i përshkarjes – ndryshimi i vazhdueshëm i perspektivës ndaj asaj që po ndodh, tani, këtu — dhe ndaj asaj se ku gjendemi. E kam fjalën këtu: veprimet e tij i kam lënë gjithnjë të përshkasin, të kalojnë, pa bëzajtur një fjalë. Kam kthyer kokën mënjanë teksa ai grabiste vendin. Kam veshtuar zërat e njerëzve në rrugë, zëra të shkëputur nga trupat e tyre, teksa ai u shpërndante favore miqve të vet, duke rrjepur çdo kacidhe nga bashkëatdhetarët e mi. Gjithçka është vokale, gjithçka e ka një zë. Unë dëgjoj zërin e Ramës dhe zërat e studentëve, dhe të gjithë këta zëra së bashku më duken të sinkroniz… më grish shumë kjo gjendje.

Hans Ulrich Obrist: Modeli i Ramës për një ndërveprim të vazhdueshëm është magjepsës. Më ka thënë me gojën e tij njëherë se ai ka qenë personi i parë që ka përdorur Tëitter-in për një debat publik! E kuptoni vetë se sa larg mund të shkojë domethënia e kësaj. Ai është totalisht i përditësuar me kulturën e memeve, ai e mirëpret brezin e ri, me po ato besime që ne të gjithë i ndajmë, pavarësisht se, siç e ka thënë ai vetë, ky brez është tërësisht injorant për komunizmin dhe krimet e tij. Ka shumëçka për të mësuar kjo gjeneratë. Shikoni ERTV-në dhe aty do të shihni të ardhmen e artit të videos si të tillë.

Anri Sala: Kam bërë njëherë një film për komunizmin shqiptar; ty, Hans, duhet të të kujtohet. Në atë film patëm paraqitur Shqipërinë e vërtetë, pasi në film ishte mamaja ime…

Hans Ulrich Obrist (gjithnjë e më i acaruar): Shikoni Tiranën! Si ishte dhe si është tani! Ngjyrat, ndërtesat bukurane, si vallë mund të mos i shohin?! Unë e shoh… Unë Tiranën e shoh në ëndërr… Realizim perfekt i vizionit të artistit-politikan, një parajsë Beuys-iane. Përgjatë gjithë karrierës sime e kam mbështetur Ramën në gjithçka ka bërë! E kam dashuruar gjithçka që ai ka bërë! E kam adhuruar! Ai ka përfaqësuar praktikën ideale artistike! Trashëgimia e tij do të vazhdojë të jetojë! Gjer në përjetësi! Vizatime, skulptura, letra muri, facoleta, shishe vere! Rroftë artisti i madh Edi Rama!

*Ky është një artikull satirik i exit.al. Personat dhe fjalët e tyre janë krejtësisht të trilluara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Toto26/12/2018 21:27

Bordi artistik i Galerise Kombetare perbehet nga: Nje Dinosaur, Zoteria Gjithperfshirse (me aspak) kredibilitet, Botoxi delirant, Tapa e Shishes, Askushi, Perfaqsuesi i Kurvaros dhe Perfaqsuesja e Tigrit me epsh.

lushingabarbullusji18/12/2018 08:37

I blen vete, e rrite konton e pastrimit te parave.

Shto koment

Denonco