Kartolinë për zysh Rilindën-Nga Lili Sula

Kartolinë për zysh Rilindën-Nga Lili Sula

21:49, 12/12/2018
A+ Aa A-

Nga Lili Sula

Vetëm kështu nuk do t’i ketë menduar zysh Rilinda ditët e fundit të këtij viti, nuk do t’i ketë shkuar ndër mend se fitorja e korrur, e miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë, 80/2015, pa mbështetjen e grupeve kryesore të interesit, do ta tundte e shkundte një ditë, siç nuk do të ketë hamendësuar se fitorja tjetër, zbatimi i tij në këto vite nuk do të shënohej në sukseset e pesëvjeçarit si ministreshë.

Po zysh rilindës, pa dyshim, në këto ditë fundviti, ngazëllimi e vezullimi poçash, në dilema të shumta për përzgjedhje planesh festive, as që i ka kaluar nëpër mend se studentët do t’i jepnin leksionin më të mirë.

E bindur se zërat e pedagogëve e të forumeve të tyre kundër Ligjit 80/2015 u fashitën, ajo nuk mund të perceptonte se studentët, si dhe herë të tjera janë personazhe që shkruajnë histori. Prej tetë ditësh studentët janë në pararojë të pedagogëve të tyre e të gjithë shoqërisë, duke e marrë atë në provimin me shembullor që kemi parë ndër vite…

Zysh rilinda po ngel në provim jo thjesht se është titullari më i lartë i institucionit përgjegjës për arsimin, jo thjesht se nuk shprehu asnjëherë pendesë për Dështimin, kinse strategjinë dhe reformën politike më të rëndësishme të qeverisë rilindëse, që zhyti në kolaps dhe rrënoi arsimin tonë, zysh rilinda ngel në provim sepse, dje, në Ligjin që miratoi, nuk parashikoi shtyllën kryesore të tij, të drejtat studentore, duke e trajtuar studentin si klient, ndërsa sot nuk mund të shuajë zërin e fuqishëm të gjithë studentëve, nuk mund të fashitë më kauzën e tyre që, në thelb, është politike.

Arsimi për këdo asocion me dritësimin e mendjes njerëzore si parakusht të civilizimit, por  prej vitesh fëmijët tanë dhe ne, prindërit e tyre,  jemi në terr arsimor, ndaj vargjet e të madhit Gjergj Fishta, shumë i angazhuar për dritësimin e kombit tonë, 100 vjet më parë, më nëpërmenden në këtë formë: Linditë e Rilindë/ Janë një krye e një soji/ Fort po të shkon moj ministruce/ Ty Rrendita me t’pagëzu,/ E Lindnata me t’emëru!

Renata e arsimit ngeli në provim, ajo nuk po mund të ndezë as d(r)itën e vet të kalimit, të kryejë aktin më civil si përgjegjësja kryesore e vetëdështimit.          

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco