Dështimi i madh, interneti nuk e ka ndihmuar demokracinë

Dështimi i madh, interneti nuk e ka ndihmuar demokracinë

04:36, 07/12/2018
A+ Aa A-

Nga Robert Diab, botuar në 'The Conversation'

Vështirë se kalon ndonjë javë pa njoftime për një shkelje tjetër të të dhënave, nga ana e një korporate të madhe që prek miliona njerëz, më së fundmi Facebook. Në vitin 2016, çështja u bë politike, me dëshmitë e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, dhe spektrin e kontrollit të huaj mbi opinionin publik.

Ligjvënësit amerikanë, i bënë thirrje drejtorit ekzekutiv të Facebook, të paraqitet në një seancë dëgjimore në Kongres, por diskutimi u përqëndrua kryesisht tek privatësia dhe të dhënat personale. Ne kemi ende nevojë të arrijmë të kuptojmë shkallën e kontrollit të platformave kryesore mbi diskursin politik, dhe çfarë do të thotë kjo për demokracinë.

Një libër i ri mbi ekonominë e vëmendjes në internet, na nxit ta bëjmë këtë. Ai tregon se gjithnjë e më shumë diskursi ynë publik po shpaloset brenda një grupimi të vogël uebsajtesh, që kontrollohen nga disa uebsajte më të pakët në numër, kryesisht të parregulluara dhe të orientuara drejt përfitimit, sesa nga interesi publik.

Supozimet e rreme të hershme rreth internetit

Në librin e botuar kohët e fundit, “Kurthi i internetit:Si ekonomia dixhitale po ndërton monopolet, dhe minon demokracinë”, profesori Meju Hindmen, sugjeron se teksa po hyjmë në dekadën e tretë të internetit, forcat e tregut drejtojnë shumicën e trafikut dhe fitimit, për një grupim jashtëzakonisht të vogël platformash, pa  asnjë ndryshim në horizont.

Përfundimet e Hindmen, hedhin poshtë një pamje më të hershme të internetit, si një mjet për një angazhim më të gjerë qytetar, dhe për një demokraci më të shëndetshme – një pikëpamje e lidhur dukshëm me studiuesin Joshai Benkler të Universitetit të Harvardit. Në librin e tij “Pasuria e Rrjeteve”, Benkler vuri në dukje se në epokën industriale mund të arrihej një audiencë më e gjerë, duke kryer “investime gjithnjë e më të mëdha në kapitalin fizik” – si për shembull tek telegrafi, shtypshkronjat, transmetuesit radiofonikë dhe televizivë – monopoli i korporatave mbi diskursin publik.

Por me rrjetet dixhitale, që i mundësojnë cilitdo të ketë qasje tek miliona njerëz për gati asnjë lloj kostoje, sfera publike ishte e sigurtë se do të bëhej më e arritshme, e larmishme dhe e fuqishme. Edhe shumë të tjerë ishin po aq optimistë.

Në librin “Këtu vjen çdokush” në vitin 2008, Klei Shirki e pa terrenin e ri si një nxitës të një “amatorizmi masiv” të angazhimit kulturor dhe politik, ndërsa profesoresha e gazetarisë amerikane Xhej Rozen, kishte parashikuar një “prodhim cilësor të lajmeve” me një kosto afër zeros.

Realiteti ishte më pak rozë

Megjithatë, siç shkroi Hindmen në vitin 2008 në librin “Miti i demokracisë digjitale”, blogosfera nuk solli një shpërndarje të madhe të vëmendjes, apo një rritje të madhe në diversitetin e audiencës. Në fund të dekadës, lajmet dhe organizatat politike në internet mbetën të përqendruara.

Xhejms Uebster, e konfirmoi këtë pikëpamje në librin “Marketingu i vëmendjes” i vitit 2014, duke treguar se diversiteti dhe polarizimi më i madh në internet ishin pretendimet “të ekzagjeruara”. Në librin “Kurthi i internetit”, Hindmen gjeti se se ndërsa rrjeti e bën më të ulët koston bazë të komunikimit masiv, kostoja e ndërtimit dhe mbajtja e një audience të madhe mbetet e lartë.

Duke studiuar rritjen e platformave si Google dhe Amazon, Hindman zbuloi se faqet më të njohura të rrjetit e ndërtuan dhe ruajtën audiencën e tyre, duke shfrytëzuar “një mori modelesh ekonomike të shkallës”, që shkojnë përtej efekteve të rrjetit.

Këto faqe të njohura kanë stafet dhe burimet e duhura, për të siguruar që faqet e tyre “të ngarkohen më shpejt”, “të jenë më të bukura, dhe më të përdorshme”, dhe “që kanë më shpesh shumë përmbajtje të përditësuara”. Përdoruesit e tyre, janë “më të praktikuar në lundrimin” në adresat e tyre dhe kthehen aty më shpesh, duke rritur renditjen dhe të ardhurat e tyre nga reklamat.

Ç’do të thotë kjo për lajme dhe fjalimet politike

Ne shpesh supozojmë se gazetat e vogla “kanë një problem me të ardhurat, dhe jo një problem të lexushmërisë”. Hindmen tregon se ato vuajnë nga të dyja. Duke studiuar rreth 250.000 përdorues të “100 tregjeve më të mëdha mediatike lokale” në Shtetet e Bashkuara, ai zbuloi se uebsajtet e lajmeve lokale, mbledhin afërsisht një të gjashtën e trafikut të lajmeve, dhe “0.5 për qind të trafikut në përgjithësi”.

Lojtarët më të vegjël në internet, janë duke u bërë gjithnjë e më tepër periferikë për diskursin politik kryesor. Hindmen, i këshillon ata të ndërtojnë faqe më të shpejta për t’u hapur, dhe me materiale më të freskëta. Por gjetjet e tij, sugjerojnë se kjo nuk mund të jetë aq e thjeshtë. Puna e Hindmen, flet për një të ardhme ku disa vende ushtrojnë një ndikim të jashtëm mbi debatin publik, duke ngritur një mori shqetësimesh.

Ndërhyrja ruse në një tjetër proces të madh zgjedhor, duke hakeruar një platformë jashtëzakonisht popullore si Facebook, është padyshim një prej tyre. Më e rëndësishmja, siç e vë në dukje historiani britanik Mark Mazouer, statusi gati monopol në lidhje me vëmendjen online nga Facebook dhe platforma të tjera të mëdha, kërcënon demokracinë duke e kufizuar diskursin në termat e “fitimeve, dhe jo politikës”.

Portalet e mëdha, inkurajojnë “kënaqësinë e menjëhershme, kur demokracia presupozon një kapacitet për zhgënjim dhe durim”. Siç shkruan Mazouer:”Populizmi, është gjendja natyrore e politikës demokratike në kohën e Twitter-it”.

Nëse “fotografia” jonë e internetit, si një mjet për fuqizimin e qytetarëve është kryesisht një mirazh, është koha që ne të vendosim rregull tek faqet dominuese në një mënyrë më efektive, që ato t’i shërbejnë realisht interesit publik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco