Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

'Zvicra, një Shqipëri alpesh, historikisht e korruptuar!'

'Zvicra, një Shqipëri alpesh, historikisht e korruptuar!'

10:17, 02/11/2018 Nga Anita Blasberg, Marian Blasberg
A+ Aa A-

Kritiku zviceran i globalizmit Jean Ziegler tregon mbi urinë në Botën e Tretë, në kohën e tij si shofer i Che Guevaras dhe arsyen kryesore të dëshpërimit të tij: gratë. Zvicrën, atdheun e tij, e quan një Shqipëri alpesh, historikisht të korruptuar! Intervistë (nga arkivi!) në gazetën «Die Zeit».

Një ditë e kthjellët dhjetori, vreshtat e katundit të vogël Russin janë të mbuluara me borë, në qetësinë e paradites herë pas here kalon një tren i shpejtë. Natyrisht nuk është rastësi që ai banon këtu: në kufi me Francën, atje ku Zvicra, siç thotë, për fat të mirë gati përfundon.

Jean Ziegler, profesor i sociologjisë, këshilltar i Kombeve të Bashkuara, ndërgjegje e botës, jeton këtu. Kur e hap derën, shikimi i tij kureshtar drejtohet nga vizitorët, Ziegler bart një palë syze briri, të cilat i kishte blerë para disa decenieve në Republikën Demokratike të Gjermanisë. Ai është quajtur një revolucionar i papërmirësueshëm, zëdhënës i të varfërve dhe tmerri i pushtetarëve. Njeri që njollos vatrën dhe relikt i viteve gjashtëdhjetë. Një njeri, të cilin ose mund ta duash ose ta urresh.

Tashmë 50 vjet Ziegler shkruan mbi hendekun e padrejtë mes Botës së Parë dhe asaj të Tretë; ai ishte ndër të parët që paralajmëroi mbi rrezikun e globalizmit të pafrenueshëm.  Ai tani është 76-vjeçar, por nuk i shkon mendja të heq dorë prej «luftës për ide». Rrallë rri një javë në shtëpi, në Russin. Ka mjaft punë nëpër botë. Dhoma e tij e ditës është plot dritë dhe e rehatshme, mbi një komodinë qëndrojnë fotografi të familjes. Ziegler jeton këtu me gruan e tij të dytë, një historiane arti. Na fton të ulemi në një tavolinë druri në mes të dhomës dhe na gostit me verë të kuqe.

– Zoti Ziegler, a është e vërtetë që keni hipotekuar?

Ziegler: E saktë. Shtëpia ku banoj i takon gruas sime. Veturën e kam me qira. Kam mbi gjashtë milionë franga borxhe.

– Prej gjykatave ndërkombëtare ju jeni dënuar shpeshherë për t’ju paguar dëmshpërblime politikanëve, bankierëve dhe spekulantëve, të cilët i keni sulmuar në librat tuaj.

Ziegler: Këta kusarë nga lagjja e bankave në Zürich! Njërin prej tyre, avokatin e bizneseve Hans W. Kopp, e kam quajtur hut. Kjo më ka kushtuar 320 mijë franga, u detyrova të tërheq fjalën hut. Por, kur Gjykata e Lartë e Zürich-ut e dënoi më vonë Kopp-in për shkak të mashtrimit të investitorëve, atëherë m’u lejua t’i them mashtrues.

– Augusto Pinoçetit u detyruat t’ia paguani një gjobë prej dy mijë frangash, sepse e quajtët fashist.

Ziegler: Përgojim i keq, sipas ligjit, por relativisht me çmim të lirë! Moussa Traoré, i cili ishte 23 vjet president i Malit, m’i mori 180 mijë franga. Sepse kisha shkruar se ai kishte lëvizur dy miliardë dollarë nga arka e shtetit në xhirollogarinë e tij private në Zvicër, derisa njerëzit në vendin e tij vdisnin nga uria. E kam quajtur kleptokrat.

– A keni frikë nga humbja e madhe, përfundimtare?

Ziegler: Jo më. Prej se punoj për OKB-në kam imunitet. Në kontratat e mia të librave ekzistojnë nene, ku thuhet se shtëpitë botuese paguajnë deri-diku shpenzimet e avokatëve. Më e keqja është frika e familjes sime se do të fundosem në këtë rrebesh procesesh, frika se do të humb katedrën universitare, kërcënimet me vrasje, mbrojtja nga policia. Ka mundur të ndodhë shpejt: unë nënshkruaj një libër dhe… bum! Në Gjenevë është një zyrtar policie, të cilit i them se ku shkoj. Nëse unë sonte nga ora dhjetë nuk i lajmërohem, atëherë ai do të më pyeste se ku mbeta.

– Zoti Ziegler, ju tani jeni 76-vjeçar. Ju gati për çdo vit shkruani nga një libër, mbani referate, udhëtoni nëpër botë për Kombet e Bashkuara. A nuk do të pensionoheni kurrë?

Ziegler: Një intelektual nuk pensionohet kurrë. Ai duhet të jetë i dobishëm, kur gëzon privilegje sikur unë: i bardhë, profesor universiteti me asistent, si zviceran jam një njeri i kursyer nga të këqijat mes të kursyerve, kurrë nuk ka pasur luftë këtu, kurrë s’kam shkelur në ndonjë minë në Nikaragua apo Salvador, kam mandate të OKB-së, mandate parlamenti. Natyrisht Parlamenti zviceran është i mbushur me anëtarë dembelë të bordeve të firmave, por prapë është skenë. Privilegjet e mia janë një armë, të cilën ma kanë dhënë në dorë. Prandaj, më duhet ta përdorë atë në emër të të shtypurve.

– Ju jeni një moralist.

Ziegler: Unë jam njeri tërësisht i pamoralshëm. Të kesh ndërgjegje të vrarë është një punë e mjerueshme. Duhet të kesh vetëdije të qartë.

– Çfarë ju shtyn të veproni?

Ziegler: Zemërimi. Perceptimi i marrëzisë, i vuajtjes së panevojshme. Rregullisht shkoj në Sao Luis, në Brazil. Atje gjendet një shtëpi e shtetit, ku fëmijët e pastrehë njëherë në ditë marrin nga një shujtë. Me atë rast ata mbyllen me dry në mënyrë që të mos e ndajnë ushqimin me vëllezërit dhe motrat e tyre jashtë, por që të kenë mjaft për vete. Atyre u hiqet humanizmi, në mënyrë që të mbijetojnë! Kur e shoh këtë, atëherë më duhet të bëjë diçka. Më duhet t’i përmend shkaktarët.

– Kush janë shkaktarët?

Ziegler: Po ju jap një shembull. Më 12 tetor 2008, në kulmin e krizës financiare, në Paris u takuan shefat e shteteve të zonë së euros dhe vendosën për një kornizë kredish prej 1700 miliardë euro për stabilizimin e bankave të tyre. 1700 miliardë! Para se të mbarojë ai vit po këta burrështetas e reduktuan përgjysmë buxhetin e Programit të OKB-së për Ushqim, prej gjashtë në tre miliardë. A e dini çka domethënë kjo? Nuk ka më shujta për fëmijë në Honduras apo në Bangladesh. As racione ushqimore në kampet e refugjatëve në Darfur, përmbajtja kalorike e të cilave sipas matjes mjekësore është nën minimumin e ekzistencës. Atje vdesin njerëz, a po kuptoni?

– Ju besoni se politikanët janë fajtorë?

Ziegler: Ata janë dora e zgjatur e këtyre banditëve, të cilët aq gjatë spekuluan në bursë derisa u shkatërrua gjithçka. Ata fitojnë atje ku nuk proteston askush. Njerëzit e uritur nuk gjenden në livadhin para Reichstagut (parlamentit gjerman, v.j.). Po ju them diçka: në çdo pesë sekonda në botë vdes një fëmijë nga uria. Kështu shkruan në Raportin Botëror për Ushqim të FAO-s, Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të OKB-së. Në çdo pesë sekonda, tash, derisa ne po flasim! Në çdo katër minuta një njeri humb dritën e syve, sepse merr pak vitaminë A. Çdo i gjashti njeri vuan vazhdimisht nga uria…

– Këto shifra ju i përsërisni vazhdimisht.

Ziegler: Këto shifra janë armë, armë të mira, sepse nuk dyshohen as nga njerëzit e Bankës Botërore. I njëjti Raport Botëror mbi Ushqimin shpjegon se ne me bujqësinë tonë do të mund t’i ushqenim normalisht 12 miliardë njerëz. Nuk ka mangësi objektive. Një fëmijë që sot vdes nga uria, ai në fakt vritet. Dhe vrasësit e tij do duhej të dilnin para një gjyqi si ai i Nürnbergut. Pikë, fund.

– Ju po e teproni.

Ziegler: Jo, nuk po e bëjë këtë.

– Në Zvicër kodra me ar, në Afrikë kodra me kufoma?

Ziegler: Duhet të bërtasim, që të na dëgjojnë në këtë botë të zhurmshme mediale.

– Kush bërtet shumë dikur nuk tingëllon si i besueshëm.

Ziegler: Nganjëherë për këtë më akuzojnë kolegët e mi të Universitetit: se unë shkruaj me stil joakademik, jo sa duhet kujdesshëm. Çfarë mendësie e getos e akademikëve! Puna është te efikasiteti.

– Mund të mendohet se Ziegleri me frazat e tij standarde është po aq kryeneç sa edhe kundërshtarët e tij.

Ziegler: Pasioni im nganjëherë më del prej dore. Por, nga ana tjetër mua më kujtohet se në një roman kam lexuar për një burrë, i cili pasdite qëndron në shesh dhe thotë se është mesnatë. Njerëzit mendojnë: çfarë budallai! Por, koha ecën, dikur është mesnatë, dhe tani të njëjtit njerëz thonë: njeri, ai ka të drejtë.

– Ju keni një mori fjalësh fyese për kapitalizmin: kapitalizëm vrasës, kapitalizëm kazinoje, kapitalizëm xhungle. Cili është favoriti juaj aktual?

Ziegler: Kapitalizëm i kafshëve grabitqare, edhe pse kjo është një fyerje për kafshët grabitqare.– Komunizmi u shkatërrua edhe për shkak se njerëzit e donin kapitalizmin.

Ziegler: Ah, ndaluni. Bashkimi Sovjetik kishte të përbashkët me Marksin aq sa kam unë me budizmin. Më besoni: nuk jam për stalinizëm. Jam për arsye.

– Çka do t’ju thoshit kinezëve apo banorëve të Indisë, të cilët falë kapitalizmit dhe globalizimit mund të blejnë veturë?Ziegler: Tash po flisni si ambasadori amerikan! E vërteta është se në këto vende një oligarki e ndan fitimin mes veti. Kina është një diktaturë brutale policore, në Indi jeton gjysma e të gjithë njerëzve të uritur të kësaj bote.

– Pse është kështu sipas mendimit tuaj?

Ziegler: Tash e pesë shekuj pakica e bardhë e sundon planetin me sisteme përherë të ndryshme të plaçkitjes. Së pari plaçkitjet dhe gjenocidi në Amerikën Latine, gjë që Marksi e kishte quajtur akumulim primitiv i kapitalit. Pastaj qarkullimi në trekëndësh: skllevërit nga Afrika në Amerikë, sheqeri në Evropë. Pastaj 150 vjet masakra kolonialiste, dhe sot sistemi më i keq i të gjitha sistemeve: diktatura botërore e kapitalit të globalizuar financiar. Etja e shfrenuar për fitim. Plaçkitja totale e njeriut. Shkatërrimi i natyrës. Sipas Bankës Botërore 500 firmat më të mëdha multinacionale vitin e kaluar (fjala është për vitin 2009, v.j.) kanë kontrolluar 53,8 për qind të bruto-produktit kombëtar botëror. Kjo është një pasuri, një pushtet që s’e ka pasur kurrë asnjë perandor, asnjë mbret dhe asnjë papë.

– Si e shpjegoni se ky sistem parimisht nuk vihet në dyshim nga askush – bile as tash kur gati pësoi kolaps?

Ziegler: Besoj se ideja e çmendur neoliberale e ka shkatërruar dukshëm vetëdijen kolektive. Fakti se fëmijët vuajnë nga uria prej kësaj perspektive duket si ligj natyror. Ashtu siç duket edhe etja për fitim. E pabesueshme që UBS, banka më e madhe e Zvicrës, u ka paguar shpërblime financiare punëtorëve të saj për 1,9 miliardë franga, pasi një vit më herët nga taksapaguesit kishte futur në xhep 61 miliardë.

– A i urreni këta njerëz?

Ziegler: Jo, nuk kam asgjë kundër tyre. A e njihni Brabeck-un, shefin e Nestlé? Herë pas here takohemi duke skijuar. Ai nuk është horr, por një njeri mjaft i ndershëm. Ai bën atë çka presin prej tij aksionarët. Jean-Paul Sartre ka thënë: për t’i dashur njerëzit, duhet të urresh fuqishëm atë që i shtyp ata. Jo kush i shtyp. Nuk është fjala për armiqësi personale. Fjala është për strukturat e kësaj bote.

– Ju për nëntë vjet keni qenë raportues special i OKB-së për të drejtën njerëzore për ushqim. Që nga gushti (2010, v.j.) gjendeni në komisionin këshillues të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së. Çfarë bëni aty?

Ziegler: Jam një njeri i vogël në OKB-në gjigante. Çfarë mund të bëjë është të tërheq vëmendjen e Këshillit për të Drejtat e Njeriut ndaj problemeve. Si raportues special kam qenë gjashtë deri në shtatë herë në vit në misione, që të inspektojë gjendjen e një vendi. Kam pasur qasje në burgje, në kampe refugjatësh, në jetimore. Kam folur me njerëzit përkatës, me politikanë dhe me shkencëtarë. Në fund raportin ia kam prezantuar Asamblesë së Përgjithshme.

– Si e gjen njeriu një punë të tillë?

Ziegler: Rastësi. Kofi Ananit i kam kujtuar. Kur ai ka qenë një zyrtar i vogël i OKB-së në Gjenevë, të dy kemi vrapuar pas grave të njëjta. Kur ai e krijoi funksionin e raportuesit special për të drejtën për ushqim, unë sapo kisha shkruar një libër mbi urinë. Pra, Kofi më propozoi, por shtetet perëndimore gati njëzëri votuan kundër meje. Unë u zgjodha, sepse shumë ambasadorë nga hemisfera jugore më njihnin, disa madje kishin studiuar te unë. Ata e dinin se unë do të jem zë i tyre. Një mik më ka thënë njëherë: Ziegleri është një zezak i bardhë. Kjo është e saktë: unë jam një zezak i bardhë!

– A ju dëgjojnë në Kombet e Bashkuara?

Ziegler: Në New York së paku më takojnë si të barabartë, ndryshe nga një ministër mongol apo somalez. Unë jam profesor i bardhë. Ju nuk mund të besoni sa raciste janë ende Kombet e Bashkuara.

– Në botën e jashtme ju jeni aq popullor sa orët e Zvicrës. Në atdhe për shumëkënd jeni tradhtar. A ju dhemb kjo?

Ziegler: Atdhe për mua është familja. Nëna e djalit tim është egjiptiane. Biri im është dramaturg francez, ndonëse është lindur këtu. Ç'ka është, pra, atdheu?

– Vitin e kaluar (2009, v.j.) në Zvicër u ndalua ndërtimi i minareve. Popullisti djathtist Christoph Blocher tashmë është politikani më me ndikim. Çfarë po ndodhë me vendin tuaj?

Ziegler: Çdo i shtati miliarder i botës jeton në Zvicër, por ne rrethanat i kemi si në Bangladesh: tre për qind e banorëve kanë aq pronësi e para sa kanë edhe pjesa tjetër prej 97 për qind e popullsisë. Këtu në Gjenevë gjithnjë e më pak njerëz mund të paguajnë banesat e shtrenjta. Kështu shtohet frika, të cilën e shfrytëzojnë njerëzit si Blocheri. Me fushatat e tij ksenofobe ai i bën njerëzit budallenj.

– Ekzistojnë vende ku jetohet edhe më keq. Ç' keni kundër Zvicrës?

Ziegler: Asgjë, e dua vendin tim. Unë kam diçka kundër shtresës sunduese dhe hipokrite. Matur me të ardhura për kokë banori Zvicra është vendi i dytë më i pasur në botë – një copë tokë pa pasuri nëntokësore me 41 mijë kilometra katrorë, prej tyre vetëm 60 për qind të banueshme, pjesa tjetër është shkëmb e akullnajë. Si ia arrin kësaj Zvicra? Thesari i saj janë paratë e huaja: para gjaku, para të shmangura nga Bota e Tretë, taksa të vjedhura. 2,2 miliardë franga vetëm nga ish-presidenti kongolez Mobutu, e në Kongo pothuaj nuk ka spitale. 1,8 miliardë nga Abacha, një vrasës i varur nga kokaina, i cili njëherë ka qenë kryetar i Nigerisë. Këtë listë do të mund ta zgjasja sa të dua! Dhe mendoni miliardat, të cilat i mungojnë shtetit. Një rrjedhë gjigante, e cila bëhet e mundshme prej Zvicrës. Këtu sabotohet shteti juridik.

– Për shumë gjermanë Zvicra është shembull.

Ziegler: Edhe te ne besojnë se ne jemi të pasur, sepse jemi të zellshëm. Dhe paratë e taksave gjermane rrjedhin te ne, sepse shteti gjerman është terrorist. Pierre Mirabaud, president i shoqatës së bankierëve të Zvicrës, thotë: entet financiare gjermane i përndjekin qytetarët e tyre me metoda të Gestapos. Arratisja nga tatimet, sipas tij, qenkësh një vetëmbrojtje e detyruar. Prandaj u dashka ndihmuar. Ju gjermanët jeni tepër tolerantë ndaj nesh.

– Ç’të bësh, i duam zviceranët.

Ziegler: Por, dashuria juaj nuk pranohet. Madje edhe valën antigjermane, e cila prej kohësh vjen nga Zürichu, ju e shikoni si diçka folkloristike! Ju besoni se ne jemi qytetarë të urtë, por shtresa jonë sunduese është jashtëzakonisht arrogante, ndoshta më arrogantja në gjithë Evropën.

– Prej nga ky mendim?

Ziegler: Sepse ka kontinuitet. Ushtari i fundit i huaj në tokën zvicerane ka qenë një ushtar i Napoleonit. Që nga atëherë Europa ka përjetuar revolucione, luftëra, shkatërrime, diktatura fashiste dhe komuniste. Vetëm Zvicra: asgjë. E njëjta strukturë sunduese me shekuj. Përherë njerëzit e njëjtë, të cilët rrinë ulur mbi Gotthard (vargmal në Zvicër, v.j.) dhe i japin leksione botës. Një Shqipëri alpesh, historikisht e korruptuar!

– Sërish po e teproni…

Ziegler: Jo, po flasim këtu për një elitë, e cila e ka zgjatur Luftën e Dytë Botërore, duke e këmbyer arin e plaçkitur nga nazistët në deviza, pa pyetur se prej nga vinte. Zyrtarët e bankave zvicerane kanë pyetur tek kur qytetarët hebraikë pas luftës dëshironin t’i shihnin xhirollogaritë e familjarëve të tyre. Atëherë bankierët pyetën: ku i keni fletëvdekjet? Thua se në Auschwitz janë lëshuar fletëvdekje!

– A jeni gëzuar pak që vitin e kaluar (2009, v.j.) u zbut sekreti bankar zviceran?

Ziegler: U zbut? Ah, një grimë ndihmë juridike. Jo, në këtë rast shpresa e ima mbështetet te vetë kapitalizmi: që edhe më shumë punëtorë bankash të nxjerrin CD me të dhëna të mëkatarëve të taksave, sepse nuk duan ta pranojnë se disa mashtrues mund të ruajnë miliona derisa ata duhet të mjaftohen me rroga qesharake./Marrë me shkurtime nga DP

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco