Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Droga e Xibrakës

'Ka muzikë në shtëpinë e madhe', promovohet libri i shkrimtares së re, Aja Çela

'Ka muzikë në shtëpinë e madhe', promovohet libri i shkrimtares së re, Aja Çela

21:02, 26/10/2018
A+ Aa A-

“Ka muzikë në shtëpinë e madhe” është libri më i ri që i shtohet botimeve shqip. Aja Çela është autorja e tij, e cila edhe pse në moshë të re është inspiruar të shkruajë për dashurinë. Dashurinë për jetën, familjen, prindin, fëmijën, partnerin.

Aja nisi t’i shkruante këto tregime dhe novela kur ishte 12 vjeçe, dhe momenti për t’i ndarë me të gjithë është tani, që Aja është në prag të përfundimit të ciklit të mesëm.

“Ka muzikë në shtëpinë e madhe” është një nga tregimet, që autores së re i pëlqen më shumë, ndaj edhe libri i parë i saj mban të njëjtin titull.

Ajo është rritur mes shkrimtarësh pasi tezja e saj (Aida), por edhe e ëma (Arta) gjithashtu, janë pjesë e letërsisë. Nuk ka ndjekur stilin e tyre të të shkruarit, edhe pse pohon se është frymëzuar prej tyre. Ia dedikon këtë libër tezes së saj, Aidës, edhe pse një libër nuk mjafton.

“Pas leximit të dorëshkrimit me tregime e novela ‘Ka muzike në shtëpinë e madhe’ të Aja Çelës ndjeva një ‘vështirësi’ në përftimin e imazhit autorial të librit, vështirësi që vjen nga befasia e bukur, e megjithatë kokëfortë: dora e sigurt, stili i gjallë me një skrupulozitet e kopraci të ndershme në përshkrimin e detajeve e situatave, ndjeshmëria depërtuese e lirizmit, që përpin gjithë strukturën narrative të tregimeve si të poemave në prozë, fragmentariteti funksional që nënkupton tërësinë e afreskës, - të gjitha këto elementë të teknikës narrative, që shkrihen e japin një prozë të rrjedhshme, të nginjur përplot ‘fshehje faktesh’, të bëjnë me dije, më së paku, për një përvojë e shkallë mjeshtërie në prozë”, vlerëson shkrimtari Agron Tufaj, librin më të ri të dalë për lexuesit.

Ndërsa Profesor, Dr, Dhurata Shehri, shton se, “Fjalët në këtë libër bëhen nënë, baba, bijë, motër, teze, bëhen vajzë e grua, për t’u rritur bashkë. Të gjitha personazhet bëhen bashkë për te zbuluar e krijuar atë, njeriun që lind nga fjala e rritet me të për të krijuar tregimtaren, Ajan që është vetëm 17 vjec, që ka jetuar mijëra jetë e ka zgjedhur të na tregojë vetëm 17 prej tyre,të paktën në këtë libër, për të na mësuar: si të mos gënjejmë”.

“Të bën përshtypje se si një autore kaq e re në moshë (s'më bëhet ta quaj fëmijë) përballet me tema ‘të rënda’ letrare, të letërsisë me ‘L’ të madhe, si dashuria, vdekja, e vërteta etj. Për më tepër, iu qaset atyre me një kompetencë letrare (dhe jo vetëm letrare) të pazakontë, nga një këndvështrim e pikë nisje filozofike që duket qartë se është produkt i leximeve të mira e të shëndetshme”, shton Dr. Kastriot Gjika.

Titulli i Librit: Ka muzike në shtëpinë e madhe

Autorja: Aja Çela, 17 vjeç

Botues: “Dudaj”

Faqe: 207

Tregime të shkurtra dhe novela, 17 krijime në prozë; letra epistolare

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco