Dashuria e ndaluar në vitin 1929 dhe si ndërhyri shteti për ta mbrojtur vajzën

Dashuria e ndaluar në vitin 1929 dhe si ndërhyri shteti për ta mbrojtur vajzën

12:35, 22/10/2018
A+ Aa A-

Më 14 dhjetor 1929 Zyra Sekrete e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Mbretërisë Shqiptare i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë dhe i kërkon ndihmë për t’i shpëtuar jetën vajzës H. nga Vlora, duke e punësuar atë në Spitalin e Shkodrës. Sipas dokumentave të Arkivit të Shtetit, vajzës vlonjate i rrezikohet jeta prej familjarëve të saj, të cilët janë të gatshëm ta vrasin për të vënë në vend nderin e familjes. Duke mos dashur t’i bindet vullnetit të familjes për t’u martuar me burrin që i kanë zgjedhur, H. kërkon të lidhë martesë me burrin që ka dashuruar vetë, me të cilin, sipas shkresës, ka krijuar edhe marrëdhënie.

Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë sensibilizohet me rastin dhe e zbaton menjëherë kërkesën e MPB. Vajza shpërngulet në Shkodër për të shërbyer në spitalin e qytetit, duke marrë dhe një shpërblim të vogël si rrogë mujore. Gjithsesi, drejtoria e spitalit paralajmëron se nuk është në gjendje të jetë përgjegjëse për sigurinë e jetës së saj, për shkak të frekuentimit të spitalit nga shumë persona. Pas disa muajsh, më 3 shtator 1930, praktika shkresore lidhur me H. nga Vlora rikthehet në veprim.

Kësaj here për dy arsye: 1. Murgeshat (që shërbejnë në spital) nuk dëshirojnë të kenë pranë një grua me moral të ulët, si H., që nuk i bindet familjes dhe martohet me burrin që dashuron; 2. Vëllai i H. i ka kërkuar spitalit, përmes një telegrami, të mësojë rreth gjendjes të së motrës. Në këto kushte, Drejtoria e Spitalit të Shkodrës, duke pasur frikë nga ndonjë incident, i kërkon Ministrisë së Punëve të Brendshme që të largohet H. prej spitalit. Ndërkohë, drejtori i spitalit nuk harron të kujtojë se shpërngulja e vajzës duhet të kryhet nën kujdesin e policisë, për të shmangur çdo rrezik. Ç’ndodh më pas me këtë vajzë? Praktika shkresore ndalet këtu

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco