20 vjet i ikur, e bija e Vedat Kokonës zbulon rreshtat e tij të fundit

20 vjet i ikur, e bija e Vedat Kokonës zbulon rreshtat e tij të fundit

11:21, 19/10/2018
A+ Aa A-

U përkujtua ditën e djeshme 20 vjetori i ndarjes nga jeta të njeriut të letrave, Vedat Kokonës. Tupe rrëfen mikun, mjeshtrin e penës dhe plagjiaturën që iu bë veprës së tij. E bija zbulon rreshtat e fundit të tij dhe i dhuron Bibliotekës një libër ku Kokona ka lënë shënimet, korrigjimet dhe firmën e patjetërsueshme

14 tetor 1998. 20 vite më parë ra perdja që do të shkëpuste nga jeta fizike shkrimtarin, përkthyesin dhe leksikologun shqiptar Vedat Kokona. Por ajo çka gjatë muajve të fundit të jetës së tij do të konsiderohej nga ai, si “fundi i komedisë”, në fakt për veprën e tij do të ishte vetëm fillimi i një shtegtimi të përjetshëm tek lexuesi. Në ndërtesën e vjetër të Bibliotekës Kombëtare, jo rastësisht në Sallën Franceze, u mblodhën dje për të kujtuar njeriun e letrave, miq, kolegë e të afërm. Edhe pse 105- vjetori i tij i lindjes kaloi në heshtje, në nderim të tij dhe veçanërisht për vlerat e paçmueshme të veprës që la pas, ditën e djeshme u premtua se kurrikula e Kokonës do të jetë pjesë e sistemit arsimor si dhe 14 tetori do të shënohet në kalendarin e veprimtarive dhe aktiviteteve të përvitshme. Për mikun dhe kolegun e tij Edmond Tupen, vlerat e veprës së Kokonës janë të pafundme në rrafshin e analizës psikologjike, sociologjike dhe të bukurisë së gjuhës. Sipas tij, Kokona ishte nga ata njerëz që edhe nëpërmjet heshtjes arrinte të fliste. Mbi të gjitha ai e vlerëson për mjeshtërinë me të cilën arrinte të vinte në dukje vlerat e rralla të gjuhës sonë dhe aftësinë e tij të rrallë prej shkrimtari-psikolog për të zhbiriluar shpirtin njerëzor. “Ç’do të bëhet me këto letra kur të mos jem unë?”, ishte kjo pyetja që e mundonte Kokonën, një shqetësim që e ndante me dy vajzat e tij. Përmes fjalëve të Mimozës ditën e djeshme patëm mundësinë të njiheshim edhe me Vedatin brenda mureve të shtëpisë, atë të heshturin që të bijat dhe mbesat e  tij ishin mësuar ta shikonin me libër në dorë dhe duke dëgjuar muzikë klasike. Si surprizë për dashamirësit e tij, mbesa e kokonës Odeta kishte përkthyer edhe ato që mund të konsiderohen ndër rreshtat e fundit të mjeshtrit të letrave. Familja në kuadër të kësaj dite i dhuroi Bibliotekës Kombëtare librin “Le bon usage”, në të cilin gjenden korrigjime, shënime, si dhe firma e patjetërsueshme e Vedat Kokonës…

Edmond Tupja: “Është një model për t’u ndjekur jo vetëm si shkrimtar-përkthyes, por edhe si njeri!”

Për përkthyesin dhe shkrimtarin Edomond Tupja, vlerat e veprës së Vedat Kokonës janë të pafundme, jo vetëm në rrafshin e analizës psikologjike dhe asaj sociologjike,  por edhe në rrafshin e bukurisë së gjuhës. “Kur lexon përkthimet dhe shkrimet e tij zbulon se gjuha shqipe ka aftësi të prek të gjitha temat e mundshme. Kupton se gjuha shqipe është një thesar për kombin shqiptar, ç’ka sot fatkeqësisht po e harrojmë, sepse gjuha shqipe po masakrohet, sidomos nëpër medie dhe Parlament… Po masakrohet kaq bukur saqë të dhëmb shpirti!”. Sipas Tupes, Vedat Kokona edhe pse shkrimtar, ishte në një farë mënyre edhe “psikolog”, pasi kishte aftësinë e rrallë që të zhbirilonte shpirtin njerëzor. Pedagogu shpjegon se pavarësisht se Kokona gjuhë amtare kishte shqipen, zotëronte me themel frëngjishten, ngaqë kishte studiuar në Francë, ndërkohë që përkthente edhe nga anglishtja e italishtja, edhe nga rusishtja. “Vedat Kokona ka një krijimtari që prek disa fusha shumë të rëndësishme, siç është krijimi i mirëfilltë, mandej përkthimi që është rikrijim, kritika letrare, pedagogjia, metodologjia, teoria e përkthimit e shumë të tjera”. P

ër Tupen, e veçanta e mikut të tij qëndron edhe në faktin se mbetet një zë origjinal, i cili nuk ka bërë asnjëherë plagjiaturë. “Krijimet i kanë buruar nga shpirti!”, shprehet ai duke theksuar se Kokona kishte lexuar aq shumë saqë kulturën e kishte futur thellë në personalitetin e tij duke e përvetësuar, dhe se kjo vërehet qartë në tërë veprën e tij si shkrimtar, përkthyes, publicist, leksikograf, teoricien përkthimi, pedagog etj. … “Në tërë prodhimtarinë e tij intelektuale, ai dëshmon vërtetësinë e aforizmës franceze sipas së cilës ‘Kultura është ajo çka mbetet pasi ke harruar ato që ke lexuar’, pra, ashtu si bleta e cila, pasi u ka marrë nektarin luleve, bën mjaltin që është i saji. Por gjatë këtyre viteve vepra e Vedat Kokonës ka provuar edhe “sulmin” e hidhur të plagjiaturës nga dy pedagogë të Universitetit të Tiranës. “Me globalizimin, sot, në epokën e internetit, plagjiatura është bërë shkencë më vete. Vepra leksikografike, pra, fjalorët e Vedat Kokonës janë është përvetësuar padrejtësisht nga dy njerëz, që ende janë pedagogë në Universitetin e Tiranës, njëri në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe tjetri në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Pyetini njëherë këta dy zotërinj a formojnë kuadro, mësues, gazetarë, përkthyes etj., apo përgatisin njëkohësisht edhe plagjiatorë…”, u shpreh Tupja gjatë ditës së djeshme./SHEKULLI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco