Curraj Epër – Perla e alpeve shqiptare

Curraj Epër – Perla e alpeve shqiptare

13:24, 17/10/2018
A+ Aa A-

Nga Ylli Prebibaj

I.Pak Histori

Curraj Epër është një rajon i populluar herët, arsyet që e shndërruan në një vendbanim të moçëm janë mbrojtja e mirë natyrore, burimet e bollshme ujore në të katër stinët e vitit, si dhe territori i përshtatshëm për bujqësi. Lumi Curraj e përshkruan mes përmes të gjithë territorin. Currajt në veri kufizohen me Thethin, nga veri-lindja me Qafën e Fratit, Shtegun e Dashit, Dragobinë e Kujin e Plisit, në Juglindje me Lugun e Sylbicës e Prrue të Rrasës, ndërkohë nga Jugperëndimi e Perëndimi me Majën e Rrukut, Qukun e Lystrës, Qetinën e Pritve, Lugun e Hordupit e Qetën e Rrahit të Vatë Samës, në veriperëndim kufizohet nga Shpella e Bravnikut e Maja e Zezë, ky skaj gjeografik shënon kufirin me Shalën.

Banimi i Currajve është provuar nëpërmjet gjetjeve arkeologjike, toponimeve, gjurmëve të tokave të punuara, varrezave të hershme (rasti i Kuqit), etj. Një provë mbresënëse është zbulimi i sopatës iliro-dalmate, nga Nopcja më 1908.

Gjetja e saj ka një rëndësi të posaçme, pasi provon shtrirjen e kulturës Ilire në këto anë. Këto tip sopatash aso kohe kishin vlerë të madhe, pasi kanë shërbyer si mjet shkëmbimi. Kësisoj ato janë një prej prurjeve të shumta të kulturës ilire, krahas me veshjen, muzikën, arkitekturën, doket e zakonet.

Sipas burimeve historike, banorët e hershëm të Currajve janë Mavriqtë dhe Pjajasit, sa i takon këtyre të fundit edhe sot kemi toponime si “Lugu i Pjasë” në Bjeshkët e Curraj Epër, një territor i përshtatur për të zhvilluar jetesën me disa rrypa toke në breg të lumit, me mundësi peshkimi, kullota të pasura dhe mundësi gjahu. Territori më i përshtatshëm për banim ishin tokat ndërmjet Pikut e Drelës, në Qiresh e Kuq. Në këtë hapësirë u ndërtuan dhjetëra shtëpi alpine.

Natyrshëm shtohet pyetja e udhëtarit, cilat qenë arsyet e popullimit të këtij territori? Përgjigje që nuk mund të arsyetohet pa analizuar zhvillimet e vrullshme në Fisin e Nikajve që dominonte në hapësirën nga Bregu i Drinit e deri në lartësitë e bjeshkëve. Disa prej arsyeve kryesore janë: shtimi i popullsisë, presioni në rritje administratës turke, si dhe dyndja e fisit të Mërturit nga ana tjetër e Drinit, si pasojë e përndjekjeve turke.

Themeluesit e Currajve, janë dy krerë të mirënjohur në zonë, Mirash Marku dhe Gjeç Dema. Familja e Mirash Markut u vendos në lagjen Qokaj, rrëzë Majës së Qokajve dhe ajo e Gjeç Demës në këmbë të shkëmbit të Forcës. Përpos tyre burimet e kohës evidentojnë edhe një familje në Mrishaj. Pas daljes së Gjeçit dhe Mirashit, u popullua e gjithë hapësira, përfshi Qireshin dhe Kuçin, procesi u krye përgjatë shekullit XVIII.

Emri “Curraj” është një emër/patronim i përhapur në mbarë Shqipërinë dhe ka kuptimin Curr – Shkëmb. Ky emër haset në një varg krahinash të tjera si në Dërmjak të Maqedonisë, Sarandë, Mirditë, Shkodër si dhe është mbajtur vazhdimisht për mbiemër nga pasuesit e familjeve Curri në Gjakovë, në Mirditë, në Shkodër, Kosovë, etj.

Kisha e Currajve ka qenë një vatër fort e rëndësishme religjoni e kulture, falë së cilës sot trashëgojmë plot burime historike.

Katundi dora-dorës u shndërrua në rajonin më interesant të krahinës Nikaj-Mërtur, sikurse ka theksuar Nopça “Qëndrimi disa ditësh në Curraj të Epër, i përket periudhave më të këndshme të udhëtimit tim nëpër Shqipëri… Banorët e Currajt… u përkisnin njerëzve më të mirë që kam hasur në Shqipëri” (F. Nopçe; Shqipëria Katolike e Veriut; 2009). Në dekadën e fundit të shekullin XIX, janë evidentuar 100 shtëpi, kësisoj ai shndërrohet në një faktor të rëndësishëm për krejt krahinën.

Në periudhën parashtetërore, në Curraj funksioninin institucione të tilla si Kisha, Paria, Krentë e Mëhallave dhe “Djelmnia”, kurse ndërmjet viteve 1920-1925, Currajt ishin pjesë administrative e Komunës Nikaj-Mërtur. Ndërkohë institucioni kryesor për Currajt në këto vite, ishte kryepleqësia.

Në vitet 1939-1947, si Currajt dhe Komuna e Nikaj-Mërturit, ishin nën juridiksionin e Nënprefekturës së Dukagjinit. I gjithë aktiviteti zyrtar por edhe tregtar u zhvillua në Kodër të Shëngjergjit dhe në Lekbibaj.

II.Trashëgimia Kulturore dhe unikaliteti i saj

Trashëgimia kulturore në Curraj Epër është konsideruar pasuri kombëtare në Shqipëri. Në dekadat e para të shekullit XX-të, u mbollën nga famullitarët katolikë disa prej pjesëve më kryesore të “Eposit të Kreshnikëve” dhe këngë të moçme lahute, të cilat janë fond unikal, për folklorin shqiptar.

Në qarqet intelektuale të françeskanëve shqiptarë, Curraj Epër konsiderohet vatra e ruajtjes së Eposit, folklorit si dhe të një morie fjalësh, emrash e toponimesh origjinale e autoktone të gjuhës shqipe. Atë Bernardin Palaj O.F.M dhe Atë Donad Kurti O.F.M, falë një pune të madhe, ia dolën të mbledhin këto perla të cilat fillimisht u botuan tek “Hylli i Dritës” e me pas në vëllimet “Visaret e Kombit”, me rastin e publikimit, ata evidentojnë edhe artin e të rrëfyerit, sipas tyre Mirash Gjoni ishte një ndër rrëfimtarët më të zotë.

Në Curraj të Epër, janë mbledhur:

“Martesa e Ali Bajraktarit” – Mirash Gjoni

“Ali Aga i Ri” – Mirash Gjoni

“Martesa e Plakut Qefanak” – Mirash Gjoni

“Ajkuna Kjan Omerin” – Mirash Gjoni

“Fuqia e Mujit” – Mhill Preka

“Rrëmbimi i së Shoqes së Mujit” – Mhill Preka

“Omeri Prej Mujit” – Mhill Preka

“Muji i rrethuem në kullë” – Dedë Zefi

“Muji i varruem” – Dedë Zefi

“Muji mas Deket” – Dedë Zefi

“Muji e Jevrenija” – Dedë Zefi

“Deka e Omerit’ – Lulash Zefi

“Deka e Halilit” – Shan Zefi

“Zuku Merr Rushen”- Curraj Epër

“Basho Jona” – Curraj Epër,

si dhe me dhjetëra këngë e rrëfime të tjera.

Pjesa më e madhe e tyre fatmirësisht janë të botuar në shtypin katolik dhe ruhen në arkivë të shtetit, në arkivin e ish Insitutit të Kulturës Popullore, në fondet personale të studiuesve të fushës, etj.

Një tjetër resurs i çmuar i Lugut të Currajve, janë banesat karakteristike më të shumtat në numër krahasuar me çdo katund tjetër ndër alpe, si dhe orenditë e ndryshme, që ishin pjesë përbërëse e tyre.

Ekzistojnë mbi 150 shtëpi karakteristike të tipit banesë alpine, nga 2 e 3 katëshe, më karakteristikja ndër to ka qenë Kulla e Thepit, në pronësi të familjes Vukaj.

Atë Donad Kurti i përshkruan kështu veçoritë e kullave në Curraj Epër: “Kto kulla të bardha me ka i ksolle gjaje përbri, të shpërdame nëpër blerim, përbajnë në të lem të Diellit, a npër rreze të zbehta të hanës ma të bukurt paysages… Shumë Kulla janë të ndërtueme mbi ksi blokash e duken as t’ishin forcime të vogla. Bje në sy posaçe Kulla e Thepit në Breg të Lumit e nji ndër Misulla”.

Kullat tradicionale apo banesat e tipit alpin, ndërtoheshin me gurë të përzgjedhur (gurë i gjallë), qoshet apo ancat e dyerve dhe dritareve ishin të latuara me kujdes, me raste në to ishin gdhendur edhe simbolika të veçanta pagane apo fetare, gjatë ndërrimit të tyre përdorej zalli i lumit, gëlqerja e stazhionuar si dhe krypa.

Karakteristika të tyre ishin “krevetët” që kryenin funksionin e ballkonit në katin e dytë të çdo shtëpie, ndërkohë dyer, dritare dhe orenditë e tyre ishin tërësisht të drunjta e të stilizuara nga dora e mjeshtrit. Inventari i këtyre shtëpive plotësohej me stola, sofra, arka magje, enë bylmeti si korita, sheka, bucela, vozga rakie, etj. Të një gjinie të veçantë ishin edhe shtrojat e dhomave si Qylymet, Sixhadet, Rrugicat, të stilizuara me kujdes në vekë apo me dorë nga gratë.

III. Resurset natyrore

Terriori i Curraj Epër, përpos tokave arë në të dy anët e lumit, ka me mijëra hektarë pyje. Sipas ekspertëve të fushës, janë mbi 9000 ha pyje. Shumëllojshmëria e pyjeve përbehet nga Pisha e Zezë, Blini, Shtogu, Ahu, Frashni, Shkoza, Mllexa, Krekci, Dushku, Pajna, Bungu, Lajthia, etj. Në Curraj ka plantacione të shuma lajthish por dhe drurësh frutorë si Gështenja, Arra, Molla, Kumbulla, etj.

Bjeshkët ë Currajve, njihen për potencialet e shumta të bimëve medicionale, sipas botanistëve në Curraj Epër, gjenden rreth 3000 lloje bimësh natyrore. Ndër më kryesoret janë xhirrokulli, salepi, lule blini, dëllinja, shtogu, trumza, rrënja e sanzit, akuliçja, boronica e zezë dhe boronica e kuqe, lulja e bardhë (kamomili), por dhe shumë të tjera.

Në bjeshkët e Currajve, po ashtu rriten një mori kafshësh të egra, si dhia e egër, ariu i murrëm, ujku, tigri ballkanik (macja e egër), dhelpra, lepuri, krapolli, rreqebulli, derri i egër, shqarri, trofta e viderza. Në hapësirën gjeografike të këtij rajoni, ka edhe shumë shpendë, duke filluar nga shqiponja, skifteri, bufi, lakuriqi, qukapiku, grisheza, pëllumbat e egër, pulë e egër, thëllëzat, korbat, sorrat, trumcakët e shumë shpendë të tjerë.

IV. Veçoritë speologjike

Një varg shpellash interesante janë lokalizuar në Curraj Epër. Vitet e fundit speleologë të huaj kryesisht italianë, nga viti 1993 e deri më sot kanë kryer ekspedita të shumta e të përvitshme dhe rezultatet janë të admirueshme.

Aktualisht janë eksploruar Shpella e Boshit, Shpella e Gjatë, Bira e Zezë, etj. Rezultati më i rëndësishëm është ai i Shpellës së Zezë (Bira e Zezë), ku ekspertët e huaj kanë eksploruar mbi 5000 metra, risi kjo për speleologjinë Shqiptare e njëkohësisht një pasuri kombëtare në këtë fushë, pasi deri më tani është shpella më e gjatë në vend.

Studiuesit e huaj kanë krijuar një bazë të dhënash dhe kanë publikuar rezultatet e këtyre ekspeditave, në qarqet shkencore speologjike evropiane. Në eksplorimin e tyre, janë angazhuar institute me famë ndërkombëtare si Commissione Grotte Eugenio Boegan, (la società speleologica più antica del mondo), etj.

Rajone të këshilluara për t’u vizituar janë Piku i Currajve, Rruk i Nikajve, Kakija, Shpella e Kakverrit, Shpella e Lumit, Shpella e Zezë (Qershesh), Kuçi, Troja, Masivi i Lajthive në Mrripë, Nanpiku (Kanioni i Lumit Curraj), Bjeshket e Currajve si Lugu i Rrodhes, Boshi, Lugu i Boshit, Lugu i Zajkut, Qafa e Fratit, etj.

V.Si të arrijmë në Curraj Epër

Rrugët që të çojnë në Curraj Epër janë disa, më praktikja ndër to është udhëtimi nëpërmjet Rrugës së Kombit në drejtim të Qytetit të Gjakovës, prej aty në Bajram Curri e mandej në Lekbibaj. Prej këtu fillon rrugëtimi në këmbë drejt Currajve të Epër, kjo rrugë është 15 Km e gjatë (rruga e piketuar, por ende e pandërtuar e makinës është 10 km), rrugëtimi në këmbë zgjat 4-5 orë. Kjo rrugë është panoramike dhe interesante për syrin e turistit, ajo fillon në Curraj Poshtër ku mbaron rruga e makinës, vijon nëpërmjet Rrasës së Currajve, Prroit të Rrasës, Rrajës së Lerës, Pikut, Misullave dhe përfundon në qendrën e Currajve.

Një tjetër itinerar gjithashtu shumë i praktikuar është nga Lugu i Ndërmanjës (Vranë ) – Curraj, përafërsisht 10-12 km e gjatë e cila përshkohet për 4 orë. Janë edhe dy rrugë të tjera më pak të rrahura, ajo që kalon nga Qafa e Kolçit – Qiresh – Curraj Epër, e cila zgjat përafërsisht 7 orë, si dhe ajo nga Dragobia në Curraj Epër, sipas një përllogaritje nga Quku i Dynishës (Dragobi) ka një gjatësi prej 12-15 km. Një tjetër rrugë për të mbërritur në Curraj Epër por kësaj rradhe nga Prefektura e Shkodrës, është ajo Theth-Curraj, padyshim ajo është edhe më e bukura nga pikpamja natyrore pasi kalon përmes Bjeshkëve të Currajve, kjo rrugë është më e gjata, përshkrimi i saj në këmbë zgjat deri në 7-8 orë.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco