Këndi i kujtesës së Sabiha Kasimatit në Muzeun e Shkencave të Natyrës

Këndi i kujtesës së Sabiha Kasimatit në Muzeun e Shkencave të Natyrës

13:55, 15/10/2018
A+ Aa A-

Në ditën e parë të vitit akademik universitar 2018-2019, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përuroi këndin e kujtesës së studiueses Sabiha Kasimati, në Muzeun e Shkencave të Natyrës që tashmë mban emrin e saj. Aktivitetet u zhvilluan në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, studiues e familjarë. 

Mbajtën fjalën e rastit dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Prof. Dr. Spiro Drushku, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Lindita Nikolla, Kryetarja e AIDSSH-së, znj. Gentiana Sula dhe z. Uran Butka, në prani të përfaqësuesve të shumtë të botës akademike, familjarëve, studiuesve, studentëve dhe trupit diplomatik.

Këndi i kujtesës përmban materiale që e prezantojnë Kasimatin si shkencëtare dhe personalitet kurajoz. Ai është finalizuar nga bashkëpunimi i një grupi ndërdisiplinor me historianë, biologë, arkivistë, gazetarë e kërkues shkencorë, dhe një pjesë e të dhënave ekspozohen për herë të parë. Narrativa e jetës dhe veprimtarisë së Sabiha Kasimatit është bazuar në dokumente, shkresa, raporte e fotografi të rralla; pas propozimit të AIDSSH më 8 mars të këtij viti, për t’i dhënë emrin e saj Muzeut të Shkencave të Natyrës, vendim i miratuar unanimisht nga Senati i Universitetit të Tiranës.

Prej vitesh, studiues të shumtë, bazuar në kërkime të shumta arkivore, përmes publikimeve të ndryshme kanë synuar ridimensionimin e figurës së saj për t’i dhënë vendin që i takon në historinë dhe shkencën shqiptare. Presidenti i Republikës e ka nderuar me medaljen “Për veprimtari patriotike” dhe në kuadrin e grupit të 22 intelektualëve të pushkatuar, si “Nderi i Kombit”. Duke i prezantuar këto studime në një institucion arsimor, Autoriteti i njeh të rinjtë dhe publikun e interesuar me personalitetin e Kasimatit dhe, përmes dokumenteve e dëshmive, ndihmon në ringritjen e emrit të saj.

Pas fjalës së organizatorëve dhe vizitës në këndin e kujtesës, në mjediset e Muzeut u shfaq filmi dokumentar mbi jetën e Sabiha Kasimatit, i gazetarit Ferdinand Dervishi.

Këndi i kujtesës Sabiha Kasimati

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco