'Buona lek', çfarë ishin dhe si përdoreshin në dyqanet speciale në 1950-n

'Buona lek', çfarë ishin dhe si përdoreshin në dyqanet speciale në 1950-n

11:58, 19/09/2018
A+ Aa A-

Në historinë e saj, Shqipëria mund të mos ketë “shkëlqyer” në aspektin ekonomik megjithatë ekziston mundësia që të ketë qenë një vend pioner në aplikimin e një mekanizmi unik në llojin e tij, që më vonë do të gjente aplikim edhe në vende të tjera.

Për të mbledhur valutën e huaj dhe arin e metalin e çmuar që kishte në vend, por edhe për të vendosur një kontroll apo frenim në kërkesën e madhe që mund të kishte për atë pak sasi mallrash që për kohën do të konsideroheshin “mallra luksi”, gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar do të ekzistonin disa dyqane valute të emërtuar edhe si “dyqane speciale”.

Praktikën e këtyre dyqaneve në fakt e kishin aplikuar më herët vendet e Bashkimit Sovjetik por në to mund të blihej direkt me valutë të huaj e me metale të çmuara pasi nuk ishte emetuar ende një letër e posaçme e cila mund të përdorej për blerje, siç ndodhi në rastin e Shqipërisë.

Për blerjen e këtyre mallrave, në Shqipëri banka e shtetit emetoi një letër (bankënotë) të posaçme, të ngjashme me kartëmonedhat, të cilat do të emërtoheshin “Buona Lek” e do të ishin me ngjyra e vlera të ndryshme, por që ndryshe nga kartëmonedhat u mungonte një imazh qendror.

Praktikisht ato ishin bono apo kuponë këmbimi valutor që shkëmbeheshin me monedhat e huaja (kryesisht dollarë) apo metalet e çmuara e që përdoreshin edhe si autorizime për të tërhequr mallrat nga dyqanet e valutës.

Studiues të kësaj tematike janë të mendimit se Shqipëria është vend pioner në aplikimin e tyre; pra që i ka përdorur edhe para Bashkimit Sovjetik apo Kinës.

    Këtë tezë e jep studiuesi Masaro Tomita në revistën “International Banknote Society Journal”, në njërin prej numrave të vitit 1998 ku evidenton faktin se këtë mekanizëm pas Shqipërisë e përdorën edhe vende të tjera, që aplikonin modelin e ekonomisë së centralizuar.

    Për herë të parë “Buona Lek” janë emetuar në vitin 1950 për të vijuar më pas në vitet 1953, 1955, 1956 e 1965. “Buona lek” apo bono-lekët që u emetuan dhe u futën në qarkullim ishin të vlefshme për blerje vetëm në dyqanet e valutës. Kjo letër mbante firmën e drejtorit të bankës dhe të sekretarit të Thesarit dhe mund të përdorej vetëm për dyqanet e shkëmbimit në valutë, kundrejt kushteve favorizuese në blerje.

    Krijimi i dyqaneve speciale në Shqipëri

    Me 21 gusht të viti 1950 u miratua vendimi i qeverisë “Mbi krijimin e dyqaneve speciale” e bashkë me këtë vendim përcaktohej edhe fondi buxhetor i posaçëm. Dyqanet speciale ishin në fakt dyqanet e valutës e vendimi konsiderohej si “një masë për të forcuar sistemin monetar dhe për të shtuar fondin rezervë të valutës së bankës së shtetit shqiptar”. Po ashtu, me këtë vendim banka autorizohej që të blinte nga popullata monedha ari, platin, argjendi dhe gurë të çmuar.

    “Është vërtetë kurioze se pse Shqipëria vendi më i vogël i grupit të vendeve komuniste u bë pioner në krijimin e “Buona Lek”. Në këtë kohë u ndërmorën reforma radikale për të detyruar vendin që të futej në një proces transformimi nga një vend bujqësor në një vend industrial. Regjimi i ri komunist kishte një nevojë të dukshme për të importuar nga jashtë vendit thuajse çdo material bazik për industrializimin. Në mënyrë që të arrinte qëllimin, një centralizim dhe kontroll i kursit të këmbimit përmes certifikatave të këmbimit ishte i domosdoshme. Ashtu si me sektorët e tjera të ekonomisë duhej vendosur kontrolli edhe mbi luhatjet e monedhës së huaj” shkruhet ndër të tjera në artikullin e vitit 1998 në revistën “International Banknote Society Journal”.

    Po ashtu, autori shkruan se printimet e këtyre bonove apo kuponëve janë bërë në Shqipëri ndërsa evidenton se pas Shqipërisë, certifikata të tilla (Tuzek) i printoi Çekosllovakia në vitin 1957, Polonia (Bon Towarowy) në 1960, Bashkimi Sovjetik (VPT) në 1965, Bullgaria (Korecom Bon) në 1968, Gjermania Lindore (Forum Check) në 1979, Kina në 1980, Koreja e Veriut në 1980 etj .

    E sa i përket emertëses “Buona” ajo vjen nga italishtja e kjo përbën një pikëpyetje edhe për autorin e revistës së koleksionistëve, që shkruan se ndoshta “kjo emërtese u përzgjodh për shkak të afërsisë me fjalën “Bono” por edhe për shkak të dykuptimësisë “Buona= e mirë” dhe kuptimit “kupon”.

    Zona e përdorimit të saj ishte e limitur vetëm brenda territorit shqiptar dhe nuk kishte të bënte me sasinë e parasë që ishte në qarkullim.

    Në periudhën që ndërmori një lëvizje të tillë (viti 1950) Shqipëria kishte përmbyllur disa procese intensive të vendosjes së kontrollit mbi ekonominë e mbi qarkullimin monetar.

    Vendosja e kontrollit mbi tregtinë, tatimi i jashtëzakonshëm, vulosja e parave, monopolizimi i tregtisë së arit dhe valutave të huaja, ndalimi i tregtimit e nxjerrjes së tyre jashtë nga individët etj. ishin shoqëruar nga masa që kishin sjellë ndër të tjera edhe konfiskimin e parave e të arit, por edhe frikë.

    Nga njëra anë, sasia e monedhave të çmuara, arit apo e valutave të tjera që vijonte ende të ishte e fshehur nga popullata, nuk mund të shfaqej në zyrat e këmbimit valutor pa pasur një tërheqje të fortë. E për këtë qëllim, “joshja” do të ishte duke i kthyer pikat e këmbimit valutor në dyqane speciale në të cilat mund të bliheshin mallra që nuk gjendeshin në dyqane të tjera dhe me çmime më të favorshme. Kjo specifikohej edhe në ballinën e kuponit ku shkruhej “Me çmimet e veçanta të shkëmbimit në valutë”.

    Nga ana tjetër, në kushtet e kërkesës së lartë për mallra që kishte në atë periudhë, nevojitej një lloj kontrolli, pasi sasia e këtyre “mallrave të luksit” ishte e limituar dhe jo çdokush mund të kishte akses në to.

    E njëjta praktikë me bono të ngjashme u ndoq edhe për tregjet e tjera kryesisht për të kontrolluar qarkullimin e mallrave.

    Bono lekët nisnin nga vlera 0.01 lekë deri në 1000 lekë. Kursi i këmbimit të monedhës së huaj në raport me lekun ishte i paracaktuar nga Ministria e Financave.

      Veç mbledhjes së valutave apo metaleve të çmuara që kishte ruajtur popullata, kuponët këmbeheshin edhe nga ata që kishin ndonjë dërgesë parash nga jashtë e që regjimi i lejonte të kishin një marrëdhënie të tillë.

      Hapat që i paraprinë “Buona Lekë”-ve

      Ky mekanizëm unik i aplikuar nga Shqipëri gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar në fakt duket se i shërbente jo vetëm shtimit të rezervave valutore e të arit por gjithashtu mund të shënonte edhe mbylljen e një cikli të vendosjes së kontrollit të plotë mbi qarkullimin monetar të Shqipërisë. E ky cikël kishte nisur menjëherë pas përfundimit të Luftës, ku situata ekonomike dhe monetare ishte në kaos të plotë.

      Në këto kushte, hapi i parë që u ndërmor ishte vendosja e kontrollit mbi paranë në qarkullim dhe ulja e inflacionit. Në një ekonomi të centralizuar, duhej vendosur edhe kontrolli mbi kursin e këmbimit për faktin se luhatjet e tij mund të sillnin luhatje edhe mbi ekonominë shqiptare. Çështja e kursit të këmbimit dhe ndikimi në ekonomi ka qenë një problematikë e shumë vendeve, edhe perëndimore, pas Luftës së Dytë Botërore e në fakt për këtë çështje edhe vendet e tjera që nuk kishin sistemin e ekonomisë së centralizuar por ekonominë e lirë kishin marrë masa të ndryshme për të amortizuar efektet negative.

      Në rastin shqiptar, fillimisht u morën masa të shpejta përmes shtetëzimeve në të gjithë sektorët e ekonomisë. Menjëherë nis edhe procesi i vendosjes së kontrollit mbi paranë. Tatimi i Jashtëzakonshëm dhe vulosja e parave ishin dy masa me ndikim të drejtëpërdrejtë.

      Vendosja e kontrollit mbi tregtinë

      Periudha e pasluftës në Shqipëri do të ishte një periudhë më situatë emergjence. Tregtia ishte paralizuar. Bujqësia dhe blegtoria ishin dëmtuar ndërsa arka e qeverisë ishte bosh. Duheshin të merreshin masa të ngutshme për strehimin dhe sigurimin e ushqimit për mijëra persona të prekur nga Lufta,

      Furnizimi i popullatës me artikujt e domosdoshëm të industrisë ushqimore , me veshmbathje dhe me prodhime bujqësore e blegtorale do të ishte një problem i mprehtë ekonomik. Në vitin 1945 do të ndërmerreshin ato që konsideroheshin si masa të ngutshme. Furnizmi i popullsisë me produktet bazë do të bëhej me anë të asistencës sociale, me anë të disa dyqaneve të shtetit që u celën me mallrat e konfiskuara dhe me anë të kooperativave të konsumit, por që sërish do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar plotësimin e nevojave më të domosdoshme. Ndaj edhe një nga hapat e parë që do të ndërmerrej do të ishte vendosja e kontrollit shtetëror mbi tregtinë.

      Në prill 1946 u vendos bllokimi dhe denoncimi i të gjithë artikujve industrialë të caktuar për tregti që zotëroheshin si nga tregtarët e mëdhenj ashtu edhe të vegjël. Në këtë mënyrë do të vendoseshin çmime unike të palëvizshme.

      Në qershor të vitit 1946  do të vendosej sistemi shtetëror për blerjen grumbullimin dhe shitjen e drithit, masë kjo që u argumentua nga regjimi i ri si një lëvizje që u hoqi çdo mundësi tregtarëve privatë për të spekuluar me ushqimin e popullatës.

      Për të siguruar shpërndarjen e rregullt të artikujve ushqimorë, në shtator 1946 u vendos sistemi  i triskëtimit. Sipas këtij sistemi punëtorëve që punonin në degët më të rëndësishme dhe në punët më të vështira u caktoheshin norma më të larta furnizimi në krahasim me punonjësit e tjerë. E gjithë tregtia e brendshme e jashtme kaloi në këtë mënyrë në duart e strukturave shtetërore.

      Tatimi i Jashtëzakonshëm

      Në dhjetor të vitit 1944 Ministria e Financave nxori udhëzimin e krijimit të tatimeve të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës ndërsa në janar të 1945 u miratua edhe ligji i posaçëm që parashikonte një tatim progresiv për fitimin, që preku kryesisht tregtarët e të pasurit e asaj periudhe.

      Barra e rëndë e tatimit sillte në fakt jo vetëm një burim për arkën e shtetit por edhe një pakësim të parasë që kishte në qarkullim. Në këtë periudhë, nuk mungojnë as përpjekjet për t’iu shmangur tatimit e në këtë rast, organet shtetërore ashpërsojnë jo vetëm bazën ligjore për këtë qëllim por edhe përpjekjet, duke arritur deri në likujdime e konfiskime. Procesi dy vjeçar do të hiqte nga duart e privatëve për t’i kaluar në ato shtetërore më shumë se 467 milionë franga ari./Marrë me shkurtime nga Kreshnik Kuçaj, Scan.tv.

      © SYRI.net

      Lexo edhe:

      Komentet

      Shto koment

      Denonco