Një zbulim, kartolina e rrallë e viteve '20, Kristo Luarasi i shkruan lekë Margjinit

Një zbulim, kartolina e rrallë e viteve '20, Kristo Luarasi i shkruan lekë Margjinit

14:08, 07/09/2018

Nën titullin “Kartë postale e dëmtuar me pamje nga procesi i grirjes së duhanit” në njësinë e ruajtjes nr. 1324 të Fototekës së AQSh ruhet, sikundër e thotë edhe titulli, një kartolinë.

Është sistemuar në Fototekë në strukturën "Industria kimike dhe ushqimore" për shkak të imazhit që paraqet: një djalosh duke prerë duhan, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Në qoshen ku zakonisht vendoset pulla kartolina ka pësuar një dëmtim mekanik, me gjasë për shkak të grisjes së pullës nga ndonjë i interesuar vetëm për të.

Mirëpo, nga pas kartolina bart një tekst aspak të jashtëzakonshëm për nga përmbajtja, por për nga natyra intime, kthehet në një “futje hundësh” të padëmshme në marrëdhënien mes dy njerëzve. Pikërisht kjo kureshtje na shtyu të kërkojmë pak për marrësin e kësaj kartoline.

E dërgon Kristo Luarasi nga Sofja e Bullgarisë për Lekë Margjinin në Tiranë.

Kristo Luarasi është patrioti dhe intelektuali i mirënjohur i viteve 1920-30, kurse Lekë Margjini është patrioti dhe ushtaraku jo fort i njohur për këdo. Margjini ishte nga Oroshi i Mirditës. U shkollua si ushtarak në Bullgari dhe shërbeu për disa vite në ushtrinë Bullgare. Shërbeu si oficer në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes, pak më pas datës së mbërritjes së kartolinës në Tiranë. Më pas u radhit me forcat pro Fan Nolit më 1924.

Pas kthimit të Leka Zogut në Shqipëri emigroi në Itali, nga ku u kthye më 1939. U emërua nënprefekt i Strugës më 1941, kurse më 1943 u burgos nga nazistët në Prishtinë. Pas luftës u vendos në Korçë ku, në moshë të thyer, u martua me të bijën e Sotir Pecit. E mbylli jetën duke punuar si cigareshitës në një kioskë pranë Kinema Majestikut në Korçë.

Vallë, a do të kishim mësuar për këtë korrespondencë miqsh, përveçse duke shfletuar rastësisht lëndën arkivore të Fototekës së AQSh?

Përgjigjen nuk e japim dot në formë absolute. Mund të themi, ama, se fondi arkivor i AQSh mbetet ngaherë interesant dhe fort i pasur me të dhëna historike.

Teksti i kartolinës i transliteruar: “Sofie, 17 / III / 921

Fort i dashtuni Lekë, të mar në gryk me shum mall. Poliksena, Margarita, Sevoja, etj., miq e t’afërm të falen.

Mora letërn e Z(ot)nis suaj e jam i gëzuar që je shënosh’ e mir e që s’më kini harrue.

Ne harim shenosh’ e mir në Korçë.

Gjith miqtë e gjërinjtë i gjeta shëndoshë.

Për atë që folëm udhës bisedova në Vlorë, po mjerisht nukë shkrojtën. Kam qëllim të vinj andej që të shihemi, të fala ty e gjith miqet aty, i yti, Kr(isto) P. Luarasi.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment