Humoristike: Kur ministria e Jashtme e  Shqipërisë u ngrit si kamping me çadra në Durrës!

Humoristike: Kur ministria e Jashtme e Shqipërisë u ngrit si kamping me çadra në Durrës!

08:49, 23/08/2018
A+ Aa A-

Kur u shpall kryeqytet, Tirana u përball me një kërkesë të madhe (por edhe problematikë) për strehimin. Qyteti kishte mangësi në godina për ambiente pune e strehimi për administratën.

Me një problematikë të tillë ishin përballur edhe më herët Vlora në 1912 dhe Durrësi në 1914.

E mungesa e godinave do të bënte që të kërkoheshin alternativa të ndryshme për zgjidhjen e problematikës. Një nga zgjidhjet që do të shkaktonte jo pak diskutime, kritika e do të bëhej edhe objekt humori, do të ishte ajo e ndërmarrë nga Eqerem Bej Vlora në Durrës në vitin 1914. Në atë kohë, Vlora ishte funksionar në ministrinë e Jashtme, në qeverinë e Princ Vidit.

Ministria e Jashtme një kompleks me çadra

Në kujtimet e tij, Vlora shkruan se për të gjetur ambientet e ministrisë së Jashtme, shkoi të bisedojë me kryeministrin Turhan Pasha. Kërkesa ishte për 3-4 dhoma që do të shërbenin si zyra për ministrinë.

“Por ç’të shihja? Ai nuk dinte të thoshte as se ku do të ishte zyra e kryeministrit. Atëhere nuk i rashë më në qafë; kërkova disa ditë leje , shkova në Vlorë, mora me vete gjithë kompleksin tim të çadrave dhe erdha e vendosa në një shesh të bukur me pamje të gjerë në kodrën prapa shtëpisë së Esat pashës: tri çadra të mëdha për fjetje, secila me paradhomë, dhomë gjumi, banjo dhe sallon, pastaj tri çadra të mëdha pritjeje dhe ngrënieje, çadra për kuzhinë, për depo dhe për personelin shërbyes, shkurt një kompleks prej 14 çadrash të pajisura me të gjitha komoditetet e mundshme, gjer edhe me një central ndriçimi të vetin me acetilen.

Lajmi i ministrisë sime me çadra shkaktoi fillimisht në Durrës një valë kritikash plot humor, por më vonë, pas vizitave të para të punës të diplomatëve të huaj, filloi të qarkullojë mendimi se kjo ishte një zgjidhje logjike dhe tepër praktike e vështirësive të strehimit” shkruan Vlora në kujtimet e tij.

Por sërish, “zyrat” e ministrisë së Jashtme do të përballeshin më një problem, që ridhte më shumë nga zakonet; fluksi i vizitave orar pa orar.

“Princi, princesha dhe krejt oborri filluan të na vizitojnë e të pijnë çaj te ne; pastaj nga dita në ditë filloi një valë e tillë vizitash derisa unë urdhërova të varej një tabelë në hyrje të kompleksit. “Gjatë orarit zyrtar 10 deri në 13 dhe 15 deri në 17 ndalohen rreptësisht vizitat private!”.

Doemos që kjo shkaktoi një dallgë të re kritikash nga ana e inteligjencies, ndaj izolacionizmit tim aristokratik. E kush mund t’i kënaqte këto larva të rishfaqura në një mjedis të ri, tashmë demokratik? Të dëbuara nga këneta e madhe e Perandorisë Osmane, ato lëvrinin tani në pellgaçen shqiptare dhe duhej bërë kujdes në çdo hap që të mos shkelje mbi to” vijon në kujtimet e tij Vlora.

Godinat e tjera të ministrive

Edhe ministritë e tjera do të përballeshin me të njëjtën problematikë, atë të mungesës së ambienteve për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Vlora evidenton faktin se Durrësi, nga një qendër e vogël, u kthye “brenda natës” në një qendër më popullsi të trefishuar duke sjellë me vete të gjithë problemet e mangësitë  një zhvillimi të panatyrshëm.

“Institucionet e reja qeveritare, të quajtura me emrin bombastik ministri, ishin vendosur në ca shtëpi të vjetra dhe funksiononin (nëse kjo ndodhte) edhe më keq se në kohën e qeverisë së përkohshme në Vlorë.

I gjori kryeministër ishte, në të vërtetë, zyrtari i lartë i shërbyer më keq. Esat Pasha, që detyrat e tij zyrtare si ministër i Brendshëm dhe i Luftës i kryente, sipas zakonit të vjetër të bejlerëve, në dhomën e gjumit apo në atë të ngrënies, përplasej në çdo hap me kryeministrin, me shefin e tij të kabinetit, Nuri Bej Vila-Frashëri dhe me mua zëvëndëssekretarin e tij të përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme.

Esati kishte një grup të madh bashkëpunëtorësh të aftë. Shtëpia e tij ishte si të thuash, e vogël dhe e thjeshtë. Vizitorë, “urimtarë” dhe “fallxhorë” hynin e dilnin nga dera e saj, duke kërkuar secili nderimin e duhur nga ana e zotit të shtëpisë, pavarësisht nëse ai kishte apo nuk kishte kohë, pavarësisht nëse vizitori kishte ardhur në kohë të përshtatshme apo të papërshtatshme. Për këtë arsye nuk mund të parashikohej edhe se ku do të shtrohej në tryezë, Esati e mbante “sofrën të shtruar!”.

    Kushdo që ndodhej aty (dhe ishte dikush) ftohej pa një pa dy, të ulej në bukë. Nëse gjatë ngrënies vinte ndonjë telegram, ndonjë lajmëtar apo ndonjë personalitet për këtë apo për atë pasha të pranishëm, ai ngrihej, mbaronte punë dhe pastaj kthehej e zinte vend përsëri në sofër” shkruan në kujtimet e tij Vlora.

    Pallati Mbretëror

    Ndryshe nga sa ndodhte me “ministritë”, Pallati ku qendronte Princ Vidi ishte në një situatë tjetër, por që gjithsesi ishte larg kushteve që të mund të konsiderohej një pallat mbretëror i mirëfilltë. Për këtë qëllim do të përdorej një godinë e hershme, e restauruar për të pritur Princ Vidin, e që ishte përdorur gjatë periudhës së Perandorisë Osmane si zyrë e prefektit

    “Konaku” i Durrësit që do të ishte edhe emër më i saktë për të, ishte godina e modernizuar e ish prefektit (mytesarifit) turk të Durrësit, një ndërtesë guri e ngritur mbi muret e vjetra rrethuese të kohës bizantine e turke, me një gjatësi ballore rreth 50 metra dhe me një oborr të po atyre përmasave prapa saj.

    Të 35 dhomat e tri kateve dilnin të gjithë në një korridor të gjerë katror. Megjithëse mobilimi i brendshëm dhe pamja e jashtme ishin të thjeshta, për kushtet shqiptare, ato ishin sidoqoftë, mjaft dinjitoze.  

    Të gjitha pajisjet si dhe personeli shërbyes kishin ardhur nga Gjermania dhe gjithçka funksiononte nën drejtimin e majorit fon Trota, i cili me një stil karakteristik ushtari mbante fort në dorë rrjedhën e brendshme të jetës në pallat” shkruan Vlora në kujtimet e tij të përkthyera nga Afrim Koçi e të botuara nga IDK.

    Vidi ishte Princ i Shqipërisë për një periudhë 6 mujore, nga 7 marsi 1914 deri më 3 shtator 1914. Në qeverinë e krijuar, posti i ministrit të Jashtëm do të mbahej nga kryeministri Turhan Pashë Përmeti, ish-ambasador i Perandorisë Osmane në San Petersburg. Më pas, (maj 1914) në këtë detyrë do të vendosej Prenk Bibë Doda për t’u zëvëndësuar në korrik të po atij viti nga Mehmed Konica./Kreshnik Kuçana, Scan.tv

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco