FOTO/ Ndahet nga jeta doktori i mirënjohur i Tiranës

FOTO/ Ndahet nga jeta doktori i mirënjohur i Tiranës

09:50, 13/06/2018
A+ Aa A-

Është ndarë nga jeta në moshën 97 vjeç, intelektuali i Tiranës, doktori dhe poligloti i njohur  Qazim Bakalli.

Lajmi për ndarjen e doktor Bakallit nga jeta është bërë i ditur nga familja.

Qazim Bakalli, qytetar i respektuar tironas dhe mjek mjaft i njohur, lindi më 20 maj 1921. Formimin parauniversitar, periudhë gjatë së cilës u dalluan dukshëm aftësitë e tij, e plotësoi po në Tiranë.

Image

Ai vazhdoi rrugën e të jatit, Hasanit, që kishte mësuar në Turqi për Drejtësi Islame, e të vëllait më të madh, Eminit, në Gjermani, për inxhinieri.

Falë formimit të suksesshëm të tij në gjimnaz, ku, veç rezultateve mjaft të mira që arriti, mësoi edhe frëngjishten, italishten dhe anglishten, ai filloi fakultetin e mjekësisë të Universitetit të Bolonjës, ku qëndroi vetëm gjatë viteve 1940-1943.

Ashtu si me shumë djem shqiptarë që ‘Studionin jashtë vendit, edhe Qazimi, i shtyrë nga ndjenjat atdhetare, kthehet në vendlindje.

Në përbërje të rinisë së lagjes, në Pezë, në Dajt, në njësitet guerile të Tiranës dhe deri në mjekimet e kryera në Spitalin ”Zog I”, ka qenë gjithnjë aktiv e me kontribut të ndjeshëm. Shtëpia e tij ishte, po ashtu, depo ushqimesh për luftën nacionalçlirimtare.

Pas luftës, ai iu përkushtua mbarimit të studimeve, proces të cilin e nisi në Zagreb në vitin 1946 për t’u diplomuar përfundimisht në Universitetin ”Klement Ohrickij” të Sofjes më 1948. Në pavijonin e sëmundjeve të brendshme të Spitalit të Tiranës, të drejtuar nga doktor Sabri Tefiku dhe për të cilin edhe sot ai ka konsiderata të jashtëzakonshme, mbajti ngarkesë të madhe.

Image

Arriti deri në 25 shtretër, nga rreth 10 që ishte shifra më e zakonshme.

Me këtë angazhim, nuk vazhdoi më shumë se katër vjet. I specializuar si dietolog, punoi deri kur doli në pension. Falë karakterit të tij prej studiuesi dhe si njohës i mirë i 5-6 gjuhëve të huaja, edhe në këtë drejtim, ishte mjaft i suksesshëm dhe për këtë konsiderohej nga më të mirët.

Me bagazhin e tij teoriko-praktik, prania e Qazimit shihet edhe veç spitalit. Ai njihet si pedagog i jashtëm për lëndën e Anatomisë në ILKF “Vojo Kushi”, gjatë viteve 1970-1974, dhe si propagandist i mjekësisë në Radiotelevizion Shqiptar, gjatë 55 vjetëve.

Është autor i vazhdueshëm i mjaft studimeve e referimeve shkencore, si dhe i mjaft shkrimeve të këtij lloji në revista e gazeta të ndryshme. Ka mbajtur edhe angazhime të tjera tejet aktive, si ato në komisionin e KEMP-it, në detyrën e inspektorit sanitar etj. Në aktivitetet shoqërore, kishte detyrën e anëtarit të Plenumit të BPSh.

Në të gjithë veprimtarinë e tij, ky besimtar i devotshëm, përherë korrekt dhe i ndershëm, është vlerësuar me Urdhërin ‘Naim Frashëri’ të klasit 11, nga Kuvendi Popullor; Titullin ‘Fisnikëria tironase’ nga Shoqata “Tirana” dhe atë “Nderi i Qytetit të Tiranës”, nga Bashkia e Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco