‘Tre musketierë’ në Vuno, tri ditë këngë, valle e sporte

‘Tre musketierë’ në Vuno, tri ditë këngë, valle e sporte

22:18, 26/04/2018
A+ Aa A-

Fatmira Nikolli – South Outdoor Festival rikthehet në edicionin e tij të dytë me një tjetër zonë të Himarës. Ndërsa vitin e kaluar ishte Piluri, këtë vit është Vunoi që mbledh qindra të rinj në tri ditë emocionuese me muzikë, arte dhe sporte.

Të ftuar këtë vit janë artistët Ardian Trebicka, Kujtim Prodani, Xheni Litro dhe trioja e Elton Dedës – ose tre musketirët Aleksandër Gjoka, Redon Makashi e vetë Deda që do të interpretojnë më 28 prill.

Qëllimi i festivalit është promovimi i fshatrave për zhvillimin e turizmit. Në datat 27 deri më 29 prill pjesëmarrësit do të mund të vizitojnë bukurinë dhe misteret që fshehin janë Kuçi, Kudhësi, Çorraj, Qeparoi dhe Borshi, alternuar kjo edhe me plazhe e sporte ujore e malore ku përfshihen kayaking, zhytje, volejboll në Jalë dhe Gjipe apo hiking, biking dhe hedhje me parashutë.

Argëtimeve të ditës u shtohen mbrëmjet jashtë rreth zjarrit në kampin me çadra të ngritura, por nuk mungon muzika live dhe iso-polifonia (Trashëgimia Kulturore e ruajtur nga UNESCO), gjatë gjithë festivalit.

Fshati i Vunoit ka një arkitekturë të pasur dhe unike në të gjithë zonën e bregdetit dhe konsiderohet si një nga qendrat më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, si Kisha e Shën Spiridonit.

Vunoi ka një pamje magjepsëse, që të jep përshtypjen e një Akropoli të madh që del nga shkëmbinjtë. Është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës rajonale si në shtëpitë dhe kishat, të ruajtura që nga shekulli i tetëmbëdhjetë.

Ai është një nga fshatrat më veriorë të bregut të detit në Himarë. Zgjerimi në mes të kodrës, i ndarë në mes nga rruga nacionale, e ndërtuar përkundër kodrave të pjerrëta me shtëpi pothuaj vertikale, Vunoi është jashtëzakonisht panoramik dhe ofron pamje që pothuaj të lënë pa frymë.

Nga rruga nacionale duket sikur një mur shtëpish në një gjysmërreth të lehtë përballen me jugperëndimin.

Ky shpat i pjerrët fsheh një pamje mahnitëse brenda fshatit.

Fshati ndihet në kohë të ndryshme, herë si fshat klasik grek e herë si fshat klasik italian.

Disa thonë se për shkak të vendndodhjes së fshatit në kodra, emri i fshatit rrjedh nga fjala greke Vouno (greqisht: Bounó), që do të thotë “mal”. Vunoi është fshat tejet i pjerrët. Zona e ndërtuar është kompakte dhe prodhon tipologji veçanërisht interesante të hapësirave të hapura dhe të ngushta, rrugëve dhe lidhjeve, duke përfshirë edhe pasazhe të harkuara tipike të Vunoit.

Udhëtari britanik i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Edward Lear, qëndroi në këtë fshat në shtëpinë e familjes Kasneci e përveç se ka folur për mikpritjen e madhe të banorëve të Vunoit, ka lënë një sërë tablosh me që tani ruhen në Universitetin e Harvardit.

“Isha shumë i befasuar nga ndërtesat në Vuno, si shtëpia e familjes i Kasneci. Të japin ndjesinë e ‘pallateve’ veneciane. Himarjotët flasin italisht më shumë se çdokush tjetër në Shqipëri. Në çdo fshat të kësaj zonë që shkova, vura re se pavarësisht faktit që ndjekin ortodoksinë greke, ata janë të gjithë shqiptarë, me disa përjashtime të vogla”, ka shkruar Edward Lear.

‘South Outdoor Festival’ është i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe bashkon aventurat sportive më të njohura në një ngjarje 3-ditore, që do të zhvillohet në zonën bregdetare. ‘South Outdoor Festival’ përqendrohet në përjetimet e unike të jugut të vendit dhe fton pjesëmarrësit nga e gjithë bota, Europa dhe vendi t’iu bashkuar e për t’u argëtuar.

SOF është një iniciativë e “GIZ Albania”, në kuadër të programit Zhvillimi i Qëndrueshëm i Rajonit të Bregdetit Jugor, që është zbatuar si një projekt i përbashkët i disa kompanive nga Shqipëria dhe Mali i Zi, përfaqësues të agjencive turistike që kanë punuar me turizmin për vite të tëra. Projekti realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Turizmit, Bashkinë Himarë dhe mbështetet fuqimisht nga “GIZ Albania”.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco